Ka prej kohësh, që dyshja Jozefina Topalli dhe Ridvan Bode janë kthyer në kundërshtarët më të ashpër ndaj liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.


Topalli dhe Bode, përfaqësojnë “çiftin” politik që kanë pasur më shumë pushtet në kohën e Sali Berishës në Partinë Demokratike. Njëra kryetare e Kuvendit dhe drejtuese politike në Shkodër e në gjithë veriun dhe Ridvan Bode, njeriu i dytë më i rëndësishëm në PD, sekretari i Përgjithshëm dhe njeriu më i rëndësishëm pas Berishës në qeverisjen 8 vjeçare dhe politikave në qarkun e Korçës.


Po si ka mundësi që këta kanë qenë nga akuzatorët më të egër të Lulzim Bashës, duke qenë njëkohësisht edhe bashkëpunëtorët më të afërt të Berishës? Përse doktori nuk i ka frenuar dot këto sulme? Apo edhe t’i zbusë sadopak?


Mundësia ka ekzistuar dhe ekziston gjithmonë. Mjafton një intervistë e zotit Berisha që të bëjë thirrje ish-ministrat e tij që të ndalin sulmet ndaj liderit të PD-së.


Qoftë edhe duke marrë ndonjë rol ndërmjetësimi, pasi doktori është aktiv në zhvillimet në Partinë Demokratike, duke qenë edhe pjesë e vendimmarrjeve të mëdha.


Por mediat që kanë ushqyer polemikën e ashpër të ish-kreut të Kuvendit dhe ish-ministrit të Financave, kanë dhënë disa herë një sinjal politik të qëndrimeve të tyre.


Edhe pse kanë mbështetur sulmet ndaj Bashës, ata kanë mbrojtur dhe përkrahur fuqishëm Berishën, berishizmin si ide, por edhe qëndrimet e ish-kryeministrit.


Po përse atëherë Bode dhe Topalli kanë qenë një pol pushteti agresiv ndaj Bashës, kur vetë Berisha e ka konsideruar veten në një llogore, edhe kur ka pasur qëndrime të ndryshme?


Pikërisht kjo strategji sulmi, nuk ka shkaktuar probleme thjesht në lidershipin e PD-së, pasi ka dhënë sinjale se nuk ka një qendër pushteti gravitacional, por ka dhënë të kuptojë se PD-ja e vjetër nuk e do PD-në aktuale, pra ka synuar ta shkatërrojë ekuilibrin edhe ashtu të brishtë të një opozite, që përballet me një pushtet të lidhur me një mijë fije të dyshimta.



Që Sali Berisha dhe Ridvan Bode ruajnë një marrëdhënie të mirë, këtë e shpjegon edhe fakti që të dy palët e ruajnë njëri-tjetrin dhe e shprehin respektin e ndërsjellë në mediat që ata kontrollojnë, por edhe në ndërhyrjen e Berishës që Ridvan Bode të bëhet anëtar i Këshillit Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.


Por nuk janë vetëm këto rastet, ku mund të thuash se ka një lidhje të fortë mes Berishës dhe dyshes Topalli-Bode. Këto lidhje në mos janë organike, janë logjikisht njerëzore e politike. Nuk do të duhej shumë përpjekje nga doktori për t’i heshtur, apo të paktën për t’i zbutur.


Normalisht do të mjaftonte një, ose disa sinjale. E në fakt doktori s’e ka bërë asnjëherë këtë.


Pasi zotit Berisha i intereson një lidership i PD-së jo i plotfuqishëm dhe më e rëndësishmja nën presion; nga e majta dhe e djathta, nga baza dhe superstruktura e vjetër.



Berisha nuk e do një “Lulzim Basha autonom”, por i pëlqen ta ketë në tryezë e në mos ta ndalojë, ta thojë si të vjetrit patriakalë që mos bëj këtë, mos bëj atë, kur e mira apo logjika kërkon një këshillë sesi ta bëjë diçka e jo të mos e bëjë diçka.