Konkursi
Arben Meksi, karikaturisti shqiptar ka fituar çmim special në konkursin botëror të karikaturës, që u mbajt në Stamboll të Turqisë nga 6 deri më 11 shtator. Artisti nga Vlora konkurroi mes 2476 karikaturistëve nga 69 vende të botës. Juria e përbërë nga 10 karikaturistë të zgjedhur, pasi seleksionoi veprat që do të publikohen në katalog, shpalli fituesit. Çmimi i Madh i është dhënë karikaturistit kolumbian, Omar Albero Turcios, ndërsa Meksi u vlerësua me çmimin special të jurisë. Përpara dy vjetësh ky konkurs festoi 30-vjetorin e krijimit dhe ishte sërish Arben Meksi që përfaqësoi Shqipërinë. Arben Meksi është një nga artistët që veprimtarinë e tij e ka filluar te revista “Hosteni”, ku publikonin karikaturat e tyre emrat më të njohur. Sot pjesa më e madhe e tyre kanë ikur nëpër botë. Që nga koha kur ka filluar të krijojë e deri më sot, Meksi numëron rreth 2000 karikatura të botuara në shtypin shqiptar. Në një intervistë të mëparshme, ai pati theksuar se tashmë këtë art e lëvron vetëm për pasion, duke ushtruar profesionin e arkitektit për të jetuar. Disa herë ka shprehur keqardhjen e situatës në të cilën ndodhet karikatura sot në Shqipëri. Në planet e tij është një botim që të përmbajë 100 karikaturat më të mira.