Në Tropojë, zemra e gjallë e K’cimit dhe e identitetit shqiptar u ndez mbrëmë me një dritë arti dhe krenarie.

Koncerti Festiv për 1-vjetorin e futjes së “K’cimit të Tropojës” në UNESCO solli emocione, histori dhe dinjitet kombëtar.

Një vit më parë, ky vlerësim e vendosi Tropojën në hartën kulturore të njerëzimit, duke e bërë K’cimin një pasuri botërore të trashëgimisë jomateriale.

Artistë nga Tropoja, Deçani dhe Gjakova u bashkuan në një skenë të vetme, duke treguar se K’cimi është një formë e lashtë artistike që bashkon shqiptarët kudo.

Koncerti nisi me Himnin e K’cimit, interpretuar nga Ram Dollapaj, dhe vijoi me performanca të fuqishme: “Kcim Vendin”, vallet “Sup më sup si malet”, duetet me tupan, interpretimet e Sherif Margjekajt, Shaban Zenelajt, Mirjeta Celajt dhe kolazhi i fëmijëve të Ansamblit “Folk Trevar”.

Ndërkohë, grupi artistik i Deçanit solli motive që dëshmojnë se vallja është një pasuri e përbashkët e gjithë shqiptarëve, pavarësisht varianteve lokale.

Një nga momentet kryesore ishte fjala e Skënder Haklajt, Mjeshtër i Madh i Artit Popullor, nismëtari kryesor që çoi Kcimin në UNESCO. Ai theksoi besimin dhe përgjegjësinë që ky vlerësim sjell për brezat e ardhshëm.

Shoqata “K’cimi i Tropojës” propozoi që 4 dhjetori të shpallet ditë feste e K’cimit dhe që salla e kërcimit të pallatit të kulturës në Tropojë të mbajë emrin “K’cimi në UNESCO – Skënder Haklaj”, si shenjë nderimi për kontributin e tij.

Finalja e mbrëmjes u shndërrua në një akt madhështor: të gjithë artistët, nga të gjitha grupet pjesëmarrëse, u bashkuan në skenë nën tingujt e “1000 vjet valle Tropoje”. Salla u ngrit në këmbë, duke përcjellë mesazhin: Kultura jonë jeton, frymon, lulëzon dhe i përket botës

Top Channel