Ne ende sot nuk kemi një antologji të tregimit shqip, para viteve ’90, por edhe pas këtyre viteve, për të parë emrat që na përfaqësojnë në këtë gjini, ashtu siç e kanë letërsi të tjera.


Alda Bardhyli


revista_saras_nr10_cover“Mund të shkruaj më lehtë një roman, sesa një tregim”. Alice Munro, fituese e çmimit “Nobel” në letërsi e njohur për forcën në tregimet e saj të shkurtra, do ta quajë tregimin si një gjendje gati-gati torturuese për shkrimtarin. “Unë përfshihem e gjitha, dhe gjithë ajo përfshirje mbaron për disa orë”, do të shprehej ajo. Nuk ka një kohë tjetër për të përfunduar një tregim sipas shkrimtares, tregimi nis e mbaron brenda kohës kur ulesh për të shkruar. Nuk është vetëm Munro ajo që e sheh tregimin si strukturën më të fortë me të cilën përballet një shkrimtar. Tregimtari i njohur italian në gjuhën shqipe, Dino Buzzati, shprehej se tregimi lindte vetëm nga një mendim. Përpara se të ulej ta shkruante, gjithçka kishte përfunduar në mendjen e tij. Në kohën kur Buzzati shkruante romani nuk kishte shkëlqimin e tanishëm dhe një libër me proza të shkurtra analizohej gjatë nga kritika. Por sa shkruhen tregime tani? A vazhdon kjo gjini letrare të jetë nga më të preferuarat sot nga autorët? Po nga lexuesi? Nëse hedhim një vështrim në librat më të vlerësuar letrarë sot në botë, apo titujt që çdo ditë hedhin në treg botuesit, do të shohim se tregimi nuk është në kohët e arta siç mund të ishte 3 dekada më parë. Librat më të shitur, por edhe librat që botohen nga shkrimtarë të njohur në botë, nuk janë më përmbledhje me tregime ose novela, por thjesht romane. A do të thotë kjo se frika e përballjes me atë strukturë të fortë, siç e quante Buzzati i ka bërë autorët të zgjedhin rrugën më të lehtë, duke humbur në rreshta pafund fjalësh? Në roman t’i mund t’i ikësh kritikës, e cila nuk ka kohë të analizojë tekstin siç mund ta bënte nëse ai ishte vetëm në dy-tri faqe letër…Në fakt, kriza që ka përfshirë sot jo vetëm kritikën letrare, por dhe letërsinë që çdo ditë e më tepër po humb drejt komercialitetit e ka bërë tregimin të jetë gati-gati i padukshëm në këtë realitet letrar. Ai vazhdon të zhvillohet në një traditë të unifikuar fort ndër vite, për të qenë aty si sfida të cilën duhet ta kalojë çdo autor serioz në botë. Por ndërsa në botë, tregimi vijon të botohet gjithnjë e më pak, çfarë ndodh me këtë gjini në Shqipëri? Tregimi do të linte si gjini në letrat shqipe që me shkrimet e para letrare. Pothuajse të gjithë autorët duke filluar nga De Rada apo Pjetër Budi do të zhvillonin në rritjen e tyre si autorë këtë gjini. Ai do të zhvillohej më së shumti si gjini pas periudhës së pavarësisë, ku letrarë si Dhimitër Shuteriqi, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare, Haki Stërmilli, Jakov Xoxa, Dhimitër Xhuvani, Dritëro Agolli etj., do të kalonin nga kjo strukturë për të mbërritur te romani. Revistat letrare të kohës, i jepnin më shumë hapësirë tregimit, duke e promovuar si gjini në numrat e tyre. Për vetë kohën kur u zhvillua tregimi shqip, pas periudhës së luftës, ai mori tiparet e një tregimi realist. Do të ishte fatale sot të kërkonim elementët modernë që u shfaqën herët p.sh në shtetin fqinj Italinë, që me Italo Svevon në tregimin shqip. Modelet që ofroheshin në ato pak përkthime që mund të vinin në shqip kishin të bënin me tregimin sovjetik ose klasik francez, i cili merrej