Një ditë pas zjarrit tragjik në ambientet e një kompanie në Vrrin të Durrësit, ku humbi jetën një 25-vjeçar nga Bangladeshi dhe mbeti i lënduar një tjetër punonjës nga Kenia, kolegët e viktimës tregojnë momentet e panikut dhe frikës të përjetuara mëngjesin e së dielës.

Zjarri ra në kuzhinën që përdorej për gatim. Flakët përfshinë edhe një nga dhomat e fjetjes, ndërsa në momentin e ngjarjes punonjësit ndodheshin në gjumë.

“Dje ra zjarr në pjesën e kuzhinës. Një situatë shumë e rrezikshme. Punëtorët nga Bangladeshi jetojnë në anën ku ra zjarri, ndërsa ne të tjerët, jemi nga India dhe të vendosur në anën tjetër”, tha njëri nga punëtorët.

Një tjetër punëtor tha: “Ndihemi shumë keq. Ai që humbi jetën ishte një nga shokët tanë. Erdhi në dhomën tonë vetëm një natë përpara incidentit. Ngjarja ndodhi kur ata ishin ende duke fjetur, në momentin kur nisi gatimi dhe zjarri shpërtheu për shkak të një rrjedhjeje gazi.”

Për pasojë, njëri prej punëtorëve humbi jetën nga asfiksia, ndërsa 30-vjeçari nga Kenia që punonte si kuzhinier pësoi djegie të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, pas verifikimeve në subjekt dhe komunikimit me administratorin e kompanisë, Inspektoriati i Punës ka arritur në përfundimin paraprak se ngjarja nuk konsiderohet aksident në punë, me argumentin se 2 punëmarrësit ishin në ditën e pushimit, në momentin e zjarrit.

Megjithatë, rasti ngre pikëpyetje mbi kushtet e sigurisë në ambientet e brendshme të kompanisë ku punojnë dhe jetojnë punonjësit e huaj. Grupi hetimor ndërkohë po vijon verifikimet për të përcaktuar shkaqet e plota të zjarrit dhe përgjegjësitë ligjore që mund të dalin nga hetimi.