Mbase nuk ishte fort i nevojshëm, por nuk e di pse, edhe pse përgjatë viteve mund të kem parë dhjetra dokumentarë për atletin e kthyer në vrasës të gjykuar në të ashtuquajturin ‘gjyqi i shekullit’ dhe ekranizime dramatike të kësaj historie të pabesueshme, “American Manhunt:  O. J. Simpson” më gozhdoi sërish përpara ekranit, sepse kjo ngjarje është absolutisht tërheqëse, përpos viteve që kalojnë.

O.J.Simpson ishte një nga emrat më të njohur të futbollit amerikan (atij me topin me cepa) përpara së të kthehej në një nga imazhet më popullore të reklamave, filmave e në tërësi figurë përfaqësuese e amerikës së viteve 80-90. Publiku, jo vetëm ai amerikan, do të tronditej thellë që Simpson do të zgjohej një mëngjes i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe një burri tjetër (Nicole Brown Simpson, mama e dy fëmijëve të tij dhe Ron Goldman, të njohurit të saj, përkatësisht 35 dhe 26 vjeç . Jeta e tij nga nëpër filma deri në ato momente do të shndërrohej në një film.

Imazhet e Ford Bronco-s së bardhë në autostradat e Los Angeles, ndjekur nga dhjetra makina policie janë të denja për çdo film që kodrat e Hollywoodit kanë prodhuar. Krimi grotestk, po ashtu. Gjyqi më shumë se 3 muaj i gjatë i transmetuar live në televizion ishte një reality-show që barazon përmasat e atyre që do të vinin më vonë ne ekranet botërore si Big Brother, etj.

Seriali “American Crime Story: The People v. O.J. Simpson” dhe dokumentari fitues i çmimit Oscar “O.J.:Made In America” nga Ezra Edelman kanë shterruar çdo gjë që kishte ngelur pa u shterruar nga kjo ndodhi e që përfshiu të madh e të vogël rreth e qark amerikës dhe botës. Tre dekada më vonë “American Manhunt:  O. J. Simpson” sjell [shumë] pak gjëra të reja, por një formë shumë dinamike të tregimit të ngjarjes dhe me shumë protagonistë të ngjarjes, për të qartësuar publikun mbi pse-në e shpalljes së pafajshëm të Simpson edhe pse të gjitha rrugët të çonin tek ai.

Vrasjet e 12 Qershorit 1994 e kanë akoma efektin mbërthyes edhe pse mund t’i dish thuajse përmendësh detajet e ngjarjes. Edhe pse nuk ka de-facto asnjë provë të re që ka dalë ndërkohë, ky dokumentar i ri, gati 5 orë i gjatë, tregon në një formë tërheqëse dhe mbërthyese të gjithë historinë e krimit dhe gjykimit, jo vetëm atij që ndodhi brenda sallës së gjyqit.

Stilistika e dokumentarit e dallon atë duke energjizuar historinë edhe pse në dukje e gjatë, është një frymëmarrje e rrufeshme mbushur me informacion dhe emocion. Reflektimi i protagonistëve për gabimet dhe zgjedhjet e bëra në atë kohë gjithashtu hedh dritë mbi rezultatin e atyre ditëve frenetike. Po ashtu qasja kritike që dokumentari ka ndaj shoqërisë konsumiste amerikane dhe ndikimin që kjo pati në çështje kaq të rënda si kjo, si edhe lidhjet e shkurtra që u krijuan me apo pa të drejtë me plagë të rënda të popullit amerikan si rracizmi, i japin atij tharm.

Edhe pse faji nuk i hidhet një njeriu të vetëm, por kalon sa tek njëri tek tjetri, qëllimi i nxjerrjes së mësimeve prevalon gjatë katër episodeve.

Nëse me ato që kisha parë, mendjen e kisha mbledhur për O.J., ky film i ri nuk është se ndryshoi gjë në përfundimet e arritura, por sidoqoftë tregimi në këtë mënyrë të re të afashinon edhe njëherë nga fillimi duke të bërë ta shohësh me qejf edhe pse e di se çfarë do të ndodhë më pas.

Që prej daljes së tij në Janar vazhdon të jetë në Top 10 e titujve më të ndjekur në Netflix, që tregon dy gjëra: 1. Publiku nuk ngopet dot me këtë histori absurde; 2. Ata që nuk kanë ndjekur realizimet përpara këtij zbulojnë në mënyrë shumë të arrirë ngjarjen.

Edhe pse ‘O.J.: Made in America’ është në mendimin tim më lart se ky dokumentar i ri për Simpson, kjo mbase ndodh se ‘Manhunt’ vjen më pas dhe në një kuptim ri-paketon (edhe pse bukur) ato gjëra që [publiku] i di. Ama nuk gjen dot asgjë për t’i sharë. Gjithçka nga ky prodhim është i një niveli të lartë narrativ, vizual dhe grafik për t’u ndjekur me kërshëri nga fillimi deri në fund.

Janë të rralla historitë e tilla, ato me të cilat nuk ngopesh dot duke i parë dhe ri-parë. Kjo e O.J.Simpson është absolutisht njëra prej tyre.

Orenthal James Simpson u nda nga jeta në moshën 76 vjeçare në 10 Prill të 2024, pasi kaloi 33 vite mbas hekurave të burgut i dënuar në 2008 për vjedhje.