më gjatë me përshkrimin e njeriut. Megjithatë, sot gati dy dekada pas rënies së komunizmit është ende e vështirë seleksionimi dhe përzgjedhja e tregimtarëve të vërtetë të kohës. Në një sistem ishte e pamundur që shkrimtarët të mos përfshiheshin në shërbim të kauzës, tregimi ashtu si gjinitë e tjera të artit do të jepte shpirtin e kohës. Do ishte e padrejtë të hiqnim kontributin në këtë gjini të personazheve që sot identifikohen me rolin që kanë pasur në strukturat e kohës, dhe jo produktin artistik. I tillë është Anastas Kondo, ish-student në Shën Petërburg për inxhinieri, por që pasion do të kishte letërsinë. Kondo ka mbajtur poste të rëndësishme në shërbim të diktaturës, por duke lënë mënjanë përfshirjen e tij në shërbim të komunizmit, nëse shfleton revistat e kohës, Anastas Kondo shfaqet si një tregimtar mjaft modern për kohën. Disa nga vëllimet me tregime të botuara prej tij janë “Ura” “Kur mbaron e vdes burri”, “Portat e diellit”, “Pse e vranë Odisenë”, “Kio”, “Njerëz dhe gurë”, “Kur zbardhi një ditë” etj. Joshja e parë ndaj letërsisë së tij, e cila sot ka mbetur e mbyllur në sirtarët e Bibliotekës Kombëtare si shumë emra të tjerë të kohës, ka qenë leximi në një revistë letrare e një tregimi mbi vajzën kineze. Ka shumë botë në tregimin e Kondos, i cili duket se zotëron më së miri këtë gjini. Ismail Kadare është padyshim jo vetëm një nga romancierët më të mirë të këtij shekulli, por dhe një tregimtar i madh. Në letërsi, ai hyri fillimisht me vëllime me poezi për të kaluar më pas te tregimi, një formë letrare të cilën e ka vazhduar deri vonë. Dy vjet më parë, ai do të botonte sërish një përmbledhje me tregime dhe novela. Teodor Laço apo Zija Çela janë sërish dy autorë që i kanë kushtuar vëmendje tregimit. Është një tjetër autor që i ka kushtuar gati 6 libra kësaj gjinie duke nisur nga viti 1976. Ai është Nasi Lera. “Era e pishave” është vëllimi i tij i parë me tregime, për të vazhduar deri me “Ulërima e heshtur” më 1996. Agim Isaku, Kiço Blushi, Vera Isaku, Zyhdi Morava etj., janë të tjerë autorë që iu bashkuan kësaj gjinie pas viteve ’70. Do të duheshin dhjetëra faqe për të shpjeguar tregimin shqip përgjatë 50 viteve të diktaturës. Pavarësisht shtratit që gjeti për t’u krijuar, moria e librave të botuara në këtë gjini, tregojnë dhe seriozitetin me të cilën merrej në atë kohë letërsia. Pas viteve ’90, por edhe më herët të tjerë prozatorë lëvruan tregimin. Ka një fluks të botimeve në këtë gjini në dekadën e parë pas rënies së komunizmit, më pas është romani ai që mbizotëron tregun. Lazër Stani, Ramiz Gjini, Flutura Açka, Bashkim Shehu, Faruk Myrtaj, Vera Bekteshi, Pirro Verushi etj., kanë vazhduar të shkruajnë në këtë gjini. Sigurisht që ka të tjerë autorë që kanë lëvruar tregimin në këto vite, autorë që për shkak të kaosit që ka përfshirë fushën e botimeve në vend janë të vështirë të identifikohen. Por ndërsa Bukowski deri në fund të jetës mendonte se kohët e tij të arta ishin ato kur shkruante tregime dhe vazhdonte të blinte libra të Çehovit, për vetë mjeshtërinë me të cilën e shkruan tregimin, duket se kriza shoqërore shihet në një ikje që çdo ditë e më tepër letërsia i bën tregimit. Ne ende sot nuk kemi një antologji të plotë të tregimit shqip, para viteve ’90, por edhe pas këtyre viteve, për të parë emrat që na përfaqësojnë në këtë gjini, ashtu siç e kanë letërsi të tjera.


