Një rrekje për të ndriçuar origjinën e gjuhës dhe popullit tonë
“Shqipja dhe Krishterimi” është libri që Albert Riska, pedagog në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, sjell së fundmi (redaktuar nga pedagogia Teuta Toska), duke u ndalur në argumentin aq shumë të diskutuar të origjinës së gjuhës shqipe e rrjedhimisht dhe origjinës së popullit shqiptar. Një problem sa gjuhësor, aq edhe historik. Riska e ka të qartë se as titulli i përzgjedhur nuk është gjithëpërfshirës dhe as lënda e përfshirë nuk është shteruese për një çështje të trajtuar në sa e sa botime. I mbështetur kryesisht mbi lëndën e vjelë në ekspeditat gjuhësore ndër vite, por edhe në materialin toponomastik të trajtuar nga studentët në detyra kursi apo tema diplome, profesor Riska është ndalur veçanërisht në analizën e elementeve leksikore dhe rrekjen për të gjetur në to, dëshmi që lidhen me procesin e përhapjes së krishterimit në Iliri. Për të mos rënë në kurthin e përfundimeve të gabuara, që në fillim autori thekson se pranohet pa mëdyshje njëjtësimi mes termit shqiptar dhe arbëror, por jo identifikimi i shqiptarëve me ilirët, edhe nëse pranohet pa mëdyshje origjina ilire e shqiptarëve.
“Shndërrimet e identiteteve të popujve dhe shndërrimet cilësore të gjuhëve, duhen parë si të njëkohshme me procesin e përhapjes dhe përqafimit të krishterimit. Në këtë mënyrë kuptohet se raportet e shqipes me krishterimin mund të bëhen burim drite për historinë e kësaj gjuhe, sidomos kur flitet për faza të hershme, të errëta nga pikëpamja dokumentare, deri në rrënjët e gjuhës”, thekson Riska. Përveç qasjes teorike mbi krishterimin dhe përhapjen në Iliri e ndër shqiptarë, studiuesi ndalet në analizën e historisë dhe etimologjisë së disa fjalëve-dëshmi të këtij procesi dhe në rëndësinë e toponimeve në këtë rast, veçanërisht ato që lidhen me shenjtorët. “Gjurmët e procesit të përqafimit të krishterimit janë të pasqyruara në leksikun e gjuhës shqipe, por çështja se ku dhe kur e përqafuan shqiptarët krishterimin, në aspektin historik, lë vend për të diskutuar, pikërisht për shkak të heshtjes së dokumenteve historike për kohën kur procesi duhet të ketë ndodhur”, shprehet Riska. Kahu i kërkimit për të është i qartë: Nëse gjejmë sot në gjuhën shqipe elemente leksikore që lidhen me procesin e përhapjes së krishterimit në Iliri apo të përqafimit të krishterimit nga ilirët, atëherë shqipja nuk përbën veçse një fazë të re të zhvillimit të ilirishtes, nga e cila ka trashëguar veç të tjerash edhe elementin leksikor që i përket sferës së besimit të krishterë.