Shumë pak gjëra u morën vesh për atë që është arritur apo jo një përparim në negociatat e zhvilluara sot në Këshillin politik.


Por nga deklaratat e protagonistëve, një sinjal paksa i qartë doli. Nga opozita jashtëparlamentare, e cila ka kërcënuar mazhorancën se nuk do të lejojë që të ecet drejt listave të hapura dhe heqjes së koalicioneve, nuk pati një kërcënim të ri.


Që do të thotë se ka një “armëpushim” qoftë edhe të shkurtër, nga ku palët, përkatësisht Lulzim Basha që nuk ishte në takim, apo edhe Ilir Meta, të absorbojnë mesazhet e kryeministrit.


Megjithatë, nga fjala e Gazmend Bardhit, doli një zhvillim dukshëm i rëndësishëm që mund të merret si tregues. Të paktën me atë ç;ka tha Bardhi, Edi Rama nuk ka shkuar në takim duke treguar “karotën”, pra duke ofruar, por duke nxjerrë “shkopin”.



Siç tha numri 2 i PD-së, “Kryeministri Edi Rama ka hapur sërish paketën e 5 qershorit, duke folur për komisionet e administrimit zgjedhor”. Pra për problemin e depolitizimit të komisioneve.


Siç edhe ka lajmëruar më parë, Rama, ka bërë të ditur se nëse PD-ja do të vijonte të kërkonte më shumë, atëherë PS do të rikthejë çështjen e rekomandimeve të ODIHR. Pra sipas Bardhit, kryeministri ka kërcënuar një tërheqje mbrapa. Po përse PD u soll urtë? Sipas gjasave, ngaqë ende janë në negociata, të cilat nuk mbyllen pa marrë verdiktin përfundimtar të Lulzim Bashës, që sipas gjasave do të shprehet nesër kur të kthehet në Tiranë.



Ka gjasa, që për këtë të ketë edhe një kanal ndërkombëtar, të paktën për këshillim nga palët, e sidomos nga PD, e cila po i jep shumë rëndësi riqepjes së relacioneve me SHBA e BE, pas një marrëdhënieje jo të mirë të shkaktuar nga djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale.


Kërcënimi i Ramës për rikthim në pikën zero nuk se është shumë i favorshëm për të pasi del “rruar qethur” nga i gjithë ky proces.


Megjithatë duket se ka një kod paksa të çuditshëm sinjalesh mes palëve, të cilat, Myslim Murrizi i cilësoi si “negociatat e bodrumit të Pallatit të Kongreseve, duke ju referuar bisedave që përfaqësuesit kanë bërë jashtë tryezës, në katin -1.


Sipas gjasave, sot Rama donte të testonte PD-në nëse ishte e gatshme për një hapje të paketës, nesër sipas gjasave kryeministri vjen me ofertat.


©️Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.