
Vështrim mbi librin “TALLAZET E JETËS (Kujtime, poezi, publicistikë) me autore Selfixhe Ciun
Vera Bekteshi
Selfixhe Ciu Brojën dhe të shoqin e saj Xhemal Brojën i kam njohur përmes tregimeve të prindërve të mi, si gjatë luftës së tyre të përbashkët antifashiste, ashtu edhe pas saj në Tiranë, por mënyra më e mirë për të njohur një njeri është vepra e tij. Unë vetë e njoha, mund të them thellësisht Selfixhenë, përmes Tallazeve të jetës, këtij libri të mrekullueshëm me kujtime, publicistikë dhe poezi. Nuk është e rastit që të gjitha këto gra, pionieret e shkrimit femëror shqiptar, së bashku me rilindëset motrat Qiriazi dhe Urani Rumbo, kanë pika të përbashkëta si të njohjes edhe të tematikës që trajtojnë. Duke qenë e lindur në një familje të kamur por edhe arsimdashëse, ajo pati mundësinë të shkollohej në Shqipëri dhe jashtë saj. Studimet letrare i kreu në Firence në 1937. Në 1940 u martua me Xhemal Brojën në Paris, jo rastësisht në datën 14 korrik, në ditën e Bastijës. Po aty, në Francë ata lidhen me misionet antifashiste dhe në kthimin në atdhe ndihmojnë në transportin e shtypit ilegal në grupin komunist të Shkodrës. Puna e tyre e parë është çelja e librarisë “Shkëndia”. Pastaj gjithë jeta e këtij çifti është një kalavar i gjatë sakrificash përpjekjesh dhe vuajtjesh të pafundme. Por le të fillojmë me shkrimin e poezive të saj që fillojnë në moshën 17 vjeçare në 1935 dhe që botohen në revista e gazeta të kohës me pseudonimin Kolombia. Këto poezi të para janë, siç thotë ajo, dritare, si rrëfime të vetvetes, që Shqipëria jonë e vogël dhe e varfër të përparonte. Është shpirti i trazuar plot dilema dhe ëndrra për liri. Gjithnjë ka qenë e vështirë edhe për gratë e guximshme dhe të talentuara të dalin në arenat domen të burrave, veçanërisht në ato vite, por ata herë pas here detyrohen ta pranojnë ekzistencën dhe forcën e tyre. Në këto poezi ndjehet pesimizmi për realitetin e prapambetur e të varfër shqiptar, por ngre krye edhe revolta dhe shpresa. Edhe në skicat e shumta që vijnë më pas ndjehet dëshpërim dhe me plot të drejtë, por nuk është ai dëshpërim që mbart urrejtje dhe dhunë, ndjehet forca e brendshme e njeriut që e shtyn drejt të vërtetës. Është pyetja e shtruar nga dashuria më parë se nga dhimbja, sepse ajo nuk ka provuar ende ç’ është dhimbja, është e re, e shkolluar, e pasur. Dhimbjen do ta provojë më vonë, tani ka dashuri për ata që vuajnë. Një shqetësim të veçantë në këto skica paraqet gjendja e nënshtruar e gruas shqiptare. Roli i saj i hershëm, si i të gjitha dallëndysheve të tjera të shkrimit, është emancipimi i gruas dhe po aty ajo hedh edhe idenë e guximshme të divorcit, nga ana e gruas, për nëpërkëmbjen dhe zhgënjimin e saj. Mendoni është viti 1936. Ajo që më bën përshtypje në skicën “Dashuri”, është guximi për të paraqitur si personazh negativ një vajzë, sepse emancipim nuk do të thotë vetëm të marrësh në mbrojtje por edhe të kritikosh.
” Unë u ndërgjegjësova – thotë ajo- se të jesh femër nuk është fatkeqësi. Dhe kjo gjë duhet shpërndarë në familje dhe shoqëri.”
Në skicën “Një ditë pazari” ndjehen edhe nota humori për vendlindjen e saj Gjirokastrën, për të cilën nuk zbulon romantizmin, por nostalgji dhe keqardhje.
Në poezitë e më pasme, ato të viteve 60, ndjehet edhe gëzimi i jetës, sidomos deri në 1966 kur fillon për familjen e saj internimi i dytë. Dallohet poezia për të shoqin “Sytë e shkruar” dhe të tjera por sërish gjejmë poezi si Netë pa gjumë, Pleqëria, Vetmia, Hidhërimi, por edhe këngë për vajzat e saj dhe vajza të tjera, për mësuesin, si dhe poezi patriotike veçanërisht për Kosovën, çështje që u bë edhe një nga akuzat e asaj kohe për përjashtim nga partia. Ka edhe poezi për shokët e idealit si Kol Berisha, Asim Vokshi, Musine Kokalari (Muzës, siç e quan me pseudonimin e saj) për nënën, ardhjen e demokracisë etj.
Në këtë libër përshihet dhe një përmbledhje motivesh popullore me këngë të jugut, si edhe të përpunuara. Haset sërish tema e emancipimin të gruas në kushtet e sistemit të ri në të vetmin tregim të botuar në 1957 tek “Bashkimi”.
