Prefekti i Tiranës, Afrim Qendro, ka deklaruar se zjarri në zonën e ish-Uzinës Dinamo, te tregu i 5 Majit, është masiv dhe po përfshin një magazinë të madhe ku operojnë disa biznese.

Në vendngjarje janë angazhuar 11 mjete zjarrfikëse, rreth 60 efektivë, si dhe i gjithë efektivi i zjarrfikësve të Tiranës dhe Kamzës. Po ashtu, po vijnë forca dhe mjete ndihmëse nga Elbasani, Vora dhe ushtria, ndërsa botet e ujit të Bashkisë po sigurojnë furnizimin me ujë. Sipas tij, në magazina ndodhen rroba dhe materiale të tjera jo të rrezikshme, nuk ka persona të lënduar dhe policia ka vendosur perimetrin e sigurisë.

“Kemi një zjarr masiv te ish-uzina dinamo. Në një magazinë goxha të madhe, po punojnë 11 makina zjarrfikës, 60 forca policie. Komplet efektivi i zjarrfikësve të Tiranës dhe Kamzës janë prezent. Botet e ujit të bashkisë janë duke ardhur për të furnizuar me ujë.

Po mundohemi ta ndërpresim të mos vazhdojë në pjesën fundore të magazinës. Dhe të ruhet dhe objekti. Është një magazinë e madhe që funksionojnë disa biznese. Për momentin, o digjen rroba dhe materiale të tjera, jo materiale të rrezikshme. Po punojnë me kapacitet maksimal, po vijnë zjarrfikës dhe nga Elbasani, Vora dhe zjarrfikëset e ushtrisë. Do na ndihmojnë me furnizim me ujë.

Nuk flas për dyshime, janë ekspertët që do japin vlerësimin ligjor. Nuk ka persona të dëmtuar. Forcat e rendit kanë siguruar një perimetër. Zjarr po vazhdon, po punohet për ta ndërprerë. Është zjarr masiv dhe kërkon kohën e vet.”– tha ai.