www.revistasaras.al


Faruk Myrtaj


Njerëzit janë tepër


Faruk_Myrtaj_lajm_26_shtator“E kisha puthur Elisën! Fare pa dashje, nëse edhe puthja qenka një gabim, faj apo krim…”, kështu e nis Faruk Myrtaj tregimin “Kishte ndodhur puthja”, pjesë e vëllimit me tregime “Njerëzit janë tepër” botuar në vitin 2000 nga shtëpia botuese “Vatra”. I njohur për prozën e tij dhe para viteve ’90 Faruk Myrtaj ka një zë të tijin në tregimin shqip. Një zë i mbuluar këto kohë nga një heshtje, që ka përfshirë në një farë mënyre dhe autorë të tjerë të letërsisë shqipe. Myrtaj do ta botojë librin e parë me tregime në vitin “1987”, për të vijuar me këtë gjini dhe me dy botime të tjera para se të mbërrijë te libri që hapet me tregimin mbi Elisën. Është “Njerëz që kam njohur” më 1987, dhe “Marrëveshja për të jetuar” 1990 dhe “Nudo zyrtare” më 1996. Ky i fundit do të fitonte dhe çmimin “Libri më i mirë me tregime për vitin 1996”, akorduar nga Ministria e Kulturës, një vit më vonë.


Vath Koreshi

Vath-KoreshiNuk mund të flitet për tregimin shqip pa përmendur emrin e Vath Koreshit. I konsideruar si mjeshtër i tregimit, Koreshi është i ndjeshëm si rrëfimtar, duke i besuar zemrës. Librin e tij të parë me tregime do ta botonte në vitin 1964 “Kur zunë shirat e vjeshtës”, për të ardhur 8 vite më vonë me “Dy të shtunat e Suzanës”. Duke lëvruar më vonë dhe novelën e gjatë dhe romanin, Koreshi do të mbeste një rrëfimtar magjik në letërsinë që shkroi. Hulumtues i thellë i marrëdhënieve njerëzore subjektet që zgjidhte për tregime, shpesh ishin si lirika të bukura dashurie. “Matanë dritares shuhej drita e një dite të shkurtër dimri, ai po thoshte se nga çfarë malli përbëhej ajo mbrëmje me atë perëndim dielli atje larg dhe me përhimjen e drurëve të kopshtit të vjetër, që dukeshin si të mekur nga një heshtje vetmitare? Në parvazin me vazo begonjash kishte vënë gotën e vogël me çinzano dhe, ndërsa rrinte në këmbë dhe shihte matanë, sillte ndërmend një ndajnatë të hirtë të një dimri të largët…”, shkruan ai në tregimin “Gota me çinzano”.


Lazër Stani, tregimtari i përjetshëm


Lazer-Stani“Tregimi është një gjini e ndërmjetme. Është një gjini ku unë kam gjetur shprehjen time më të mirë letrare. Është një gjë që nuk mendohet gjatë, shkruhet shpejt. Rishkruhet prapë shpejt. Është i afërt me poezinë në shumë momente, si dhe i afërt me rrëfimin e historive. Në përgjithësi nuk i kam pasur kurrë qejf as njerëzit që rrëfejnë gjatë e as ata që flasin gjatë sepse, siç thotë Borgesi: një gjë që mund ta thuash me 10 faqe është marrëzi ta thuash me 400. Edhe në natyrë është një ligj fizike që trupat, në një vëllim sa më të vogël përpiqen të fusin një masë sa më të madhe. Pra një tregim mund të vlejë sa një roman”.