Ekspozita
Çamëria, vendi i origjinës ka qenë gjithnjë frymëzues për piktorin tashmë dhe zv/ministrin e Kulturës, Abaz Hado. Një histori, që është shoqëruar me momente të forta tragjike, e cila mbart me vete fate njerëzish të ndarë, dëshirën për të shkelur në tokat e të parëve, një histori që duket sikur nuk mbaron me dhembjen që mbart, e ka bërë Hadon të hedhë në grafika gjithë këto ndjesi. Si mjeshtër i grafikës, përmes personazheve apo peizazheve të krijuara, ai të jep një tablo të vërtetë të asaj bote, që e ka quajtur thjesht “Çamëria jonë”. 30 punime, të realizuara muajt e fundit, që tregojnë historinë e një populli që u dëbua padrejtësisht nga vendi i tij, dhe mallin për t’u kthyer sërish atje nga pasardhësit që vijojnë të jetojnë me atë ëndërr, Hado i ka prezantuar në ekspozitën që u hap dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Të gjitha veprat përshkruhen nga ndjesi të larta artistike. Krahas anës së gjenocidit, artisti paraqet dhe disa pamje të qyteteve shqiptare të Çamërisë, ku bukuria e kësaj krahine dallon për veçorinë e dritës. Ekspozita është e para e këtij lloji, jo vetëm në përmbajtjen e saj, por dhe për shprehjet origjinale të një grafike dinamike, me teknika që i japin asaj frymë dhe konceptim modern. “Pikturat përmbajnë momente të forta që burojnë nga ajo tragjedi historike, ku pabesia dhe ‘kali i Trojës’ janë prezente me mesazhe të forta artistike me fuqi frymëzuese”, u shpreh Hado. Pas MHK-së, ekspozita do të çelet në qytetin e Fierit, Durrësit, Beratit, Vlorës, Sarandës etj. Abaz Hado është një emër i njohur në pikturën shqiptare. Ai ka hapur mbi 10 ekspozita personale.