Në publicistikën e shkruar në vitet 90-të, Selfixhe Broja shkruan për intelektualë të njohur të kohës të vrarë apo torturuar nga regjimi i Hoxhës si kosovari Kolë Berisha, prifti patriot dhe me autoritet të spikatur Luigj Pici, Gjergj Kokoshi, Riza Dani, Kolë Prela, Mirash Ivanaj, Enver Sazani (të gjithë të vrarë nga regjimi diktatorial apo vdekur në burgje), Zef Mala, Zef Prela, Qamil Çela, Anastas Plasari, Hasan Reçi, Asim Vokshi, Petro Marko, Tajar Zavalani, Mila Vangjeli etj. Në libër flitet shumë për Zef Malën, trurin më të ndritur të komunizmit shqiptar, siç e kanë vlerësuar edhe të burgosurit politikë gjatë viteve të gjata të burgut, por që për fatin tonë të keq ishte njeri i mendjes dhe jo i veprimit, përveçse i pakompromis dhe rebel deri në fund, ndaj dhe u eliminua. Është për t’u përmendur analiza e tij për komunizmin:
Komunizmi si ideologji është një utopi, kurse si sistem politik, një regres për njerëzimin.
Dhe mea culpa e tij: Ne që kontribuuam për ardhjen e kësaj kolere, që mbolli zi, lot, gjak e helm në zemrën e popullit, e që shfytyroi imazhin solemn të atdheut, na përket të kërkojmë të falur në gjunjë e me zemër në dorë. Më vjen këtu në mend thënia e Iv Montanit, artistit francez, pas vizitës që bëri në B.S. në vitet 60-të:
Të ishe komunist në vitet 30-të ishte nder, sot në vitet 60-të është një turp.
Të gjithë kemi kujtime – më pat thënë një herë i ndjeri Ardian Klosi – por jo të gjithë dimë t’i shkruajmë. Kujtimet e Selfixhesë janë pjesa më interesante e librit, për mua. Jo vetëm për mënyrën e të shkruarit, jo vetëm sepse ato mbeten një thesar për familjen, por edhe për faktin se ato janë një dëshmi e rëndësishme për historinë e vendit, në dy periudha të tilla si ajo e pushtimit fashist dhe ende më e rëndësishme, periudha e diktaturës së egër të komunizmit tek ne. Selfixheja u burgos në vitin 1942 si organizatore e demonstratës së shkurtit të atij viti. Edhe aty ajo vazhdon misionin e saj emancipues me gratë e gjetura, por me ardhjen e shoqeve të idealit, aty kryhet një organizim kaq i përpiktë dhe efikas, sa që ato janë gjithë ditën të zëna me punë në ndihmë të furnizimit me rroba të leshta për shokët e tyre partizanë. Familja e saj e kamur i siguron lëndën e parë dhe ato të ndara në grupe, tjerrin dhe thurin triko për ta. Nëpër hekurat e burgut ajo i jep Ali Demit, shokut të saj të dashur, një triko të thurur aty dhe, ndoshta – thotë ajo – me atë triko të bardhë, u vra nga dora e tradhtarit në Kaninë. Në faqet për burgun më erdhën kujtime për njerëz shumë të dashur të brezit të prindërve të mi që unë i kam njohur dhe vlerësuar dhe që tani nuk jetojnë më.
Gjithë atmosfera në burg është kaq interesante, sa të vjen “dëshira” ta kishe provuar edhe vetë. Por të shkruara me realizëm, ajo nuk i idealizon, ato shfaqen ashtu siç janë me individualitetin por në ndonjë rast edhe dogmatizmin dhe ekstremizmin, që shoqet nuk përtonin ta vinin në lojë. Pastaj vjen pjesa më e dhimbshme e librit, ndëshkimi nga diktatura me përjashtimin nga partia dhe dy internime, njeri në 1947 në kohën e ‘miqësisë’ me Jugosllavinë dhe tjetri në një internim tjetër masiv në 1966. Kur të dënon armiku yt, të paktën ke moralin të lartë, je dënuar për ideale, po kur të dënon ish shoku i idealeve? Kjo është një brengë e thellë që e kanë provuar shumë e shumë intelektualë e patriotë që gabuan në zgjedhjen e komunizmit si sistemi i të ardhmes, si sistemi i barazisë dhe i lumturisë.
Në vargjet më poshtë është sintetizuar gjendja e trazuar:
Vdekjen civile
Pasaportë xhepi e ndiej me vite
Një jetë të tërë
Në shëmbëlltyrë gogoli
Diktatura më ka kthyer.
Ajo bën më pas pyetjen: A ishte sistemi që i krijonte këto mostra, apo ishin ata që i dhanë trajtë këtij sistemi ogurzi të emërtuar ‘pushtet popullor’, pas të cilit kamuflohej diktatura më e përbindshme? Dhe më pas mea culpa e saj:
Le të vuanim pra, është haraçi që i detyrojmë popullit për atë gur që vendosëm në themelet e sistemit makabër, edhe pse të pavetëdijshëm.
A nuk të kujton kjo Kunderën me Edipin Mbret që nxori sytë e tij, kur mësoi ç’ kish bërë edhe pse i pafajshëm. Sapo lexuam mea kulpën e dy të dënuarve rëndë nga regjimi. Nuk kemi lexuar apo dëgjuar asnjë të vetme nga ata që deri në fund i shërbyen këtij regjimi, as edhe një, po përkundrazi justifikimin se gjithçka është bërë në emër të popullit dhe konform ligjit të kohës.
Po Nurenbergu atëherë, pse u bë? Selfixhe Broja i paraqiti vetëm në shkrim mendimet dhe idealet e saj të larta, por nuk i realizoi dot në shoqërinë shqiptare, ajo i realizoi ato në jetën personale, përmes artit të të jetuarit në një lidhje të gjatë dashurie me të shoqin, vajzat, familjen dhe miqtë e shumtë, duke treguar kështu se ç’do të thotë të kesh ideale. Me jetën dhe veprën e saj ajo nuk rreshti kurrë së kërkuari qartësinë dhe të vërtetën.
29 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)