Engjëll Serjani
Nëse doni të kuptoni unitetin dhe diversitetin europian, vizitoni qytetin e Bazelit!
Duke shmangur përdorimin e një klisheje të njohur, sipas së cilës, njeriu ka gjithmonë nevojë dhe kërkon diçka të përsosur, nëse do të besojmë në një thënie të ish-sekretarit amerikan të shtetit Henry Kissinger, sipas së cilës, “historia duhet zbuluar, jo të deklarohet”, nëse dikush i ka mundësitë (ekonomike, kuptohet) dhe dëshiron të prekë dhe kuptojë unitetin dhe diversitetin europian, atëherë nuk duhet të humbasë rastin e të vizitojë qytetin zviceran të Bazelit! Ky është qyteti i tretë më i populluar i Zvicrës (pas Zyrihut dhe Gjenevës) me rreth 195 mijë banorë dhe është i vendosur në kufirin ku Zvicra takohet me Francën dhe Gjermaninë. Ndërkohë që si kanton “Baselland” ka një popullsi prej 500 mijë banorësh.
Mysafir për rreth një javë te shqiptaro-zvicerani Bashkim Dyla me origjinë nga Gjakova dhe në shoqërinë përditshme të mikut tim zviceran, Christoph Baumann, të dy me banim në Bazel, unë pata mundësinë që të zbuloj një territor ku kufijtë nuk kishin asnjë kuptim, si për banorët zviceranë, francez dhe gjermanë, po ashtu edhe për çdo udhëtar dhe turist.
“EuroAirport” me dy porta
Habia e parë ishte se, u nisa me aeroplan nga Prishtina për në Bazel, por në fakt, aeroplani u ul në një aeroport që ndodhej në territorin francez. Dhe kjo nuk ishte aspak një ulje e gabuar, por një eksperiencë e shkëlqyer bashkëpunimi dhe partneriteti europian. “EuroAirport Basel-Mulhouse-Freiburg” është një investim i përbashkët nga të dyja vendet, Franca dhe Zvicra, vendosur plotësisht në tokën franceze. Aeroporti vetë është i ndarë në dy pjesë me arkitekturë të ndryshme, ku gjysma i shërben anës franceze dhe gjysma që shërben në anën zvicerane. Para hyrjes së Zvicrës në Marrëveshjen Shengen aty ka pasur një pikë kontrolli për udhëtarët, por më pas lëvizja është krejt e lirë.
Mirëpo, habia e udhëtarit që vjen për herë të parë në këtë zonë nuk mbaron këtu. Qyteti përshkohet nga lumi i lundrueshëm me emrin Rhine dhe kjo gjë i ka krijuar mundësinë që të ketë të vetmin port mallrash në Zvicër, nëpërmjet të cilit lëvizin anije të rënda transoqeanike që lidhin “zemrën” e Europës kontinentale me portin e madh të Roterdamit në Holandë. Mallra në sasi të mëdha të nisura nga brigjet e Detit të Veriut dhe porte të tjera anembanë botës transportohen me anije përgjatë Rhinit dhe pastaj përmes arterieve kryesore të autostradave europiane dhe rrjetit të hekurudhave që kryqëzohen këtu këto mallra shpërndahen në Europën Qendrore dhe Jugore. Nëpërmjet këtij rrjeti gjigant komunikimi që kalon nëpërmjet Bazelit përfitojnë korporatat dhe firmat tregtare që historikisht dhe tradicionalisht kanë përfaqësitë e tyre në rajonin e Bazelit. Hekurudhat janë histori më vete. “Basel Bahnhof SBB” mendohet se është stacioni i parë hekurudhor ndërkombëtar në botë si një pikë e rëndësishme hekurudhore në qendër të Europës, këtu ka 3 stacionet hekurudhore (“Bazel SBB”, “Bale SNCF” dhe “Basel BADISCHER Bahnhof”), të cilat u shërbejnë në mënyrë të pavarur dhe me dogana rrjeteve hekurudhore gjermane, franceze dhe zvicerane.
