Kompozitori Aleksandër Lalo, I njohur për vështrimin e tij kritik ndaj situatës së kulturës në vend, ka reaguar ashpër në një takim mbi të Drejtat e Autorit dhe Pronësisë, ku të pranishëm ishin dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe ajo e Ekonomisë Milva Ikonomi. Lalo e ka nisur fjalën me një kritikë. “Këto mbledhje mua më duken harxhim parash, harxhim qiraje, etj;”, tha Lalo.Kompozitori i ka kërkuar llogari ministres Kumbaro për afatet e akordimit të tarifave për punën e tij. Një pyetje e kishte edhe për ministren e Ekonomisë.
“Tani do t’i bëj dy vërejtje të tre ministreve… Çfarë keni bërë për inspektoratin… Ministres së Ekonomisë, kam konsideratë për Ekonomin më duket grua e mirë grua që punon. Kanë një vit që s’kanë bere asgjë. Çfarë ka bërë Ministra e Kulturës për këto akordimet e tarifave. Kanë një vit që nuk kanë bërë asgjë”, tha kompozitori.Por pa dëgjuar përgjigjet Lalo është larguar nga salla.”Kaq ishte fjalimi im se do shkoj të bëj drekën”, tha ai, teksa duartrokitje u dëgjuan në sallë. “Përgjigjen thuaja këtyre se nuk fola për veten”, tha ai duke iu drejtuar ministres Kumbaro. Pas kësaj, dy ministret Kumbaro dhe Ekonomi iu janë përgjigjur pyetjeve të kompozitorit Lalo në mungesë të tij.”Është prova e drejtpërdrejtë sesa janë mëkëmbur të drejtat e autorëve. E përsëris përgjigjen, ligji do kohen e vet për t’u implemetuar. Aktet nënligjore siç është konstituimi i të drejtave të autorit kanë nisur të funksionojnë. Tashmë do përcaktohen tarifat”, tha ministrja Kumbaro.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, tha se “Inspektorati ka rregulla të reja. Jemi në rrugë të mbarë për metodikat. Tashmë keni një zë ku mund ta tregoni shqetësimin tuaj, dhe ky është Inspektorati Qendror”. Aleksandër Lalo është një nga kompozitorët më të njohur i cili ka kompozuar për filma të njohur të kinematografisë shqiptare. Ai ka lindur më 27 prill të vitit 1949, në Tiranë. Rrjedh nga një familje me origjinë nga Leskoviku. Gjatë konkurrimit me kompozimet e tija në festivale kryesisht ka arritur vende të dyta megjithëse meloditë e tij janë të mrekullueshme. Lalo e ka bërë publik qëndrimin e tij ndaj mënyrës sesi trajtohet pronësia e autorëve, duke thënë që ai s’është paguar asnjë qindarkë për veprat e tij. Në një intervistë dhe pak kohë më parë ai shprehet se “Asnjë lek nuk jam paguar. Gjatë kohës kur ka qenë Neshat Tozaj në “Albautor” kam marrë dy herë nga 10 mijë lekë të reja, një herë tjetër 50 mijë lekë të reja dhe asgjë tjetër. Unë e kam humbur shpresën se do të gjejë zgjidhje e drejta e autorit. E kuptoj që kjo është një punë që ne nuk dimë ta bëjmë. Ne nuk njohim ligjet si duhet. Shteti duhet të ketë influencën e vet, por nuk qëndron afër kësaj. Pronësia e krijuesve nuk njihet, është një katrahurë e madhe”.
Alda Bardhyli
27 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)