Apartamentet që u dogjën në kompleksin pranë QSUT do të rindërtohen nga kompania e ndërtimit, ndërsa orenditë shtëpiake do të dëmshpërblehen nga Bashkia e Tiranës. Drejtuesit e saj thonë se është ngritur një grup pune, por pritet akt-ekspertiza për të përcaktuar nëse ngjarja do të cilësohet si fatkeqësi natyrore.

“Po presim akt-ekspertizën. Ne kemi fond për dëmshpërblimin e orendive dhe, nëse është e nevojshme, mund të kërkojmë shtesë. Ne përgatitëm qendrat sociale dhe banesat sociale, por më pas është në dëshirën e qytetarëve”, shprehet Dritan Dango, drejtor i Emergjencave Civile dhe Komunikimit me Publikun.

Avokati i Popullit, Endri Shabani, deklaroi se është ngritur një task-forcë për të analizuar të gjitha objektet në Tiranë sa i përket sigurisë së tyre.

“Ne nuk do të merremi vetëm me këtë rast, pasi nuk është një rast i izoluar; është një fenomen i përsëritur”, deklaroi Endri Shabani, Avokat i Popullit.

Banorët, të cilët deri më tani kanë gjetur zgjidhje individuale për strehim, janë në pritje të zgjidhjeve konkrete nga autoritetet./ Top Channel