Agim Rada Requiem, dokumentari që sjell jetën dhe krijimtarinë e rrallë të një skulptorit që për rreth pesë dekada gdhendi në baltë e bronz mendimtarë të shquar të kombit si Marin Barleti, Gjergj Elez Alia, Onufri, Petro Marko, Mid’hat Frashëri, Lasgush Poradeci, u transmetua sonte në Top Channel.
Dokumentari i regjisorit Namik Ajazi, në bashkëpunim me Top Channel Films zbulon të pathënat e karrierës së Radës, që nuk e lëshoi daltën deri në frymën e fundit, pavarësisht sëmundjes e gjendjes së rënduar shëndetësore.
Miqtë dhe kolegët rrëfejnë në këtë dokumentar in memorium talentin e rrallë të Agim Radës e mbi të gjitha për shpirtin e tij të lirë e rebel dhe batutën që nuk i mungoi kurrë as në ditët më të errëta gjatë regjimit komunist. Kryeministri Rama shprehet se Agim Rada nuk i tha kurrë për sëmundjen që po e mposhte dita ditës.
“Nuk ma tha që ishte me kancer, por e mora vesh nga Dritan Gremi. Ka qenë vëlla, djalë, shok, në mënyrë më të jashtëzakonshme. Ne filluam kontakte, e lidha me një mikun tim që bën terapi alternative. Kishte momente që bëhej shumë mirë. Fliste me shumë pasion për shtëpinë në Petrelë”-tregoi ndër të tjera Rama.
“Gimi kaloi kovidin dhe kishte një kollë që nuk më pëlqeu. Jam ftohur tha do pi çaj. Kur bëri këtë shtëpinë, thoshte tani do mblidhemi bashkë. Deri në fund qëndroi me energji të paparë. Edhe minuti i dukej i gjatë. Nuk u dorëzua një sekondë. Nuk ra jë krevat një sekondë“-tregon Fatmira Mehmeti Rada.
“E quaj te lumtur atë njeri që ka vdekur me daltë në dorë”-shprehet miku i tij Nazmi Hoxha.
“Kishte shumë vepra, shumë projekte. E pranoi por nuk iu dorëzua aspak sëmundjes. Ka qenë i lidhur me njerëzit e vuajtur, me realitetin. E ka dashur dheun e Shqipërisë me shpirt“-tregon Sali Allmuça.
Krijimtaria e skulptorit është Testament për vendin dhe siç thonë personazhet e dokumentarit, Rada frymon në zemrat e çdo qyteti ku veprat e tij mbajnë peshën e historisë.
