Claudio Fragasso, një prej anëtarëve të jurisë së filmit artistik në Festivalin e 13 të Filmit Shqiptar vjen për herë të parë në Shqipëri. Ai mendon se kinemaja shqiptare është ende në fazë tranzitore, ndërsa mendon se formula e një festivali vetëm kombëtar nuk garanton as garë mes kineastëve dhe as interes te publiku
“Më duket sikur kinematografia shqiptare ka mbetur tek periudha neorealiste, regjisorët duket sikur shkojnë në të njëjtin drejtim, tek rrëfimi i regjimit komunist dhe çlirimi ndaj këtij regjimi. Sigurisht që ka aspekte interesante që trajtohen, por megjithatë mbetet ende një kinema në zhvillim”. Kështu thotë regjisori italian Claudio Fragasso, një prej anëtarëve të jurisë së filmit artistik në Festivalin e 13 të Filmit Shqiptar. Për të është hera e parë që vjen në Shqipëri dhe më herët ka parë vetëm ndonjë film, por pa krijuar ndonjë ide mbi kinematografinë shqiptare. “Po e njoh tani, me këto filma që po shoh sepse të them të vërtetën, filmat shqiptarë është e vështirë t’i shohësh në Itali, përveç rastit kur kanë pasur suksese në festivale të rëndësishme. Në rrethet alternative të kinemasë ku ndonjëherë gjen filma interesantë për të parë, kam parë diçka, por nuk di të them tashmë as titull apo vitin kur është prodhuar. Ata filma specialë që mbërrijnë në Itali janë kryesisht francezë apo gjermanë, për më tepër që Italia është një vend që ecën sipas modës. Vjen moda e kinemasë gjermane e të gjithë shkojnë të shohin filma gjermanë. Nëse një ditë do të vijë moda e filmave shqiptarë, atëherë do të shkojnë të gjithë të shohin filma shqiptarë”, thotë Fragasso, i cili njihet për publikun shqiptar me filmat “Palermo Milano solo mandata” (1995) dhe “Milano-Palermo, il ritorno” (2007). Në dy vitet e fundit, Fragasso është profesor në shkollën italiane “Centro sperimentale nacionale di kinematografia”. Në fakt, teksa e pyesim se cilat do të jenë kriteret e tij të vlerësimit për filmat artistikë shqiptarë, duke qenë i pari kontakt me këtë kinema, Claudio Fragasso thotë se do të kërkojë atë film ku ka art. “Unë kam 40 vjet eksperiencë kinematografike dhe kam qenë pothuajse në të gjithë festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare, herë si pjesëtar i jurisë dhe herë si regjisor. E njoh mjaftueshëm logjikën e kinemasë dhe arrij të kuptoj kur një film është thjesht një realizim dhe kur ka brenda një dinamikë interesante kinematografike. Nuk jam regjisor tipik italian, kam punuar 3 vjet në Spanjë, 5 vjet në Amerikë, 5 vjet në Filipine”, thekson anëtari i jurisë. Për sa i përket Festivalit të Filmit, Fragasso duket se nuk i beson formulës kombëtare që çon rrjedhimisht në një festival rajonal. Sipas tij, kjo bën që gara mes konkurrentëve të mos jetë e fortë, e po ashtu nuk nxit interesin e publikut. “Duhet të ketë pak më shumë bashkëveprim mes kinemasë shqiptare dhe asaj italiane. Ideja për të bërë një festival vetëm me filma shqiptarë, nuk e di se sa e tërheq publikun. Të bësh një tentativë t’i bashkëngjisësh kinemasë shqiptare, atë ndërkombëtare dhe të gjesh një mënyrë për të ftuar aktorë e regjisorë të njohur, që besoj se publiku këtu i mirëpret. Në Itali nuk ekziston një festival kombëtar. Thuajse të gjithë festivalet, duke përfshirë edhe atë italian ‘Giffoni’, që është partner këtu, kanë të gjithë një pjesë ndërkombëtare. Mund të gjesh veç festivale të kanalizuar si dokumentarë apo të filmave të shkurtër që mbahen në qytete të ndryshme të Italisë. Një qytet si Tirana, duhet të tentojë të bëjë një hap më tej. Duhet të tërheqë më shumë njerëz”, thotë Fragasso, i cili ashtu si dhe të tjerë të huaj që e vizitojnë për herë të parë, thekson mikpritjen e njerëzve dhe rakinë e mirë. Mbërritjen e Remo Girones (i njohur për shqiptarët si Tano Karidi) e konsideron një hap i këtij bashkëpunimi. Me të njihet prej vitesh, ndonëse nuk kanë bashkëpunuar. Një ftesë i shkoi nga festivali edhe aktorit tjetër italian, Raul Bova. “Raul Bova është një aktor shumë i angazhuar, po xhiron në këto momente tre filma dhe ishte e vështirë të vinte. Unë kam bashkëpunuar me të, ai është njeri shumë popullor, por atij nuk i pëlqen të shkojë në festivale si personazh VIP, nëse nuk ka për të ndarë me publikun ndonjë film apo ngjarje”, thekson Fragasso, i cili do të vazhdojë të shohë filmat shqiptarë në program e të zgjedhë atë që sipas tij është më i miri. O. Lila