“DigitAlb”, në kuadër të kontributit për artin dhe kinematografinë, sjell pranë publikut shqiptar premierën e filmit “90 Minuta–Projekti Berlin”, me producent dhe aktor kryesor Blerim Destanin. Sot, premiera në kinemanë “Imperial”
Destani vjen me një histori psiko-triller
Blerim Destani rikthehet me një tjetër film shpërthyes të titulluar “90 Minuta–Projekti Berlin”. Këtë radhë ai nuk është vetëm personazhi kryesor, por edhe bashkëproducent me regjisorin e famshëm Ivo Trajkov. “90 Minuta–Projekti Berlin”, i sjellë në Tiranë nga “DigitAlb” dhe “Imperial Cinemas”, është një film “triller” ku në qendër të tij ka si protagonist Sebastianin (Blerim Destani), aktorin ambicioz me një të ardhme të suksesshme, por që nuk mund t’i gëzohet suksesit të tij, pasi ka mbetur pre e dhimbjes dhe hidhërimit nga humbja e të dashurës, Hannah (Nicolette Krebitz). Ai kërkon të hakmerret dhe për këtë ka përgatitur një plan të detajuar. “Gjahu” i tij është Guru (Udo Kier), udhëheqës manipulues i një sekti fetar, i cili kishte promovuar karrierën e Sebastianit në të shkuarën, me anë të mashtrimit, deri sa në fund arriti të manipulojë edhe të dashurën e tij, duke e çuar në vetëvrasje.
Për të realizuar filmin, Destani dhe Trajkov kishin në dispozicion vetëm pesë ditë, të cilat i shfrytëzuan në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për këtë flasin rezultatet: 90 minuta film pa asnjë ndërprerje nga skena në skenë.
Filmi i sjellë në Tiranë nga “DigitAlb” dhe “Imperial Cinemas”, është xhiruar në kryeqytetin gjerman dhe nuk zhvillohet në hapësirë të mbyllur, por në një qytet të hapur dhe vibrues, në të cilin kanë marrë pjesë edhe këmbësorë të rastit, që pa pasur asnjë informacion se në fakt rrugët dhe trotuaret ishin kthyer në shesh xhirimesh. Provat e filmit kanë zgjatur dy muaj e gjysmë, për të sjellë më vonë një akt të vetëm të fuqishëm kinematografik.
E veçanta e këtij filmi qëndron se në 90 minuta ka vetëm 5 prerje të skenave, të cilat, sipas mediave gjermane, janë të paperceptueshme nga publiku, madje edhe nga një pjesë e madhe e profesionistëve.
I gjithë subjekti është një aksion “psiko-triller”, i treguar në formën e një historie në kohë reale, duke përfshirë publikun si asnjëherë në veprimet dhe ankthin dramatik të heroit hakmarrës.
Filmi do të vazhdojë të shfaqet për dhjetë ditë në kinematë e rrjetit “Imperial”.
Ky film është shfaqur gjatë verës në kinematë gjermane dhe nuk ka kaluar pa u komentuar nga mediat. Gazeta “Morgen Post” shkruante se filmi “90 minuta” mund të klasifikohet bindshëm si “produksioni më i veçantë i zhanrit të filmave vërtet jo të lirë të Berlinit”. Më tej, gazeta e kishte vlerësuar filmin si “një akt i fuqishëm koreografik”, duke shpjeguar: “Trajkov dhe Destani, i cili është edhe ko-producent i filmit, kishin pesë ditë kohë në dispozicion. Por jo për një hapësirë të mbyllur, por për një qytet të hapur dhe vibrues, në të cilin kanë marrë pjesë edhe këmbësorë që s’kanë ditur gjë për xhirimin. Dy muaj e gjysmë janë bërë prova: një akt i vetëm i fuqishëm”.