Prej disa ditësh Lulzim Basha përpiqet të mbrohet nga një kameraman amator nga Kosova, i cili e akuzon se i ka zhdukur kasetën, me të cilën ai regjistroi një nga masakrat më të tmerrshme në Krushë të Kosovës, ku janë vrarë 350 burra dhe djem nga ushtria serbe.
Pasi mohoi se nuk kishte punuar kurrë me antropologun e eshtrave Jose Pablo Baraybar, ndërkohë që u provua me dokumenta se ka qënë në stafin e tij gjatë hetimeve kundër UÇK në Kukës, Basha ju hodh në fyt të shkretit Milaim Bellanica, duke e akuzuar për gënjeshtar.
Së fundi, mediat dashamirëse të Lulit kërkuan të bindin veten, se kaseta për të cilën akuzohet Lul Basha, është marrë nga Dashamir Peza, kur ky i fundit ka qënë përkthyes i BBC.
Për fat të keq, mediat dashamirëse kanë rënë në kurthin e Dashit, sepse duke i besuar Milaimit kur akuzon Dash Pezën, në fakt kanë pranuar se ai thotë të vërtetën edhe për Lul Bashën.
Dhe në fakt Milaimi ka të drejtë në të dy rastet! Por, ndryshimi është ky…
Filmimet prej 2 minutash që mori Dash Peza, u transmetuan në BBC, kurse filmimet prej 45 minuta që mori Lul Basha u zhdukën dhe nuk u kthyen kurrë as në provë dhe as në akuzë.
Dash Peza i mori 2 minuta regjistrim si përkthyes i BBC-së dhe nuk i dha lekët qe i kishte premtuar, kurse Lul Basha si përkthyes i UNMIK, mori 45 minutat e plota të masakres së Krushës, pa i kthyer më kurrë.
Pra, Dashi zhduku paratë por e transmetoi maskrën në BBC, 2 minutëshin e vet, kurse Luli mori paratë e UNMIK dhe zhduku kasetën, duke ndihmuar që edhe sot pas 20 vitesh mos ketë asnjë serb të dënuar për masakrën e Krushës.
Kjo është diferenca mes dy përkthyesve nga Shqipëria.
Dashamir Peza punonte si privat per BBC-në, kurse Lulzim Basha punonte për një institution të OKB-së, me qëllim hetimin e krimeve serbe në Kosovë, ç’ka nuk ka ndodhur ende.
Dash Peza mbetet të shprehet për ç’ka thotë Milaim Bellanica për të, kurse Lulzim Basha përkthyesi i UNMIK dhe sot kryetari i PD, ka folur duke thënë se ai nuk e njeh fare Mialim Bellanicën.
Në fakt e njeh shumë mirë, sepse sapo e pranoi sot me gojën e mediave dashamirëse.
Lulzim Basha ka hyrë në një tokë të minuar, nga e cila mesa duket nuk do dalë dot pa plagë sepse kudo ku shkel, shpërthen një skandal. Çdo gënjeshtër që thotë, e ka një provë të cilën ai nuk e fshin dot.
Dhe te tjera priten…
Por ndryshe nga Dash Peza që edhe nëse gënjen është një qytetar privat, Lulzim Basha po shkallmon fushatën e tij sa herë gënjen.
I ka mbetur vetëm një rrugë, të pranojë se ia dha kasetën e masakrës UNMIK dhe më pas nuk e di ç’është bërë me të. Dhe natyrisht, t’i kërkojë ndjesë Milaim Bellanicës, të cilit ia zhduku masakrën sepse ka lindur gënjeshtar.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.