Historia e djaloshit të imamit nga Shkodra që u kthye në një nga figurat më të rëndësishme të lëvizjes selefiste që kërkonte një islam bashkëkohor
Veton Surroi nuk është vetëm një rrëfimtar elegant, por edhe hulumtues që kërkon të iluminojë dhe nxjerrë në dritë histori e ngjarje të eklipsuara nga koha. Udhëtar i mirë i librave apo bisedave, ai di të nxjerrë prej andej personazhin që i duhet kohës apo personazhin që ia kanë marrë kohës. Por personazhi që sjell në këtë libër është i gjithi i lidhur me kohën. Një njësi matëse kjo që vjen si një metaforë me të cilën Surroi ka dëshirë shpesh të luajë dhe jo pa qëllim. Ai është i biri i një orëndreqësi, që studioi orën, për të lëvizur akrepat e islamit. Çfarë dimë ne sot për Al-Albanin, shqiptarin që u bë mendja e lëvizjes selefiste që do të sillte një raport të tensionuar mes islamit tradicional dhe atij bashkëkohor? Por, ndërsa kemi kohë të gjykojmë lëvizjen e Al-Albanit, Surroi të fton ta lexosh si të jesh duke lexuar një roman bashkëkohor historinë e tij. “Muhamed Nasirudin Albani u takua me Arsene Lupinin në Damask. Kishte ardhur në këtë qytet si fëmijë nëntëvjeçar nga Shkodra, e kishte sjellë në të babai, imami i xhamisë së Shkodrës, Nuhiu. Imami kishte ardhur në Damask, sepse në Shkodër atë vit 1914, po ndodhte një revolucion, grave po ua hiqnin shamitë, e ushtarëve dhe policëve po ua vinin kapelat si në Europë. Imami kishte lexuar hadithe, gojëdhëna, për Damaskun, tokën e Shamit, si vend të bekuar prej Allahut, dhe u nis për në të. I biri i tij, Muhamedi, nuk kishte lexuar hadithe, nuk dinte arabisht. Ishte edhe i rritur, i vonuar do të thoshte dikush nga arsimi, në klasën e parë të shkollës fillore. ‘Arnaut’ e quanin, thjesht për të dalluar prej nxënësve të tjerë. Me të shpejtë u dallua vetë, ngase u bë nxënës i mirë i gjuhës arabe, për aq sa të jetë instanca e fundit e pyetur në klasë nga arsimtari; kur të gjithë të tjerët do të gabonin, pyetej Arnauti, sepse nga ai pritej përgjigjja e saktë. Kur e mësoi gjuhën, filloi të lexonte. Filloi të lexonte çdo gjë dhe posaçërisht përrallat, ato të ‘Një mijë e një netëve’. Pastaj mbërriti Arsene Lupini, hajni xhentëlmen, i cili do të ngulitej në kokë aq sa do ta përmend pas 80 vjetësh kur të rrëfejë çka lexuar.” Kështu e nis Surroi historinë e Al-Albanit, një histori e cila të grish përmes shkrimit, por që brenda mbart një të vërtetë ku përzihet jo vetëm koha e së shkuarës, por dhe ajo e islamit të së tashmes. Hoxhë Nuhiu vendosi kur i biri i tij kreu katër klasat e shkollës fillore, se me kaq do të mjaftonte shkollimi normal, se shkollat e shtetit do ta mësonin për gjëra të parëndësishme, ndërsa e rëndësishme ishte që i biri të mësojë nga Kurani. E për këtë nuk kishte nevojë për shkollë, ai vetë ishte mësimdhënës, vetë u fliste nxënësve të tjerë shqiptarë në Damask për Librin e Shenjtë. Këtë e bënte kur nuk ndreqte orë, sepse ishte orëndreqës me profesion. Shumë shpejt Muhamed Nasirudini do të futej në botën e mistershme të haditheve, duke vendosur t’i transkriptonte në një libër të vetin. Dhe për të transkriptuar duhej të kuptonte, duhej të kuptonte edhe më shumë arabisht sesa kishte mësuar në klasat e shkollës fillore. Dhe filloi të mësonte arabishten e Kuranit, duke lexuar gojëdhënat për jetën e veprën e Profetit Muhamed. Dhe kur ndjeu se e kishte kuptuar, bleu një penë arabe dhe një penë franceze. Pena arabe ishte me majë të trashë, shërbente për tekstin e haditheve. Pena franceze ishte më e hollë, shërbente për komentet e Muhamed Nasirudinit lidhur me atë që kishte lexuar e transkriptuar. Kështu prodhoi librin e tij të parë me dy mijë faqe në