Shuhet në moshën 66-vjeçare aktori dhe regjisori i njohur Naun Shundi. Prej disa javësh ai vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ishte nën kujdesin e mjekëve.

Artisti u dërgua për trajtim të specializuar në një spital në Francë, por kostot e larta financiare detyruan familjarët që të kërkojnë ndihmë. Më pas ai u rikthye në Shqipëri, ku vijoi trajtimin mjekësor në QSUT, shpenzimet e së cilës u mbuluan nga Ministria e Shëndetësisë Një ditë më parë bashkëshortja tha se se gjendja e aktorit kishte marrë një kthesë aspak optimale, duke i bërë thirrje miqve dhe dashamirësve që të mos kontribuojnë më financiarisht.

“Në ditë të keqe, u shfaqën njerëz të mrekullueshëm, që na ndihmuan në këtë situatë të vështirë për shëndetin e aktorit regjisorit dramaturgut Naun Shundit. Ç’do emër që ka kontrubuar në llogaritë tona të hapura, që kjo ëndërr e keqe, të mbetej vetëm një ëndërr, ka jo vetëm mirënjohjen, por mbi të gjitha,na keni falur lehtësi dhe kurajo në betejen me jetën. Miq, dashamirës, koleg, artëdashës. Mos kontribuoni më në këto faqe. Tashmë, fatkeqësisht, shëndeti i Shundit ka marrë një kthesë aspak optimale.
Mirënjohje dhe shëndet në familjet tuaja”,
 shkroi nje dite me pare gruaja e aktorit.

Naun Shundi është një nga figurat më të vlerësuara të skenës shqiptare, me kontribute të shumta në teatër dhe dramaturgji. Së bashku me bashkëshorten Raimonda themeloi teatrin privat “Zonja e Bujtinës”, ku solli në skenë vepra origjinale dhe me ndikim. Shundi mori pjesë edhe në disa filma si “Vdekje me porosi” dhe “Filma të shkurtër 2010/1”.