Një vatër e fuqishme zjarri vijon të jetë aktive në zonën pranë Palasës, ku flakët kanë përfshirë një kodër dhe vazhdojnë të përhapen të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta.
Gjatë gjithë natës, në terren kanë qenë të angazhuara forcat zjarrfikëse, efektivët e Policisë së Shtetit dhe punonjësit e zonave të mbrojtura, të cilët kanë punuar për izolimin e vatrës dhe shmangien e përhapjes së saj në zona të tjera.
Terreni i vështirë ka vështirësuar ndërhyrjen nga toka, ndaj gjatë ditës së sotme operacionit i është bashkuar edhe një helikopter, i cili po kryen ndërhyrje nga ajri për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.
Autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa operacioni për vënien e zjarrit nën kontroll vijon.
