Arti dhe kultura fierake janë në zi pas ndarjes nga jeta të aktorit dhe humoristit të mirënjohur, Todi Llupi, një prej figurave më të dashura të Estradës së Fierit.
Me një karrierë mbi pesë dekada, Todi Llupi la gjurmë të pashlyeshme në skenën shqiptare përmes roleve të tij plot humor, karaktereve autentike dhe interpretimit mjeshtëror të dialektit myzeqar.
Ai u bë pjesë e Estradës së Fierit në vitin 1971 dhe interpretoi gjithashtu në disa filma artistikë, ndërsa publiku do ta kujtojë gjithmonë për rolet që e bënë një ikonë të humorit shqiptar.

Llupi mori pjesë në shumë role humoristike në estradë, por edhe komedi në kinema.
Ai mbahet mend për rolin e “Dasmës së Malos”, skeç humoristik i Estradës së Fierit dh për rolin te filmi shqiptar “Pesha e kohës”.
Në vitin 1989 u nderua me titullin “Artist i Merituar”, si vlerësim për kontributin e tij të çmuar në art dhe kulturë.
Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për Fierin dhe për mbarë artin shqiptar.

