Artistja Beatrice de Saint sjell në tablo Parisin e viteve 1920. Kohët kur gratë shkurtuan fustanet e gjata, prenë flokët e nisën të pinin cigare në baret ku dikur uleshin vetëm burrat…
“Ato i ngjasonin një zogu të lirë, ishin agresive dhe më pak tradicionale”. Zelda Fitzgerald i përshkruan kështu gratë franceze të vitit 1920. Në kohën kur prisnin që burrat të ktheheshin nga Lufta e Parë Botërore, ato shkurtuan fustanet e gjata, hoqën korsetë, prenë flokët dhe filluan të blinin buzëkuqe me ngjyra të ndezura, duke flakur tej modelin tradicional të modës deri në ato vite. Kafenetë ku mbrëmjeve burrat dilnin të pinin verë apo birra, tashmë ishin mbushur me zonja të reja të cilat kërkonin të bënin të njëjtat gjëra që dikur i bënin vetëm burrat. Ishte koha kur gruaja kërkonte një rol tjetër në shoqëri, duke zgjeruar kështu hapësirën ku ajo mund të shkelte. Shumë kritikë e shohin këtë periudhë si shumë interesante. Duke mbajtur në shpinë dhe familjen, për shkak të mungesës së burrit, gruaja filloi të ndiente forcën e saj për të bërë gjëra që deri atëherë i ishin dukur të pamundura. “Por ato dukeshin jashtëzakonisht të bukura në atë formë”, shkruan kritikja e njohur e modës franceze, Madeleine Ginsburg. Fustanet që deri në atë kohë ishin të mbyllura deri në fyt, tashmë ishin dekolte ku dukej lehtë gjoksi, apo fundet e gjata, ishin shkurtuar deri në gju. Mbrëmjeve ato vallëzonin, pinin cigare dhe flisnin për modën dhe kulturën. Francezet e vitit 1920 sollën një revolucion në mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit, duke u hapur rrugën ndryshimeve të mëdha të seksit femëror në vitet që do të pasonin. Ishte koha kur burrat ishin të lodhur nga lufta, dhe gratë morën në dorë fuqinë e tyre. Beatrice De Saint ka qenë gjithnjë e frymëzuar nga kjo epokë kaq e magjishme e vendit të saj. Si grua ajo ishte e tërhequr nga ai stil veshjeje dhe mënyrë jete. Kur në vitin 2010 “Hotel de Paris” i kërkoi të bënte disa piktura me motive nga ajo periudhë, Beatrice u zhyt më tepër në historinë e tyre. Ajo lexoi histori, por dhe mësoi më tepër mbi personazhet e asaj periudhe që e kishin ndezur Francën. “Parisi i viteve 1920 ishte një kalim nga tranzicioni i gjatë te liria. Këto gra nga një jetë të mbyllur që bënin u shndërruan në gra të lira, duke hapur kështu rrugën drejt emancipimit të gruas. Ato filluan të ishin aktive në jetën sociale, të shpreheshin politikisht, duke kërkuar të drejtat e tyre”, thotë ajo. Kjo është periudha kur “Coco Chanel”, u frymëzua për linjën e veshjeve të saj. Kjo është koha kur gratë nga shtëpiake, u bënë aktore, shkrimtare, këngëtare…. Ato luftuan në mënyrën e tyre për të arritur atë që gratë e kanë shumë të lehtë sot, duke sjellë një emancipim që i duhej gruas. Të gjitha tablotë që Beatrice i krijoi tre vjet më parë i ekspozuar në ekspozitën personale që ka hapur në galerinë “FAB” pranë Akademisë së Arteve. “Të gjitha këto personazhe duket sikur na shikojnë nëse i sheh me vëmendje”, thotë ajo, teksa na tregon fytyrat plot jetë të femrave që ka hedhur në tablo. Vështrimi i tyre është dhe dëshira për të ndryshuar, një dëshirë që ndihet jo vetëm në vështrim, por dhe në rrobat që kërkojnë