Fate Velaj


A e dini ju se serbët, çdo 10 gusht i falen një shqiptares? Dhe jo një dosido. Por njërës nga Kanina. Angelina Arianiti Komneini. E bija e Gjergj Arianit Komneinit, babait të Donika Skënderbeut.


Angelina u martua në vitin 1461 me Despotin e verbër Stefan III Brankovic i Serbisë….(për mos shkruar gjithë historinë…)


Sot, nga Vjena u nisa në orën 2.30 të mëngjesit dhe në orën 7.15, në autostradën Novi Sad- Beograd, devijova tek dalja për qytezën Beska dhe vazhdova rrugën për të gjetur Angelinën nga Kanina. Hyra në Manastirin e Krušedol ose siç quhet manastiri i Sveti Angelina (Angelinës së Shenjtë) ndërtuar nga vetë ajo mbas vdekjes së Stefan Brankoviç.


Vizitova të gjitha ndërtesat derisa erdhi Murgu Jakov dhe hapi derën për të parë Kishën ku ishte dhe varri i Angelinës. E pyeta Murgun: nga cili qytet ishte Stefan Brankovic, varri i të cilit ishte në krahun e djathtë. – nga Smederovo, – mu përgjigj. E di ku ndodhet? – Po, po. Kam qenë në Smederevo. Është matan Beogradit, në drejtim të Nis. – Po, – mu përgjigj ai. – Po Angelina, nga ishte e pyeta murgun dhe e pashe thellë në sy. – Shqiptare, – më tha ai.


Atë moment, hapa çantën dhe nxora një buqetë me lule, me 7 trëndafila ngjyra-ngjyra përgatitur në Vjenë tek Blumen Jovani dhe ja vendosa tek varri. – Po këto, pse janë, – më pyeti Murgu Jakov. – Janë në emër të djemve dhe vajzave të Kaninës, nga ku ishte Angelina…


7 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)