Për të luftuar korrupsionin dhe rritur transparencën, qeveria ka miratuar në qershor të vitit 2016 ligjin për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e tyre. Një praktikë e zbatuar në shumë vende perëndimore, ku një nëpunës i sektorit publik apo privat denoncon një praktikë korrupsioni.
Por Shqipëria ka bërë vetëm hapin e parë, me miratimin e këtij ligji. Zbatimi i tij në një vend me demokraci të brishtë, mesa duket ka mbetur në klasë. Komiteti Shqiptar i Helsinkit raporton se në 3 vite në 11 ministri është regjistruar vetëm 1 rast dhe ai ka zgjedhur të jetë i jashtëm. Ekspertët rendisin një sërë arsyesh që çojnë në moszbatimin e këtij ligji, ndër to spikat frika nga hakmarrja.
Ligji me numër 60 i vitit 2016 “Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve” u miratua më 2 Qershor 2016 dhe i ka shtrirë efektet e tij juridike që nga 1 tetori i po atij viti.
Ligji ka për qëllim goditjen e korrupsionit në sektorin publik dhe privat si dhe mbrojtjen e individëve që sinjalizojnë një praktikë korrupsioni. “Sinjalizuesit” janë personat që kanë aplikuar ose janë në marrëdhënie pune pranë institucionit publik ose subjektit privat për të cilin raportojnë një veprim të dyshuar korruptiv.
Pavarësisht se ligji ka hyrë në fuqi që prej vitit 2016, ka ende shumë punë për të bërë për të arritur rezultatet konkrete dhe qëllimin e këtij ligji: parandalimin dhe goditjen e korrupsionit në sektorin publik dhe privat.
Sinjalizimi i brendshëm realizohet në institucionin ku sinjalizuesi është i punësuar, ndërsa sinjalizimi i jashtëm pranë ILDKPKI. Në ligjin shqiptar për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesit, në të dyja këto raste sinjalizuesi gëzon mbrojtjen, ndërsa e humbet atë kur sinjalizimi bëhet publik, siç përcaktohet në nenin 8 të ligjit për sinjalizuesit.
Kjo bie në kundërshtim me praktikën ndërkombëtare, të BE, përfshirë edhe atë të Kosovës, në të cilën njihen dhe mbrohen të treja praktikat e sinjalizimit: sinjalizimi i brendshëm, i jashtëm dhe publik.
Individi që zbulon korrupsionin brenda institucionit publik apo privat shpesh përballet me mosbesim, urrejtje, kundërshtime, hakmarrje dhe masa që kufizojnë mundësitë, të drejtat dhe pozicionet e tij. Mungesa e dëshirës për të zbuluar një të vërtetë ka disa arsye, që variojnë nga frika kolektive e pasojave të zbulimit, në mungesën e thjeshtë të interesit për të zbuluar të vërtetën.
Është tepër e vështirë që të thyhet heshtja dhe të nxirret informacioni duke ditur që ky veprim do të dëmtojë seriozisht reputacionin, marrëdhënien bashkëpunuese, miqësinë, besimin e të tjerëve, pozicionin dhe funksionin brenda organizatës që ndoshta mund të ketë edhe dëme financiare për raportuesin.
Raportuesi ka nevojë për ndihmë për të tejkaluar pasojat e veprimeve hakmarrëse që vijnë si rezultat i zbulimit dhe raportimit të veprimit apo praktikës së korrupsionit brenda organizatës.
Objekt i sinjalizimit janë veprime apo praktika të dyshuara korrupsioni që konsistojnë në veprime ose mosveprime, fakte apo rrethana, të kryera në një organizatë, për të cilat sinjalizuesi dyshon në mirëbesim, sipas këtij ligji, se mund të përbëjë vepër penale të korrupsionit.
Sinjalizues është çdo individ i cili është në marrëdhënie pune apo ka punuar më parë pranë autoritetit publik apo subjektit privat, pavarësisht nga natyra e marrëdhënies së punës apo kohëzgjatjes së saj, si dhe nëse paguhet ose jo dhe sinjalizon mbi fakte apo rrethana për të cilat vihet në dijeni gjatë punës apo në lidhje me veprimtarinë e tij të punës pranë organizatës.
Projektligji sanksionon të drejtat e sinjalizuesit, si e drejta e konfidencialitetit gjatë procesit të sinjalizimit; ruajtja e konfidencialitetit të burimit të informacionit; ruajtja e sekretit shtetëror dhe mbrojtja kundër hakmarrjes.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.