të. Kishte katër klasë shkollë, njëzet e disa vjet moshë dhe një dëshirë të jashtëzakonshme për të lexuar. Leximi do ta fuste Al-Albanin drejt një tjetër dimensioni, duke kërkuar t’i shihte në një tjetër këndvështrim librat e shenjtë. Shumë shpejt marrëdhënia e tij me babanë do të prishej, aq sa ditën kur u martuar babai i tij nuk ishte as për të pritur e as për të përcjellë mysafirë. Shkenca e hadithëve të çon në falimentim, i kishte thënë i ati, duke iu lutur të birit që t’u kthehej mësimeve fetare brenda doktrinës hanefi. Por i biri nuk iu bind. Një ditë ai u largua nga shtëpia me të vetmen pronë të kësaj bote, 25 lira siriane në xhep. Ditën kur u largua nga shtëpia e babait të tij, Muhamed Nasirudini nuk e ka ditur, por ka simbolizuar njërën prej ndarjeve më mbresëlënëse në islam, ndarje konceptuale që sot paraqet njërën prej sfidave më të mëdha ideologjike të sigurisë prej redaksisë së ‘Charlie Hebdo’ në Paris deri në Pakistan. Kaq e madhe qenka shkarja mes dy shkodranëve babë e bir, në Damask, diku para Luftës së Dytë Botërore. Ditën kur do të largohej nga shtëpia e babait ai do të largohej jo vetëm simbolikisht prej shtëpisë së shkollës hanefi, të përfaqësuar nga babai, por do të gjejë strehim siç e shpjegon me fjalët e veta në mesin e vëllezërve selefi. “Vëllezërit” e tij ndanin besimin e njëjtë tashmë të zhvilluar të tij se në islamin e vërtetë do ndjekur veprimet e “paraardhësve” (selef në arabisht), e paraardhësit konsideroheshin tri gjeneratat e para të ndjekësit të Profetit Muhamed, të “paraardhësve të përshpirtshëm”. Kështu ai u ngrit në krye të një lëvizjeje që u quajt selefiste, e cila do të njihej gjithandej si mendimi bashkëkohor islamik i shkollës hanbelite, që do të kërkonin të imitonin gjeste, fjalë dhe vepra sipas rrëfimeve, haditheve që konsideroheshin të sakta, për gjestet, fjalët dhe veprat e profetit Muhamed dhe të dy gjeneratave të ithtarëve të tij besnikë. Modeli i sjelljes së tyre do të ishte modeli i njerëzve që jetuan 13 shekuj më parë dhe konteksti social i tyre, diçka që Ebu Henefi kishte tejkaluar që në fillim, duke vlerësuar se jeta e profetit në një qytet shkretëtire si Medina nuk mund të ishte model për jetën e njerëzve në mjedise kozmopolitane si Bagdadi a Damaski. Sipas Surroit, Shejh Albani nuk ishte disenjatori i tyre, por njëri prej ilustrimeve më të dukshme dhe të padhunshme të ndryshimit që solli lëvizja e tij në islam, që janë pantallonat “treçerekëshe”, përkatësisht pantallonat që nuk e mbërrijnë kyçin e këmbës në gjatësi. Moda e këtyre pantallonave do të vinte edhe në Kosovë … Në shkencën e propozuar nga Shejh Albani, shtylla qendrore e sheriatit duhet të jenë vetëm Kurani dhe hadithet, duke përjashtuar çdo mendim, interpretim tjetër racional mbi islamin. Në Kuran nuk flitet gjë për gjatësinë e pantallonave. Mbesin hadithet dhe hadithet e përcaktuara kanë folur për këtë çështje, duke krijuar paqartësi. Në testamentin që la Shejh Albani kur vdiq më 1999-n, shkruan për mënyrën sesi do të varrosej, ku duhej varrosur e nga kush duhej të lahej xhenazja e tij, dinarët jordanezë së bashkuar nga dy çanta me nga qindra lira flori që duhej t’u ndaheshin sipas Kuranit trashëgimtarëve të familjes (meshkujve sa dy hise femrash), përfshirjen në trashëgimi edhe të vajzës, e cila u largua nga shtëpia bashkë me nënën e vet. Kërkoi të mos vajtohej me zë dhe të mos informohej kush nga fëmijët që nuk ishte në Siri të mos shtyhej kot varrimi i tij. Atë që nuk kërkoi dhe nuk shpalosi ishte çfarëdo porosie politike. Ai besonte se feja nuk duhet të përzihet me politikë, por politika në Siri dhe në vendet e tjera u mor me të …