Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi zjarrin që ‘përpiu’ pallatin e një kompleksi pranë QSUT-së, duke u shprehur se ‘ishte ngjarje e paralajmëruar’. Ai tha se fasada u dogj sikur të ishte me kashtë dhe jo me beton, ndërsa shtoi se zjarrfikësi nuk futej dot në apartamente.
Ndër të tjera kreu i selisë blu tha se pallati është ndërtuar jashtë të gjitha kondicioneve urbanistike.
“Është një çështje thelbësore. Pallati i kuq është pallati Rama-Veliaj. Arlis Lena është kompania e tyre. Armando Lilo që ia mbathi, dhe që Edi Rama u bë avokat i tij, shikoni se ç’bëjnë qeset e parave, ndërtuesi tha dje, mori përsipër ndërtimin, ndonëse u faktua brenda 12 orëve se nuk ishte faji i ndërtimit.
Fasada u dogj sikur të ishte me kashtë dhe jo e beton, sepse i tillë ishte materiali për të cilin kishte një ekspertizë dy vite më parë që është material i djegshëm dhe që ishte dërguar në prokurori. Po këtu janë në unison së bashku se ai pallat është ndërtuar jashtë të gjitha kondicioneve urbanistike. Ju e patë vetë, zjarrfikësi nuk futej dot, fat i madh që shpëtuan jetët e njerëzve, që edhe mund të humbisnin, por ai ishte zjarr i paralajmëruar. Tani i them Ramës unë, avokatit të Armando Lilos, po në qoftë se Armando Lilo nuk kishte faj, atëherë pse ia mbathi? Pse iku nga drejtësia meqë ti e nxjerr të pafajshëm? Është Rama i fajshëm, është Erion Veliaj i fajshëm. Janë këta që kanë shkatërruar me betonizimin e Tiranës. Dhe jam plotësisht dakord me dy, absolutisht raste analoge ekzistojnë sot në çdo bllok.”– tha Berisha.
