Teatri


KICO POSTERMë shumë se 40 vjet nga koha kur regjisori Pirro Mani e ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar, drama e njohur e Bertolh Breht rikthehet premierë në dy teatro nga dy regjisorë të ndryshme. Sot në mbrëmje, në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Breht do të vijë nën regjinë e Kiço Londos dhe nën interpretimin e aktorëve: Denis Kurushi, Fatjon Mici, Rezart Barjoti, Ergys Çekrezi, Erjon Hinaj, Amir Hasanlliu, Elidon Alika, Dervish Biba, Erlin Visha, Roland Saro, Redian Mulla, Ina Morinaj, Oriana Cama, Xhuliano Briskaj, Endri Çela, Donald Shehu, Arjola Basho, Sara Jaupaj, Ilirda Bejleri, Kristiana Dodaj dhe Endri Hekurani. Regjisori Londo e ka ndërtuar “Arturo Ui”. “Shfaqja e Teatrit Kombëtar Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’, është një shfaqje për heshtjen dhe bashkëfajësinë për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi, sepse lejuam që një grusht kriminelësh të veshur me petkun e politikanit të vjedhin, të vrasin dhe të kërcënojnë të ardhmen tonë”, është shprehur regjisori Londo. Ai sjell një “Arturo Ui” krejtësisht modern në konceptin regjisorial, duke e krijuar lojën e aktorëve në një trajtim modern të stilit brehtian, duke alternuar natyrën njerëzore me zhvillimin e personazhit. Shfaqja mbështetet nën përkthimin e mrekullueshëm të Robert Shvarc, por ajo, edhe pse bën fjalë për dhunë, vrasje, grabitje dhe terrorin nuk ka asnjë krismë, asnjë të bërtitur, madje asnjë ngritje zëri. Gjithçka është fine dhe elementet e mësipërme rrëshqasin nën të dhe më tepër ndihen sesa duken. Për ta bërë më social problemin, personazhet tona janë pa gjini, heteroseksualë. Kjo ndihet shumë edhe në veshjet e kostumografes Sofi Kara, por edhe në dekorin fin të kursyer dhe mjaft të gjetur të Kristo Çalës. Muzika e shfaqjes është live dhe luhet nga një “muzikant rruge”. Ndërsa në Teatrin e Metropolit, “Arturo Ui” do të vijë nën regjinë e Armando Borës dhe do të ketë premierën javën që vjen. Rolin e Arturo Ui në veprën e Borës e interpreton aktori Alfred Trebicka, ndërsa në veprën e Londos, aktori Roland Saro.