Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të drejtohet tashmë nga gazetarja Arta Marku, ndërsa prej gjashtë vitesh ishte nën drejtimin e Esmeralda Bardhylit.

Ndryshimin e bëri më dije vetë ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, i cili falënderoi Bardhylin për kontributin e saj për gjatë këtyre viteve.

Në një reagim të saj, Bardhyli shprehet se këtë ‘kapitull’ e mbyll me mirënjohje, duke shtuar se një nga prioritetet kryesore në krye të një institucioni të ri, ka qenë forcimi i politikave për librin dhe leximin, si një themel i domosdoshëm për zhvillimin kulturor dhe shoqëror të vendit.

Duke i uruar suksese pasardhës së saj, Bardhyli thotë se ka bindjen se puna e nisur do të vijojë dhe do të thellohet më tej, ndërsa angazhimi i saj do të vijojë në fushën e kulturës.

Reagimi i plotë: 
Pas gjashtë vitesh në krye të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, mbyll me mirënjohje një rrugëtim të rëndësishëm profesional dhe njerëzor.

Gjatë këtyre viteve, një nga prioritetet kryesore në krye të një institucioni të ri, ka qenë forcimi i politikave për librin dhe leximin, si një themel i domosdoshëm për zhvillimin kulturor dhe shoqëror të vendit. Libri nuk është vetëm një produkt kulturor, por një instrument i fuqishëm për edukimin, mendimin kritik dhe identitetin tonë kolektiv.

Së bashku me një ekip të përkushtuar dhe në bashkëpunim me autorë, botues, përkthyes e aktorë të tjerë të fushës, kemi punuar për të ndërtuar dhe zbatuar politika që mbështesin krijimtarinë, nxisin leximin dhe e bëjnë librin më të aksesueshëm për të gjithë. Janë hedhur hapa të rëndësishëm drejt konsolidimit të një ekosistemi më të qëndrueshëm të librit në Shqipëri.

Sigurisht, mbetet ende shumë për t’u bërë. Politikat për librin kërkojnë vazhdimësi, vëmendje dhe mbështetje të qëndrueshme institucionale, në mënyrë që të japin ndikimin e tyre afatgjatë në shoqëri.

Largohem me bindjen se puna e nisur do të vijojë dhe do të thellohet më tej, dhe me besimin se libri dhe leximi do të mbeten gjithmonë në qendër të vëmendjes publike.

Falenderoj Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve Blendi Gonxhe për besimin, dhe i uroj nga zemra suksese drejtueses së re, Arta Marku për të cuar më tej sfidat me librin në vend!

Angazhimi im në fushën e kulturës do të vijojë!