Një vit po ikën dhe një tjetër do vijë. Ky që po shënon ikjen kalendarike nuk la gjurmët e pritshme për shqiptarët. Të gjithë uruan dhe shpresuan se 365 ditët e 2022 do të ishin më të mira, por zhgënjimet ishin më shumë se prezent.
E para që zhgënjeu, në fakt, si përherë në këtë vend ishte politika. Opozita nuk e gjeti gjuhën e mirëkuptimit as në janar e shkurt, as në zgjedhjet e pjesshme të marsit edhe pse demokratët shpresuan shumë se kjo të paktën do të ndodhte deri në fund të vitit.
Por ja që viti iku dhe tjetri po troket. PD nuk është thjesht një parti e ndarë, por është e shqyer tashmë. Ishte preludi i një fundi që dukej qartë prej kohësh dhe shuarje e shpresës për çdo optimist që mund të ëndërronte ribashkimin dhe një PD të unifikuar si dikur dhe të gatshme për zgjedhjet që vijnë në vitin 2023.
Të thuash që PD është e ndarë, më shumë se një lajm, apo togfjalësh mediatik, duket një term modern, ku palët divorcohen me marrëveshje dhe me inventar, ku përcaktohet se çfarë i mbetet njërit dhe çfarë merr me vete tjetri.
Jo vetëm kaq! Shqiptarët pas dy viteve me pandeminë e Covid 19 shpresuan jo pak për një “shans të ri” mirëqënieje, por aspak! Lufta e Rusisë në Ukrainë ishin argumenti me zë dhe figurë nga çdo qeveritar në këtë vend, kur i duhej të jepte një përgjigje për çmimet e larta të produkteve ushqimore, apo naftës. Por, edhe kur bëhej fjalë për rrogat në vendnumëro, prapë në skenë dilte lufta mijëra kilometra larg Shqipërisë.
Por më shumë, sytë e shqiptarëve ishin drejtuar tek Drejtësia, e munguar për dekada të tëra, ose e dhënë gabim, në rastin më të keq edhe e vonuar. Me sy e veshë 12 muajt e vitit i orientuan shqiptarët tek SPAK, duke menduar se pandëshkueshmëria për të cilën flasin të gjithë ndërkombëtarët që shkelin në këtë vend do të fillonte të zinte vend në vitin që po lëmë pas. Por, as kjo! Të fortët nuk patën asnjë ndëshkim. Të pasurit nuk u trembën nga asgjë.
Pritej që Prokuroria Speciale të jepte shenja të qarta se nuk është një prokurori e politikës, as e partive, as e të majtës, as e të djathtës, por është një Prokurori Speciale antikorrupsion e Republikës së Shqipërisë, por e kundërta rezultoi e vërtetë. Mjafton të kujtosh që asnjë “peshk i madh” (me përjashtim të Lefter Kokës e Alqi Bllakos) nuk është arrestuar, apo hetuar.
Gjatë këtij viti kanë ndodhur disa gjëra për të cilat një parti në pushtet në nivel qendror dhe lokal nuk do të ishte shumë krenare. Për shembull një kryebashkiak është në burg për korrupsion. Një ish ministër është sërish në qeli për korrupsion, ndoshta nga më madhorët i akuzuar nga prokuroria. Dolën në fillim të dhënat e patronazhistëve, më pas shteti nuk ia doli dot të mbrojë të dhënat sensitive me pagat e as me targat.
E vetmja dritë në fund të tunelit ishte hapja e negociatave. Edhe kjo pas një faze absurde të bllokimit për shkak të vetos së vënë nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por gjithsesi mund të quhet një “provim i marrë” për vitin që po ikën.
Pra viti që po lëmë pas ishte një vit me plot sfida, vit me shumë peripeci për çdo shqiptar që jeton në këtë vend me sipërfaqje pak më shumë se 28 mijë kilometra katrorë.
Por nuk ka optimizëm të madh! Na pret edhe një vit i vështirë dhe duhen shtrënguar rripat edhe më shumë. As nga babagjyshi nuk mund të presim dhurata, sepse është kohë krize që vjen nga kilometra larg Shqipërisë dhe që e lidhin me luftën e Rusisë në Ukrainë.
Thonë që shpresa vdes e fundit dhe shqiptarët do shpresojnë për një vit të mbarë, vit me shumë punë dhe me shumë suksese. Por nëse bazohemi në atë çfarë deklaruan liderët politikë nuk jemi të sigurt se çfarë na pret.