Festivali i Dramës 


Ligoraq Riza: Do të punoja sërish mbi Kutelin


Ligoraq Riza“E madhe është gjëma e mëkatit”, vepra e Mitrush Kutelit, e përshtatur për teatër, ka qenë pjesa me të cilën teatri i Korçës “Andon Zako Çajupi” është përfaqësuar mbrëmjen e së mërkurës në Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe. E përshtatur dhe interpretuar nga aktori Ligoraq Riza, me regji të Adonis Filipit, kjo vënie skenike është veçuar ndër të tjerë pjesëmarrës nga kritikët. Në tryezën e organizuar dje në Teatrin Kombëtar, ndonëse me pjesëmarrjen e pak specialistëve të teatrit, komentet kanë shkuar si për përshtatjen, interpretimin dhe këndvështrimin regjisorial të veprës. Tat Tanushi, një ilir që dashuron, mëkaton, që ndëshkohet nga Zoti me pavdekësi, vjen natyrshëm në interpretimin e Ligoraq Rizës. Pikërisht për këtë rol, dy vjet më parë, në Festivalin e Aktrimit në Fier, Riza u kurorëzua me “Apollon 2010”. Pa anashkaluar shqipen e Mitrush Kutelit në këtë vepër që kritiku i teatrit Josif Papagjoni e quajti kryeveprën e tij, theksoi lojën e zgjuar dhe inteligjente të Ligoraq Rizës. “Në këtë interpretim, Ligoraq Riza nuk kërcet, nuk rreket të mbivendoset mbi tekstin brilant të Kutelit, por interpretimi i tij vjen natyror për të qenë rrëfyes i Tanushit. Interpretimi është tokësor dhe ka qasjen e duhur humane ndaj këtij arketipi të ilirit”, ka theksuar Papagjoni. Aktori Albert Verria, i pranishëm në këtë festival, u shpreh se kjo ishte hera e tretë që e shihte shfaqjen. “Këtij tregimi të një autori aq të dashur, të shkruar bukur artistikisht, i është bërë një redaktim i shkrirë në mënyrë organike. Tek unë si spektator edhe Tanushi dhe Kalia më kanë ardhur në mënyrë vizuale, sikur i shoh të gjallë”, ka thënë Verria. Ndonëse në përcaktim kjo pjesë konsiderohet si monodramë, vetë aktori, por edhe kritikët e pranishëm, kanë preferuar të mos e fusin brenda këtyre kornizave. E megjithatë, Ligoraq Riza ka punuar gjatë me Mitrush Kutelin. “Unë e njoh Kutelin prej vitesh si autor. Ajo që më shtyu drejt kësaj vepre është cilësia e padiskutueshme e saj, një nga veprat më madhore të Kutelit. Më është dashur një punë shumë e madhe për ta përshtatur për skenë, sepse kjo novelë është një mrekulli ashtu siç është, por skena ka të tjera parametra dhe më është dashur të punoj për një kohë të gjatë. Personazhi ka kaluar në disa sita deri sa erdhi në trajtën përfundimtare”, thekson Riza. Të pranishmit e konsideruan si rolin e tij më të mirë të deritanishëm, por aktori mendon më tej për pritshmëritë e publikut. “Nëse ke bërë dy-tri role të mira, publiku pret që të bësh akoma edhe më mirë”, thotë ai. Në fakt, angazhimi më i afërt është një rol në veprën e Namik Dokles, ndërsa në projekt (gjithnjë për t’u përballuar fillimisht mundësitë e financimit) është një monodramë ruse, e përkthyer për të nga kolegu dhe miku Mario Ashiku. I angazhuar prej vitesh në Teatrin e Korçës, Riza e sheh atë si pararojë në veprimtarinë teatrore krahasuar me rrethet e tjera, kjo për hir të traditës, të mbështetjes financiare nga bashkia dhe të një dëshire të publikut korçar. Po a do të punonte sërish për një përshtatje mbi Kutelin? “Unë kam dëshirë të punoj. Jam në tentativë, për të mos thënë që e kam punuar dhe e kam sjellë në trajtën e një monodrame ‘Vjeshtën e Xheladin Beut’. Për momentin kjo mbetet një dëshirë, sepse duhet të krijohen kushtet e mundësitë”, thekson Riza. Nëse Festivali i Dramës Shqipe në fund do të ndante çmime, gjë që nuk do të ndodhë, Riza me Tat Tanushin e tij e të Kutelit, do të ishte një pretendent i fortë.