Opera 


Opera “Berberi i Seviljes” është një nga aktivitetet e përfshira në programin e festivalit “Apolonia Fest’12”. Para se të rrugëtojë drejt qytetit antik, opera do të shfaqet sot, në orën 20:30 në Qendrën Kulturore të Ushtrisë për publikun e Tiranës. Do të jetë një nga të paktat aktivitete në këtë sezon veror në kryeqytet. Sot do të mbahen provat gjenerale të operës “Berberi i Seviljes” të Gioacchino Rossinit, shfaqja zyrtare e së cilës do të jepet në datën 1 shtator në Teatrin e Apolonisë në Fier.


Nën regjinë e Milto Kutalit, vepra do të dirigjohet nga Ettore Papadia dhe Valmie Xoxa, ndërkohë që në rolet kryesore vjen sopranoja Ulpiana Aliaj, italiania Alessia Martino, baritoni Saverio Sangiacomo, Armando Likaj, tenori Raffaele Abate, etj. Kjo opera vihet në skenë me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Shqipëri dhe Bashkisë së Fierit, në kuadër të Projektit IPA Archeo’s. Vepra e njohur e Rossini-t, “Berberi i Seviljes” është një bashkëpunim mes artistëve shqiptarë, atyre italianë e kroatë. Spektakli do të rishfaqet gjatë muajit tetor në tri qytete italiane: Leçe, Ankona e Chieti. Ariet e operës do të jenë përsëri në qendër të spektaklit “Sul Sentiero di Adriano” 2012 që Shoqata Arena Sferisterio e Maceratës do të ofrojë të shtunën e 15 shtatorit pranë teatrit të zonës arkeologjike të Hadrianopolis, në afërsi të Gjirokastrës.