Luan Rama


Chapeau Michalon! Një shprehje që francezët e përdorin kur duan të nderojnë dikë për një vepër të kryer, për një akt. Yves Michalon është një botues i njohur francez që prej disa dekadash ka krijuar «Editions Michalon» ku janë botuar shumë autorë francezë, por jo vetëm, pasi në listën e autorëve të shumtë janë dhe autorët e  dikurshëm të Lindjes europiane dhe të Ballkanit, mes të cilëve dhe shqiptarë, duke filluar me një libër të Kadaresë për Gjirokastrën.


Yves Michalon është një njeri i letrave, i dehur pas letërsisë, por dhe një shkrimtar shumë fin, i cili nuk e parapëlqen prozaiken, shkruan shkurt, me fraza domethënëse ku me pak fjalë përmbledh domethënien apo natyrën e një ngjarjeje, personazhi historik, fenomeni apo epoke. Dhe gjithçka është e shkruar me art. Këtu qëndron dhe vlera e tij si shkrimtar.


Ai sapo ka botuar librin e tij « Au milieu des crapauds fous surgit un merle blanc » (Në mes të zhabave të çmendura shfaqet një njeri). Dhe ky njeri i vërtetë, i paqti, utopisti, i përkushtuar është në një farë mënyre « alter-ego » i vetë shkrimtarit, i cili, nga angazhimet e mëparshme shoqërore tani në këtë kohë të thyer është në një luftë për të mbijetuar. Dhe këtu ajo çka e mban është dashuria e të tjerëve, atyre që ka pikëtakuar gjatë udhës së jetës së tij. Vite më parë ai kishte botuar librin «Pousse-caillou», i mirëpritur nga kritika letrare e asaj kohe.


Pikërisht në atë kohë ai kërkonte të mos vazhdonte më me jetën e paqtë, kafenetë, meditimet letrare, por të bëhej një qytetar i vërtet i lirisë, i botës humane. Nga publiçistika ai kaloi në letërsi, duke themeluar njëkohësisht një shtëpi botuese me emrin e tij, siç ndodh shpesh në tradicionin francez të botimeve. Edhe pse më parë gjatë katër dekadave ai vetë kishte botuar romane e eseistikë në shtëpitë më të njohura botuese franceze si «Robert Laffont», apo «Albin Michel», kësaj rradhe ai ia lejoi vetes të botonte në edicionet e tij: një lloj testamenti për jetën e jetuar dhe betejat e kryera. Ndoshta si një përshëndetje, një reverancë, jo për vetveten por për shoqërinë që e rrethon, miqtë, ata me të cilët luftoi për një botë më të paqtë dhe më humane.


Itinerare të demokracisë


Yves, ky fëmi i pasluftës i lindur në vitin 1945, ky adoleshent kureshtar për të njohur botën e njeriut, ky i ri i dashuruar tmerrsisht pas letërsisë ku librat u bënë për të si ajri, uji e buka, ai u mëkua me Baudelaire, Monterlant, Camus, duke e gjetur shumë shpejt veten krah golizmit dhe kur pas lëvizjeve të 1968  i hyri aventurës së publiçistikës. Por padyshim, fundi i viteve ‘80 do të përbënte për të një aventurë të re: atë të angazhimit politik. Jo për të qenë politikan, por për tu angazhuar në ripërtëritjen e shoqërisë me vlerat humane të lirisë, demokracisë, të së drejtës edhe pse u lind e u rrit në metropolin e Republikës e të lirisë.


Ishte koha e stuhisë dhe në qiellin e mbyllët u shfaqën konturet jo të qarta të një katedraleje. Një katedrale e krijuar me shtylla të sigurta, në strehë të së cilës qëndroja e ëndërroja. Endrra për një botë tjetër, për një kohë tjetër, për një jetë tjetër. Koha e zgjimit erdhi. Më në fund do të zgjedh aktet që duhen kryer dhe do të mendoj për vlerat që na duhen. Po lija njëherë e përgjithmonë një të ardhme të sigurtë të jetës time por pa fitore, dhe se duhej të rimendoja jetën që do të vinte duke i hapur rrugë imagjinares. Pas apatisë-lëvzija, ndryshimi, pas kaosit shoqëror, frymëmarrja. Fusha e lirisë ka nevojë të vaditet nga lotët dhe djersa e mbrojtësve të saj!”


Muri i Berlinit ra, «bota» e Lindjes europiane po shpërbëhej, kufijtë po hapeshin dhe udhë të reja nisën për demokracitë e reja në Europë dhe në Ballkan, ashtu si dhe në Shqipërinë buzë Adriatikut pas shëmbjes së monumentit të diktatorit. Yves Michalon e kuptoi se këto demokraci të reja, veçanërisht ballkanike, në mungesën e një trashëgimie dhe të një kulture politike, nuk mund të adoptonin menjëherë rregullat perëndimore pa ngritur një shoqëri civile të aftë që të ishte një «kundër-pushtet», siç ndodh në të gjitha demokracitë e vjetra, pa patur një kulturë politike. Një nga takimet e mia të para si ambasador në Paris ishte me Yves Michalon, i cili në atë kohë kishte themeluar shoqatën “Est-Liberté” të mbështetur fuqimisht nga Ministria e Jashtme franceze dhe që kryente shumë misone në Lindjen europiane, e ku Rumania, Bullgaria dhe Shqipëria e më pas Kosova do të ishin vende emergjente ku «Est-Liberté» do të angazhohej fuqimisht.