Kryeqyteti kulturor i Europës
Rajoni metropolitan i Bazelit konsiderohet si “kryeqyteti kulturor” i Europës, sepse ka një jetë të larmishme kulturore. Në vitin 1997, qyteti konkurroi për të marrë statusin zyrtar të “Kryeqyteti Europian i Kulturës”, ndonëse ky status për arsye të integrimeve europiane iu dha qytetit të Selanikut në Greqi, ai konsiderohet si kryeqyteti real. Nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore përfshihet në kulturën gjermane të Baden-Württemberg dhe atë franceze të Alsace. Pikërisht këtu reflektohet më së miri trashëgimia kulturore e tre shteteve të njohura ndryshe edhe me emrin modern latin “Regio TriRhena” dhe këtu gjendet universiteti më i vjetër i Konfederatës së Zvicrës themeluar qysh në vitin 1460. Qyteti përfshin në gjirin e tij një numër të madh teatrosh dhe shumë muze. Muzeu i Arteve të Bukura me objekte nga më të vjetrat në botën e artit, ka një qasje të jashtëzakonshme për publikun dhe turistët europianë. Shtëpia botuese “Schwabe” është themeluar në 1488 nga Johannes Petri dhe është shtëpia më e vjetër botuese që është ende aktive dhe e suksesshme në biznes. Mikut tim zviceran, Christoph Baumann, i cili është i martuar me shqiptaren Jehona nga Prizreni, që e flet shqipen në të dyja dialektet, në toskërisht dhe gegnisht, në një nga ditët e qëndrimit aty më ftoi që së bashku me dy vajzat e tij të vizitonim Kopshtin Zoologjik “Zoo-Basel” që është i pari i këtij lloji në Zvicër dhe një nga më të vjetrit në Europë, që i hapi dyert në jug të qytetit në Binningen qysh në 3 korrik 1874.
Edhe pse ndodhemi në një kopsht zoologjik, edhe pse dy vajzat e tij mbajnë emra shqiptarë Irina dhe Orjana, mikut tim zviceran Christoph I pëlqen të më flasë për origjinën e emrit të qytetit të Bazelit; “Prejardhja e emrit është prej fjalës “Basilea”, ose “Basilia” në latinisht, por me prejardhje nga fjala e lashtë greke “Basileia” (Βασιλεια) që do të thotë “mbretërim” dhe ky emër është i dokumentuar nga viti 374 pas Krishtit. Hungarezët, më thotë ai, e shkatërruan Bazelin në vitin 917, të cilët më pas kanë djegur manastiret e St. Gallen dhe Rheinau, por sulmet e tyre u thyen, zmbrapsën dhe përfunduan vetëm nga ushtria e mbreti gjerman, Otto i Parë në vitin 955″. Sipas mikut tim, Christoph, anëtar në një konfederatë zvicerane, qyteti vazhdon të mbajë një status neutral, pavarësisht se gjatë historisë qyteti është plaçkitur nga ushtarët e të dyja anëve në konflikte të dhunshme. Ishte pikërisht Traktati i Bazelit që i dha fund luftës duke i përjashtuar kantonet zvicerane nga taksat dhe juridiksionet e Maximillian-it në momentin kur Zvicra u nda de facto nga Perandoria e Shenjtë Romake. Kryeqyteti europian i kulturës ka teatrin e tij me një program vjetor të ngjeshur me shfaqje, ka teatrin e vet të operës dhe baletit, ka orkestrën më të madhe simfonike në Zvicër dhe shtëpinë diskografike “Kammerorchester Basel”, e cila ka realizuar një regjistrim të plotë të simfonive të kompozitorit të madh, Ludvig van Beethoven.
Që nga vitit 1992 në Bazel organizohet Festivali Europian i Koreve Rinore “Europäisches Jugendchorfestival”, ndërkohë që ekziston një traditë e pasur e kultivimit të muzikës baroke.
Shqiptarët, të integruar në sport dhe art
Gjatë ditëve të qëndrimit tonë në Bazel patëm fatin dhe mundësinë të ndiqnim festivalin e filmit “ZWIKOS” një veprimtari e përvitshme. “Ky festival është një veprimtari e përbashkët kulturore që ashtu sikur ekipi i futbollit i Bazelit ku luajnë 6 lojtarë shqiptarë, tërheq interesimin e banorëve me origjinë shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova”, tregon shoqëruesi dhe mikpritësi Bashkim Dyla. Në edicionin e këtij viti u shfaqën 4 filma shqiptarë të artistëve nga Kosova dhe 7 filma të tjerë të krijuesve zviceranë dhe 5 filma të regjisorëve nga Austria, Gjermania dhe Maqedonia. Banorët me origjinë shqiptare të qytetit të Bazelit dhe bazellandit ndoqën me interes filmat “Përqafimi” të regjisorit Lulëzim Guhelli, “Darka” të Suel Bakos, “Ballkoni” të Lindita Zeqirit dhe “Ne të tre” të regjisores Blerta Basholli. Miki, bashkëshortja e Bashkimit, piktore dhe mësuese, na thotë se shqiptarët e këtushëm që numërohen më shumë se 3-4 mijë, jo vetëm që janë konsumatorë të përhershëm të vlerave dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe vizitorë të përhershëm të muzeve, frekuentues të teatrit, njohës të monumenteve të kulturës dhe historisë zvicerane, mandej shumë prej tyre janë artistë dhe sportistë të talentuar dhe me emër. Ndërsa Nehat Sadedini me origjinë nga Vitia e Gjilanit, menaxher në një lokal meksikan në qendër të qytetit, na tregon për ekipin shqiptar të futbollit “Dardania” që përfaqëson Bazelin në ligën e dytë të futbollit zviceran. Ai ka ndihmuar financiarisht Gjerdan Shaqirin që luan me ekipin kombëtar të Zvicrës. Shqiptar të tjerë si Lulëzim Kuçi nga Decani, Fatmir Jusufi nga Vushtria, Besim Neziri nga Gjilani, Naimi dhe Blerimi nga Lipjani, që kanë më shumë se 20 vjet me banim e punësim në Bazel, kanë ngritur shoqërinë e tyre kulturore dhe kanë vendosur lidhje me artistë nga Shqipëria dhe Kosova. Djemtë e Bashkim Dylës, Fanoli që studion për inxhinieri PLK (ngrohje dhe kondicionim) dhe Andi që është student në Zyrih për ekonomi ndërmarrjesh, stërviten rregullisht për një lloj boksi dhe për rrëshqitje mbi akull. Shqiptarët e këtushëm janë mjaft të integruar në art dhe në sport.
