Aktori i njohur amerikan Tom Troupe ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare, vetëm pesë ditë pas ditëlindjes së tij. Lajmin e ka konfirmuar familja, duke bërë me dije se ai ndërroi jetë nga shkaqe natyrore në shtëpinë e tij në Beverly Hills.
Me një karrierë që zgjati mbi pesë dekada, Troupe la gjurmë të pashlyeshme në teatër, televizion dhe kinematografi. Ai u bë i njohur me rolet e tij në seriale dhe filma të njohur si “Star Trek”, “Mission: Impossible”, “My Own Private Idaho” dhe “Cagney & Lacey”.
I lindur më 15 korrik 1928 në Kansas City, Missouri, ai nisi rrugëtimin artistik në teatrot lokale përpara se të zhvendosej në New York në vitin 1948, ku studioi aktrim me Uta Hagen. Përveç kontributit në art, Troupe shërbeu edhe në Luftën e Koresë, ku u nderua me medaljen “Bronze Star”.
Në vitin 1957 bëri debutimin në Broadway me rolin e Peter van Daan në “The Diary of Anne Frank”. Më vonë, u zhvendos në Hollywood, ku ndërtoi një karrierë të suksesshme dhe u bë një figurë e respektuar e industrisë.
Përveçse aktor, ai ishte edhe regjisor dhe shkrimtar. Troupe ishte bashkëshorti i aktores së ndjerë Carole Cook, me të cilën ndau një pasion të madh për teatrin në Los Angeles.
Tom Troupe do të kujtohet si një artist i përkushtuar dhe një ikonë që la gjurmë të mëdha në kulturën dhe artin amerikan.