“Këtu vallëzohet me hijet”, hap sezonin e ri artistik në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës
Kur e kaluara vallëzon me të tashmen, drama të forta individuale e shoqërore trashëgohen dhe diktojnë cilësinë e jetës. Ndaj duhen vendime të mëdha e të vështira. Durrësi e ka çelur sezonin e ri artistik me shfaqjen e premierës “Këtu vallëzohet me hijet”, një dramë shqiptare e shkruar nga Bashkim Hoxha, që vjen dhe si regjisor i saj.
Drama është një lojë hijesh që vjen nga e shkuara dhe vallëzon me të tashmen duke e tronditur fort atë, veçanërisht jetën e një vajze të re, të lindur në diktaturë. Përmes dramacitetit të fortë dhe hijeve të së kaluarës, që herë bashkëjetojnë ngushtë dhe herë shfaqen befas ogurzeza në jetën e personazheve, drama nxjerr në pah një realitet njerëzor, të cilin autori Bashkim Hoxha e veçon që në fillim të shfaqjes, kur përmes personazhit kryesor deklaron se “çdokush ka 11 shtatorin e tij”, të cilin duhet të dijë ta përballojë. Në qendër të shfaqjes vijnë historitë njerëzore të tre personazheve që i lidh dhe i ndan po aq gjaku, dashuria, perversiteti dhe urrejtja. Në rolin e një ish-punonjësi të Sigurimit të Shtetit, aktori Ervin Doko mban peshën kryesore të shfaqjes, duke përcjellë dramën e jetës së vet dhe të viktimave të përgjimit të tij, përfshirë dhe të bijën, fryt i një abuzimi. Ish-punonjësi i Sigurimit të Shtetit, i braktisur nga gruaja dhe djemtë e tij, kthehet në apartamentin e një prej viktimave të përgjimit të tij, artistes Desi, që para viteve ’90 shërbente si një sallon arti ku mblidheshin poetë e artistë të zhgënjyer nga sistemi dhe zhvillimet e diktuara të realizmit socialist në art. Atje, ai gjen të bijën e Desit dhe prej aty merr jetë rrëfimi mbi të sotmen dhe të kaluarën, jetën e lirë në diktaturë të Desit, dashuritë e shfrenuara të saj, pakënaqësitë kundër sistemit, refuzimi i fortë i Desit ndaj dashurisë së tij dhe abuzimi që pason për ta bërë të vetën. Viktimë e dhunës seksuale artistja sjell në jetë një vajzë, së cilës i mëkon dashurinë për babanë, poet të djegur në furrat me gëlqere të diktaturës. Përballja me të kaluarën e së ëmës dhe fundin e miqve të saj, për shkak të veprimtarisë së spiunit që ka përballë dhe që rezulton të jetë i ati, do të tronditë fort vajzën e Desit të lindur në fund të viteve ’70. Përmes lojës së aktorëve Ervin Doko, Vilma Hoda, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Eralda Çaushi, Gjergj Doçi, Arian Plaku, Xheni Fama, si dhe konceptimit regjisorial me efekte dhe përballje të kohëve të ndryshme, autori i dramës sjell te publiku të vërteta dhe mesazhe social-politike e filozofike mbi jetën dhe bashkëjetesën e dhembshme me të kaluarën, duke ftuar për braktisjen e saj dhe të vazhduarit kokëlart përpara, pa u kthyer pas. Artdashësit që mbushnin sallën e teatrit natën e premierës kanë duartrokitur autorin dhe trupën realizuese të dramës që do të shfaqet edhe mbrëmjen e së dielës. V. Qyrfyçi