Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, shkeli sot Presidencën, 24 orë pasi zhvilloi një takim me Edi Ramën në Kryeministri.


Pas takimit të ambasadores së SHBA, nisi një riaktivizim i lëvizjes politik të opozitës së bashkuar. Kryemadhi shkoi në selinë blu dhe kjo e fundit bëri të ditur se nesër do të jetë në Këshillin Politik, me kusht që nëse Rama hap listat, kjo e fundit do të kërkojë hapjen e “5 qershorit” për të adresuar ato çështje që nuk u vendosën në marrëveshje, duke renditur problem që nga blerja e votës dhe garanci të tjera për një proces të  pa kontaminuar.


Po ç’farë tregojnë këto lëvizje? Në sa kemi informacion po bëhet fjalë për një “hapje të kutisë së pandorës” pra të marrëveshjes së 5 qershorit, si kundërpërgjigje të aktit të Edi Ramës për të hapur listat edhe për të mos lejuar koalicionin-tren.


Vetë Rama ka përsëritur sërish qëndrimin se nuk do të pranojë presion nga ana e PD-së, së cilës i bën thirrje të pranojë realitetin e ri, pra “opozitën parlamentare” si faktor politik.


Por në gjithë këtë lëvizje, cili është kuptimi i negociatave që po zhvillon Yuri Kim. Në ato pak rreshta që ambasada e SHBA i bëri të ditur dje për Top Channel, del qartë se Kim ka kërkuar miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit. Por, pas takimit Rama-Kim, kryeministri firmosi paktin me opozitën parlamentare, ku u vendos që të miratohet si paketë 5 qershori, duke premtuar hapjen e listave.



Mbrëmë nuk u fol gjë për heqjen e koalicioneve, të cilin as PD-ja nuk se e përmendi sot, por rriti stekën që nëse Rama kërkon të hapë 5 qershorin, atëherë hapja do të jetë edhe më e madhe.


Megjithatë, enigma e takimit të ambasadores së SHBA te Presidenti Meta, duket se synon që kreu i Shtetit, të mos pengojë një marrëveshje të mundshme Rama-Basha në këshillin politik apo edhe jashtë tij. Kryemadhi, pas takimit të ambasadores Kim në Presidencë ka dërguar në selinë blu jehonën e takimit.


Pas këtij zhvillimi, PD shpërndau dy sinjale: i pari që do të jetë nesër në këshillin politik, e dytë që nëse hapet “5 qershori”, ai duhet të hapet njëherë e mirë.


Po koalicionet? E vetmja pikë që nuk po flitet fare, siç duket në heshtje palët kanë rënë dakord të mos e prekin, ndaj PD nuk po e provokon Ramën, duke përmendur çështje krejt të tjera, me shpresën që në negociata të dalë vetëm më hapjen e pjesshme të listave. Po a parashikohet Rama? Një gjë në fakt duket hapur, po kërkon një pakt me Bashën, duke bërë presion me Murrizin e Hajdarin, natyrisht jo për listat, hapja e pjesshme e tyre nuk se përbën problem si për PS si për PD. Gjithçka po luhet për koalicionet, ndaj ka kaq heshtje.


©️Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.