Alisi ka dhuruar një performancë drithëruese në finalen e Eurovision 2026, e mbushur plot emocion teksa mban numrin 5 në renditje. Këngëtari nga Shkodra, Alis Kallaçi,performoi edhe njëherë në Vjenë këngën “Nan”, kësaj radhe në skenën e finales së madhe. Po ashtu edhe këtë herë pjesë e magjisë skenike ishte aktorja Rajmonda Bulku.

Rikujtojmë se performanca e tij në gjysmëfinale ishte spektakolare, duke kombinuar energji, emocion dhe një prezantim unik skenik. Një element i veçantë ishte prania në skenë e aktores Rajmonda Bulku, e cila solli një dimension artistik dhe simbolik, duke nënvizuar mesazhin emocional të këngës për figurën e nënës shqiptare.

Performanca e Alis u shoqërua me flamurin kuqezi dhe një atmosferë elektrizuese, duke krijuar një moment krenarie për të gjithë shqiptarët që ndjekin Eurovision-in, ndërsa ekspertët e cilësuan Alis si një nga artistët me vokalin më të lartë këtë edicion.

Në finale, Alis performoi i pesti dhe të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë mund ta votojnë me kodin 05.