Aktori i njohur italian Remo Girone ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare, më 3 tetor 2025, në shtëpinë e tij në Monako. Lajmi i ndarjes nga jeta të ikonës së ekranit ka prekur botën e artit dhe miliona fansa në mbarë botën, përfshirë edhe publikun shqiptar, që e identifikon prej dekadash me rolin e paharrueshëm të Tano Cariddi në serialin legjendar La Piovra.
I lindur më 1 dhjetor 1948 në Asmara, Eritre, dhe rritur në një familje italiane, Girone e nisi udhëtimin e tij artistik që në moshë të re. Në moshën 13-vjeçare, ai u transferua në Romë dhe ndoqi studimet në Akademinë Kombëtare të Arteve Dramatike “Silvio D’Amico”, ku u diplomua si aktor profesionist.
Karriera e tij shtrihet përtej Italisë, në teatër, televizion dhe kinema ndërkombëtare. Përveç suksesit të jashtëzakonshëm në La Piovra, Girone ka interpretuar role të spikatura në filma të njohur si Ford v Ferrari (2019), ku portretizoi Enzo Ferrarin, si dhe në Live by Night (2016), ku luajti një mafioz italiano-amerikan. Ai u shfaq gjithashtu në seriale si Killing Eve dhe The Equalizer 3 (2023), duke dëshmuar se talenti i tij ishte i pakohë dhe i përkthyeshëm për çdo publik.
Në vitin 2021, Remo Girone u nderua me Çmimin për arritje në karrierë në Festivalin e Filmit të Venecias dhe me Çmimin e jetës në Festivalin prestigjioz Flaiano, duke vulosur përfundimisht rolin e tij si një prej figurave më të rëndësishme të artit dramatik italian.
Girone ishte i martuar me aktoren Victoria Zinny që nga viti 1982 dhe ata kanë një vajzë, Veronica.
Në vitin 2018, Remo Girone vizitoi Shqipërinë dhe u shpreh i impresionuar nga zhvillimet urbane në Tiranë.
“Tani Tirana ngjason me cilindo qytet italian. Kam pasur mundësinë të dal. Kam shkuar në disa restorante të mira. Kam parë pallatet e reja që po ndërtohen, stadiumin. Këtu punojnë shumë arkitektë italianë që po ndryshojnë Tiranën, po bëjnë gjëra të reja, pa ndryshuar totalisht të vjetrën e për ta vënë në shërbim të ndërtimit të së ardhmes,” u shpreh ai në atë kohë.