“BESA” nis nga Zvërneci.
Mediat kanë siguruar detaje nga dokumenti i kryeministrit Edi Rama për vizionin e ri qeverisës të mandatit të katërt.
Dhe pikërisht, reflektimi nis nga arsyeja e nisjes së protestës së bulevardit, projekti i dhendrit te Presidentit te SHBA, Jared Kushner në Zvërnec.
Sipas dokumentit Besa, Zvërneci do të jetë testi i parë i metodës së re qeverisëse. Do të fillojë me një proces të plotë dëgjimi dhe shpjegimi për projektin, përpara se të merret vendimi.
Alternativat sipas dokumentit për projektin e Zvërnecit, janë vazhdimi me garanci, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi, sipas asaj që lejojnë ligji, kontratat dhe provat.
Përpara nisjes së kësaj metode për Zvërnecin, miratohet një mandat i posaçëm zbatimi që përcakton: institucionin përgjegjës; bazën ligjore; dokumentet që mund të publikohen dhe kufizimet e ligjshme të konfidencialitetit; procedurën transparente për përzgjedhjen e ekspertëve; trajtimin e konfliktit të interesit; dhe marrëdhënien e testit me proceset administrative ose kontraktore në zhvillim.
Procesi për Zvërnecin do të zgjasë 90 ditë ose 3 muaj. Brenda këtij afati përfundojnë dëgjesa, hapja e dokumentacionit të publikueshëm, vlerësimi paraprak dhe vendimi i arsyetuar për hapat pasues.
Jo vetëm kaq. Gjithë procesi do të jetë plotësisht transparent, me një njësi dixhitale pranë kryeministrisë që do të quhet Flaming Mirror, ose shqip Pasqyra e Flamingove ku do të shfaqet në kohë reale gjithë ky proces.
Për këtë proces do të vendosen në funksion 7 mekanizma.
1.Duke filluar me vlerësimin e degjësës. Dëgjesë e strukturuar në Vlorë dhe jo vetëm, me banorët, peshkatarët, studentët, shkencëtarët, sipërmarrjet e zonës, grupet që protestuan. Jo shfaqje mediatike, po tryeza dëgjimore të regjistruara për arkivën e Flamingo Mirror dhe me raport të shkruar publik mbi çfarë u tha.
Dosja e Evidencës: Vlerësim i pavarur i ndikimit mjedisor dhe ekonomik, me standarde ndërkombëtare dhe ekspertizë të jashtme të përzgjedhur përmes një procedure transparente. Publikohen kontratat, vendimmarrja dhe dokumentet vlerësuese në masën që lejon ligji, duke shpjeguar çdo kufizim. Asnjë vendim i ri i pakthyeshëm nuk merret përpara shqyrtimit të evidencës së plotë, përveçse kur një detyrim ligjor ose kontraktor kërkon ndryshe dhe kjo bëhet publike.
Memorandumi Shpjegues: Dokumenti i parë i shkurtër i Metodës BESA i kushtohet kësaj dosjeje: çfarë po vendoset, si, nga kush, me çfarë afatesh dhe si mund të ndiqet publikisht çdo hap.
Indeksi i Kujdesit: Vjosë-Narta regjistrohet si aseti i parë publik me standard kujdesi sipas kësaj metode, me gjendje të dokumentuar dhe përgjegjësi institucionale të qartë, pavarësisht se çfarë vendoset për projektin.
Paneli i Performancës: Çdo zotim publik i dhënë për këtë dosje regjistrohet me afat dhe status, i dukshëm për këdo. Fjala e dhënë për Nartë-Vjosën bëhet e kontrollueshme.
6.Rishikimi Pas Veprimit: Analizë pa paragjykim dhe pa kërkim ritual fajtorësh e mënyrës si u lexuan sinjalet përpara qershorit: çfarë u dëgjua, çfarë jo dhe pse. Procesi i mësimit nuk pengon përgjegjësinë administrative, kontraktore ose ligjore aty ku ajo provohet.
Paralajmërimi i Hershëm: Dosja Vjosë-Narta bëhet rast mësimor i sistemit: cilat sinjale ekzistonin, ku u ndërprenë, dhe çfarë duhet të kapë sistemi herën tjetër, kohë përpara se sa një problem të kthehet në një shqetësim dhe shqetësimi të bëhet bulevard.
Dhe për të gjitha këto do të shërbejë Flaming Mirror, platforma dygjuhëshe, ku do të mblidhen gjithë rezultatet e këtyre 7 mekanizmave dhe pas 90 ditësh do të dilet me një raport përfundimtar për projektin e Zvërnecit. Për të vendosur përfundimisht mbi të ardhmen e atij investimi.
Zvërneci do të jetë vetëm testi i parë dhe është veç fillimi, flamingo mirror do të funksionojë për çdo dosje të madhe me rëndësi për opinionin publik në Shqipëri.
