Ka një diskurs të çuditshëm nga një pjesë e aktorëve politikë që kanë qenë prej kohësh pjesë e “tavave” të pushteteve dhe të institucioneve.
Si nga e majta “relike” ashtu edhe nga e djathta e “lashtë” personazhe të ndryshëm, flasin për ndryshim, rrotacion, përmbysje gjeneratash, por në fund propozojnë veten si një alternativë e kësaj politike të re.
Në Partinë Demokratike, një shembull i kësaj logjike, duket se “shëndrrit” Zonja Jozefina Topalli, deputete e PD-së që nga viti 1996 deri në vitin 2017, kryetare e Komisionit të Ligjeve, nënkryetare Kuvendi, e më pas për dy mandate kryeparlamentare e vendit.
Sot, Topalli, apo shumë eksponentë “relike” kërkojnë ndryshim gjenerate politike, por këtë duhet ta nisin nga vetja. Po flitet për të larguar atë klasë që është në politikë që nga fillimi i shekullit XXI e ndërkohë kemi ende reminishenca të shekullit të XX.
E kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Topalli është një emër i rëndësishëm i Shkodrës, nga trashëgimia familjare, i përket një tradite të vjetër aristokrate. Por Jozefina nuk e ka përfaqësuar dënjësisht në politikë mbiemrin e familjes së saj. “Nxirre jashtë prej zhelesh” apo makiazhi me orë të tëra përpara se të dilte në konferencë për shtyp, do të mbahen mend për ish Kryetaren e Kuvendit.
Politikisht Jozefina Topalli nuk ka dhënë asgjë edhe për Shkodrën, përveçse i ngriti një mit vetes se pa të, Partia Demokratike humbiste në këtë qarkë. Në fakt koha tregoi krejt të kundërtën. Partia Demokratike është prezent në Shkodër me të njëjta rezultate kur ishte Topalli në pushtet.
Tani, nëse vërtetë Topalli mund të kërkonte një ndryshim gjeneratash politike brenda PD-së, duhet ta bënte në promovimin e figurave, apo me kërkesën që disa të vjetër të mos kandidojnë. Genc Ruli për shembull, i cili e bëri hapur shpalljen e tij për largimin final, bëri kërkesën që Sali Berisha të “largohet vetë që të mos e largojnë të tjerët”.
Ky po që ishte një qëndrim i guximshëm. Mund të jesh oponent i Lulzim Bashës, i cili realisht është drejtuesi i opozitës por që në fund, një politikan luajal nuk kërkon apo propogandon humbjen e PD-së, qoftë edhe pse nuk është brenda saj aktivisht. Dhe ndoshta në ndionjë parti të re brenda së djathtës; alternativat e “reja” duhet të kërkojnë kohezionin.
Nuk është ndonjë gjëmë se figurat e larguara nuk mund të riciklohen; në politologjinë botërore, kjo quhet dialektikë. Politikanët e vjetër i shërbejnë opinionit publik si analistë në media apo si profesorë të shkencave politike. Prandaj një vend në korridoret e universitetit, mund t’i shërbëj Topallit që të reflektojë dhe të shijojë njëkohësisht të gjitha benefitet që morri nga PD.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.