Seriali ‘futuristik’ i “Black Mirror” ka prezantuar për shikuesin sezon e tij të 7. E nëse 7-ta në numerologji përfaqëson vërtetësinë dhe zgjuarsinë, diçka që si ka munguar kurrë serialit në çdo sezon të sajin, ky sezon është ai që ka më shumë empati dhe shpirt, pa humbur tinëzarinë që e karakterizon.

Në një artikull të këtyre ditëve shkruhej se kinemaja ka humbur audiencën e saj, dhe po me çdo ditë që kalon po e humbet edhe më. Kjo për shkak të volumit të zgjedhjeve me të cilat publiku përballet. Dikur një kinema me disa salla ofronte 3-4 filma, tani ke 300-400 në rehatinë e shtëpisë dhe askush prej nesh nuk di të vendosë se çfarë të shohë. Por janë disa vepra që arrijnë të nxjerrin kokën për shkak të kryesisht guximit të tyre në përballjen me një temë të caktuar dhe qasja që “Black Mirror” ka patur ndaj teknologjisë në dekadën e fundit është tërheqëse edhe pse e kobshme. Nëse pritshmëria për një vepër filmike apo televizive për shumicën e tyre është e shurdhuar nga volumi i pafundëm i ‘shpërqëndrimeve’ të rrjeteve sociale, për disa të tjera është gjithmonë aty duke patur receptorët e audiencës ngritur.

Njeriu mbas kësaj antologjie, Charlie Brookerthyhet në sezonin e shtatë duke treguar një njerzillëk të cilin nuk e kishim parë më herët. Po ashtu për herë të parë një nga gjashtë seritë e sezonit të shtatë është vazhdim nga një seri e shkuar; edhe pse ky është episodi më pak i mirë i këtij rikthimi.  (USSCallister: Into Infinity, vazhdim nga sezoni 4).

Për ata që e njohin “Black Mirror” e dinë se seritë e tij nuk kanë asgjë që i lidh me njëra tjetrën – e vetmja gjë është kryefjala: teknologjia, ajo që duket sikur është larg por është më afër se kurrë dhe efektet që mund të ketë në marrëdhëniet njerëzore [siç i njohim]. E duke qënë atipik, Black Mirror merr një guxim si pak të tjerë, që brenda më pak se një ore, të ngrejë shpresën për rrëfimin e një historie që të emocionon, rrënqeth, shijon, me çdo episod – një rrezik që shpërblehet në këtë sezon me 90% të kohëzgjatjes.

Common People” me protagonist Chris O’Dowd dhe Rashida Jones, një nga episodet më të bukura, tregon historinë e një çifti nga shtesa e punëtore të cilët duhet të përballen me një sëmundje të degjenerimit të trurit në një mënyrë të re – zhvillimet teknologjike kanë arritur që impulset e trurit të kontrollohen nga një sistem operativ, i cili ka jo vetëm të mira, më saktë, edhe pse duket si mrekulli shpejt kthehet në një makth për çiftin i cili humbet gjithçka rrugës.

“Hotel Reverie” tregon përdorimin e AI nga Hollywood-i me një cinizëm ndaj industrisë së këtyre kohëve të filmit në SHBA. Një interpretimin i butë por efektiv i Issa Rae, në një martesë të guximshme të sypatremburit Brooker, i cili nuk ngurron të shtyjë narrativën edhe në tokë të pashkelur e të rrezikshme.

“Běte Noire” dhe “Plaything” janë dy episodet demonizues ku Black Mirror është black mirror – një pasqyrë e errët në të cilën shihemi çdo ditë për t’u pranuar. Të dy episodet kanë tone alla “Requiem for a Dream” me nota hakmarrjeje alla Tarantino.

“Eulogy” është aty ku më shumë se kurrë tregohet se Charlie Brooker nuk është prej hekuri, nuk është i pashpirt, ka zemër. Ndihmuar nga një aktor i pakrahasueshëm si Paul Giamatti seria tregon historinë e dashurisë së shumë viteve më parë, të mbyllur në dëshpërim nga të dyja palët dhe analizën që i bëhet me ndihmën e teknologjisë. Një lloj katarsisi në dukje i pamundur, në një rast kur teknologjia e cila gjithmonë tek Black Mirror duket e ligë, e ndyrë, ndihmon për të bërë paqe me veten dhe të shkuarën.

Antologjitë janë të vështira, për të qënë të dashura. “Black Mirror” është (mbase) përjashtimi që konfirmon rregullin.