të dalin prej trupit. Në një tablo ajo ka pikturuar aktoren e njohur, Greta Garbo, e veshur me një kostum burrash, teksa mban në dorë një cigare të hollë. Jo pa qëllim artistja e ka veshur Garbon me një kostum burrash, dhe jo me fustanet elegante që ajo i pëlqente aq shumë. Kjo është një tablo për të treguar progresin, ku gratë janë të lira e mund të vishen si të duan. Beatrice i ka dhënë jetë çdo tabloje. Duke i vështruar ti mund të kthehesh larg në vite, në Parisin e viteve 20, ku gruaja që ka veç një fustan në hollë me dy rripa në trup, duket se është duke pritur një mbrëmje të gjatë dashurie. Pak më tej një femër nudo ngjit shkallët. Shkallët për Beatrice janë simboli i vazhdimësisë, ndërsa nudoja është femra, e cila vjen ashtu në formën e saj më seksuale. Piktura është një dashuri e hershme për francezen, që prej katër vitesh jeton në Tiranë bashkë me familjen. Ekspozitën e saj të parë e ka realizuar kur ishte vetëm dymbëdhjetë vjeçe në spitalin e Grenoble. Në vitin 1981 ajo vazhdon studimet në Fakultetin e Arteve të Bukura në Nimes. Profesorët e saj janë themeluesit e lëvizjes artistike “Support Surface”: Claude Viallat, Vincent Bioules dhe Patrick Seytour. Më pas hapat e saj e çojnë në Guadeloupe, Saint –Claude. Aty ajo hap studion e saj dhe i përkushtohet tematikës së zgjimit artistik të fëmijëve. Në këtë mënyrë, pikturat e saj mbushen me diell e ngjyra. Ato pasqyrojnë bollëkun e bimësisë dhe bukurinë e ishullit. Më vonë, Beatrice kthehet sërish në metropol dhe gjen rrënjët e saj në Provence, Avignon. Pikërisht këtu stili i saj fillon të shpërthejë. Subjektet e pikturave të saj janë të ndryshme. Por veç të tjerave, një temë është më e dashura për të, ajo e Virgjëreshës dhe Fëmijës. Pesë vjet më vonë, pas rikthimit në Nicë, Beatrice afeksionin temat fetare deri aty sa bëhet tema e saj e preferuar. Engjëjt janë tashmë bashkudhëtarët e saj dhe shkëlqimi i tyre ndriçon pikturat e saj në një qiell gjithmonë edhe më blu. Në Afrikë ku ajo kalon një vit, vazhdon kërkimin me subjektin e pikturave të saj të Nënave dhe Fëmijëve nga e gjithë bota: Azi, Europë, Amerikën e Jugut dhe Afrikë. Pas kthimit në Francë ajo shkon në Neuilly dhe fillon një fazë të re me studimin e saj duke kaluar në art më abstrakt. Kuadrot e saj punohen me të dy duart në të njëjtën kohë. Ata /përfaqëson Vibrimet. Kohët e fundit ajo i është rikthyer Francës së viteve 1920, për të nxjerrë prej andej shpirtin e gruas që i bëri më të bukura ato vite, e për ta vendosur në tablo. Ekspozita që vazhdon të jetë e hapur në FAB është në vazhdën e ekspozitave që ajo ka hapur këto vite. Por çfarë e frymëzon Beatrice në Tiranë? “Pëlhura, ngjyrat që përdoren këtu…”, thotë ajo. Por ndërsa rikthehemi te femra, ajo që i bën përshtypje është fjalia që ka dëgjuar shpesh nga femrat në Shqipëri që “Burri është gjithnjë më lart, dhe unë jam poshtë”. Një fjali që tregon historinë me të cilën janë rritur femrat në këtë vend për vite të tëra, por që kohët e fundit duket se ka nisur të ndryshojë. Ndoshta prandaj Beatrice ka sjellë në Tiranë, francezet e viteve 1920, për të treguar se gjithmonë ndryshimi është afër nesh, mjafton të kemi forcë e dëshirë…