Zv/ President i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Isa Halilaj tha se situata në shkolla, sa i përket pandemisë së koronavirusit, paraqitet problematike.
Në një lidhje me skype për emisionin “Rudina”, ai u shpreh se duhen marrë masa më të rrepta “sa nuk është vonë”.
“Fillimi i shkollës ndodhi me një plan të padetajuar mirë dhe situata është shumë problematike. Kemi goxha shkolla që kanë mësues me Covid. Në shkollën e mesme të Bashkuar në Vaun e Dejës është drejtoresha dhe dy mësues. Tamponimi nuk i është bërë të gjithë mësuesve por vetëm gjysmës së kolektivit. Në Elbasan, te “Kristoforidhi” është e infektuar nën drejtoresha dhe një sanitare. Kolektivit dhe asnjë nxënësi nuk i është bërë tamponimi. Kemi një mungesë të theksuar të situatës dhe ne mendojmë që nuk është vonë që Qeveria dhe Ministria e Arsimit të marrin masat e riparimit të situatës.
Në Korçë nuk ka termometra dhe maska nëpër shkolla. Në Vau-Dejes nxënësit pastrojnë klasat vetë, nuk bëhet dezinfektimi i klasave. Mjafton të shikoni rreth shkollave të Tiranës turma të mëdha të njerëzve, prindërve, nxënësve”, u shpreh ai.