Qyteti i negociatave ndërkombëtare për paqe
Udhëtimi im në këtë rajon ndërkufitar metropolitan, qëlloi disa ditë para një takimi të ashtuquajtur “ministerial”, organizuar nga OSBE-ja dhe institucionet të saj të monitorimit luajnë në Europë në respektimin, konsolidimin e të drejtave të barabarta të të gjithë shtetasve pavarësisht vendit ku jetojnë si garanci e sigurisë së përbashkët, ku mori pjesë edhe ministri ynë i Jashtëm, Ditmir Bushati. Kur miku im zviceran, Christoph Baumann, më foli për Bazelin si një pikë të takimeve ndërkombëtare, mendova se bëhej fjalë për një rol që mund ta kishte marrë gjatë zhvillimeve aktuale këto dekadat e fundit, po jo, sikurse mësova më vonë, Bazeli e kishte luajtur historikisht rolin e negociatorit të paqes. Qysh në vitin e largët 1499 është regjistruar se “Traktati i Bazelit” i dha fund Luftës së Swabian. Dy vjet më vonë Bazeli u bashkua me konfederatën zvicerane. Njihet gjithashtu edhe “Paqja e Bazelit” e vitit 1795 në mes të Republikës së Francës, Prusisë dhe Spanjës që shënoi përfundimin e Koalicionit të Parë kundër Francës gjatë lëvizjeve revolucionare franceze. Historikisht Bazeli ka siguruar ndihmën ushtarake te kantonet e tjera kur është kërcënuar, pasi qyteti ka qenë i rrethuar me mure gjurmët e të cilit ruhen edhe sot si monument kulture. Një dispozitë e Kartës së Konfederatës e pranon qytetin e Bazelit si negociator në konfliktet midis kantoneve tjera, prandaj ruhet historikisht pozicioni neutral, si një status që ofron në çdo moment shërbimet e ndërmjetësimit.
Kohë më vonë, thotë miku im zviceran, më 3 shtator 1897, Organizata Botërore Sioniste mbajti kongresin e saj të parë. Në Bazel, në vitin 1989 u nënshkrua Konventa e Bazelit e cila kishte për qëllim ndalimin e eksportit për asgjësim të mbetjeve të rrezikshme nga vendet e pasura në vendet në zhvillim.
Qendër e industrisë kimike dhe farmaceutike
Ndodhur në zonën metropolitane zvicerane – franceze – gjermane, Bazel më një popullsi rajonale me rreth 830,000 banorë në 226 komuna, qyteti dhe rajoni janë kthyer në një qendër të madhe industriale për industrinë kimike dhe farmaceutike dhe një nyje e madhe transporti ajror, tokësor dhe ujor. Zona me objekte dhe ndërtesa industriale zë rreth 10,2% të sipërfaqes së përgjithshme, objektet për strehim përbërë 40,7%, infrastruktura e transportit përbëhet nga 24,0%, sipërfaqja ujore arrin deri në 2.7%, ndërsa parqet, zonat e gjelbëruara e fushat sportive përbërë 8,9%. Basellandi është një rajon tepër i pyllëzuar, ndërsa toka bujqësore është e pakët deri në 2,5% dhe përdoret për të mbjellë vreshta dhe të lashtat dhe 1,3% është e zënë me kullota. Sikurse më shpjegojnë miqtë e mi që jetojnë këtu, banorët e Bazelit shfrytëzojnë me interes sistemet e ndryshme fiskale dhe pozicionin strategjik shumë pranë Francës dhe Gjermanisë, pazarin familjar e bëjnë sipas një “strategjie” të studiuar mirë. “Naftën, peshkun, djathin dhe verën e blejmë në Francë, qumështin dhe detergjentet i blejmë në Gjermani, benzinën dhe disa ushqime të tjera i blejmë në Zvicër, sepse kështu kemi më tepër leverdi”, na thotë Miki, bashkëshortja e Bashkimit.