Kush nuk plotëson performancën, ulet në detyrë ose largohet
Lorina Mixha
Në muajin tetor, në Bashkisë e Tiranës, në administratën më të madhe vendore në vend, nisin testimet vjetore.
Këto “provime” parashikohen në Kodin e Punës, si dhe janë pjesë e rregullores së administratës vendore, për të kontrolluar dijet dhe performancën e punës së bërë nga specialistë, përgjegjës sektorësh, si edhe drejtorë drejtorish.
Një vit më parë, këtë testim e bënë të gjithë punonjësit dhe për shkak të mospërmbushjes së kërkesave dhe kritereve të institucionit, për shkak të pikëve të ulëta të marra në testim dhe disa edhe për shkak se kishin marrë masa administrative, u detyruan të largoheshin nga puna apo në rastin më të mirë të uleshin në detyrë, duke marrë kështu ½ e pagës mujore që merrnin më parë.
Këtë vit, Bashkia e Tiranës ka deklaruar zyrtarisht se testimet do të fillojnë në muajin tetor dhe njoftimet, datat e testimeve dhe të gjitha modalitetet do të paraqiten përpara punonjësve në avancë.
Vlerësimi i punonjësve
Testimi i punonjësve, që në rregullat e administratës publike njihet si vlerësim i punonjësve, bëhet për të parë arritjet dhe zhvillimin e performancës dhe rezultatet e dhëna në punë nga secili specialist, përgjegjës apo drejtor.
Kështu, në rast se vlerësimi i punonjësit është i lartë, atëherë ai ka shtesë page, në rast se vlerësimi është i dobët, e madje me të punonjësi nuk arrin as të kualifikohet, rrezikon uljen në detyrë, për të mos thënë largimin nga puna, në rast se ka edhe një masë administrative. Testimet bëhen një herë në vit.
Punën e një nëpunësi, i cili kryen funksionet e tij sipas përshkrimit të punës dhe sipas strukturës dhe organigramës së bashkisë, mund ta vlerësojë një shef, drejtues, apo përgjegjës sektori që ka më shumë se gjashtë muaj që kontrollon, udhëheq dhe bashkërendon punën e nëpunësit.
Administrata
Në kohën e ish-kryetarit Edi Rama, rreth 2/3 e punonjësve, përkatësisht 431 nëpunës, mbroheshin nga statusi i nëpunësit civil. Me ndryshimet që u bënë në organigramën e Bashkisë Tiranë, administrata u shtua edhe më shumë, me gati mbi 100 punonjës, duke pasur parasysh këtu që u shtua edhe struktura e Agjencisë së Konsumatorit, drejtori të reja dhe u shtuan specialistë në drejtori ekzistuese.
Mbi 300 punonjës të bashkisë u zëvendësuan brenda gjysmës së mandatit të kreut të bashkisë, Lulzim Basha. Një pjesë e tyre u larguan, për shkak të vlerësimit të dobët në punë, si dhe masave administrative.
Vlerësimet
Në rast se vlerësimi i punonjësve është me nota negative, njësoj si në shkollë, atëherë duhet vetëm një masë që ai të largohet nga puna, kjo përcaktohet kryesisht nga shefi
Rritja
Në rast se vlerësimet janë pozitive atëherë punonjësi ka mundësi të rritet në detyrë. Në të kundërt ai mund të ulet ose të shkëpusë marrëdhëniet me institucionin
Pikëzimi
Një mënyrë e sjellshme për të bërë ndryshime
Sistemi i pikëzimit, vlerësimit apo testimit është parë në përvojë se shërben shumë mirë si një mënyrë e sjellshme për të ulur në detyrë disa punonjës, për të promovuar të tjerë, për të emëruar e për të larguar punonjës. Në administratën qendrore testimet dhe vlerësimet shpesh janë bërë për t’u dhënë të gjithë punëkërkuesve një mundësi për të punuar në administratë me kontratë të përkohshme apo të përhershme.
Një vit më parë, testimi shërbeu si provë dhe dokument për justifikimet e largimeve nga puna të ish-punonjësve të Ramës.