Pranë tij, në zyrat e tyre në «Rue du Cherche-Midi» gjithnjë ai burrë trupshkurtër me syze optike, Mihnea Berendei, një disident rumuan i cili i kishte shpëtuar « Securitates » së Causheskut dhe kishte gjetur azil politik në Paris ku dhe ishte martuar me një parisiane. Me kujtohen muajt e parë si ambasador në Paris, kur ende nuk isha takuar me presidentin Jacques Chirac për tu akredituar dhe ku më duhej të organizoja konferencën e kryeminitrit të ri Fatos Nano, i sapo dalë nga burgu ku mbahej padrejtësisht nga Berisha dhe ku në Paris ai do të takohej me mediat franceze. Ishte një eksperiencë e parë ku Yves do të më ndihmonte menjëherë, me pragmatizmin e tij të jashtëzakonshëm.


Ajo që ishte primare për « Est-Liberté » ishte ndihma për krijimin e një klase të re politike me frymë europiane në vendet e sapo dala nga diktaturat, duke organizuar seminare e takime të politikanëve të rinj të Lindjes europiane me politikanët francezë, Parlamentin, Senatin, mbi çështjet kushtetuese, të rotacionit politik apo kulturës elektorale (një kalvar i vërtetë për popullin tonë), etj..


Kjo kishte filluar që në vitet e para të viteve ’90, edhe në drejtim të pozitës shqiptare, por që do të vazhdonte dhe më pas, veçanërisht kur shteti shqiptar u shëmb nga dhuna «revolucionare», çka e bënte akoma më të nevojshme krijimin e një elite politike, të aftë për të drejtuar një shtet demokratik të mbështetur mbi shtetin ligjor, liritë themelore të njeriut dhe pluralizmin politik. Por një veprimtari aktive Yves Michalon dhe «Est-Liberté» zhvilluan në drejtim të Kosovës, në mbështetjen e intelektualëve kosovarë që arritën ti shpëtojnë dhunës së Milosheviçit.


Më kujtohen përpjekjet për të vendosur një dialog mes intelektualëve serbë e kosovarë në mjediset e parlamentit francez, ç’ka u pa hapur ndasia e madhe mes dy kampeve. Në librin e tij ai i kujton ditët e trishta kur udhëtonte në ish Jugosllavinë e mbërthyer nga luftrat vllavrasëse. «Trishtimi ishte i pafund ato ditë që kaloja në rrugën drejt Sarajevës, – shkruante ai, – tek kaloja bri atyre fshtarave të shkatërruara me shtëpi të gjymtuara nga lufta. Asnjë frymë. Spektakli ishte i padurueshëm, trishtimi real dhe i jashtëzakonshëm. Me këtë imazh që përjetoja, shkova të takoja Rugovën, prijësin e shqiptarëve të Kosovës në Prishtinë… »


Më kujtohen edhe tani bisedat, takimet me Yves Michalon dhe elitën kosovare në ditë e Konferencës së Ramboullet-së apo pas saj, takimet në ambasadë apo në veprimtaritë me intelektualët francezë që u vunë në ballë të luftës kundër Milosheviçit, si dhe për një Kosovë të lirë e demokratike. Kujtimet me Yves janë të shumta, pasi ai do të ishte gjithnjë i pranishëm në takimet e presidentit Meidani, ministrat dhe kryeministrat shqiptarë, me intelektualët e shquar, etj.


Ishte një mbështetje e nevojshme, e domosdoshme, internacionale, dhe kjo ishte një konstante tek ky njeri progresist që e njohu nga afër Shqipërinë dhe e deshi atë. Dhe energjia e tij ishte e jashtëzakonshme : « 23 takime politike brënda një dite », shënon ai në librin e tij, duke kujtuar takimet e elitave të reja politike të Ballkanit në Paris.


Edhe pse kanë kaluar pothuaj tri dekada, dhe vendet e Europës juglindore kanë bërë një progres shumë të madh, përsëri, ky pinjoll i «Shoqërisë së hapur», aq të dashur për filozofin Paul Ricoeur, i Levinas e Hanah Arendt, përsëri mbetet ende për të bërë. E padyshim, formimi i elitave dhe forcimi i shoqërive civile, mbeten shtylla për vitet që do të vijnë. Dhe ai ka besim në këtë. Merci Yves Michalon! Chapeau Yves!


2 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)