Regjisori sicilian prezantoi në Tiranë filmin “Ishte i biri”, një komedi e zezë e rendjes së njerëzve ndaj parasë dhe ndaj kulturës mafioze
Oliverta Lila
Regjisori italian, Daniele Cipri, erdhi në Tiranë si i ftuari i ceremonisë përmbyllëse të TIFF(Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë). Mbrëmjen e 2 dhjetorit, u bë projeksioni special i filmit të tij më të fundit “Ishte i biri”, me të cilin u vlerësua për skenarin më të mirë në Festivalin e Venecias. I ambientuar në një nga lagjet më të varfra të Palermos, Zen,(regjisori është sicilian) diku në fund të viteve ’70, filmi, përmes një alegorie therëse vë në fokus sjelljet njerëzore, marrëdhëniet me paranë, me mafien, me dëshirën për t’u dukur…Strumbullari është familja Ciraulo, anëtarët e së cilës(Nicolo me gruan, djalin, vajzën dhe dy prindërit e tij) jetojnë në një varfëri ekstreme. Çdo mëngjes, meshkujt e familjes marrin rrugën të vjedhin hekur në anijet e braktisura në mol. Jeta e tyre merr kthesë kur vajza Serenella gjendet në mes të shtënave për të larë hesapet mes mafies. Tragjedia kthehet në një komedi therëse kur e gjithë familja turret pas një shume të majme që duhet t’u japë shteti për vdekjen e vajzës. Në pritje të kësaj shume, ata ngatërrohen në fajde, në sjellje mafioze dhe në fund, me t’i shtënë në dorë blejnë…një benz. I parkuar para pallatit, ai është trofeu i pasurisë së tyre. Tankredi, i frustruar gjithnjë nga i ati, me shtysën e kushëririt të tij guxon ta marrë një natë, e gërvisht dhe si pasojë gjendet nën tërbimin e të atit. Mund edhe të kishte vdekur nga e rrahura nëse kushëri i tij nuk do ta kishte qëlluar të atin. Por gjyshja e shtëpisë e di se Tankredi nuk është në gjendje të ushqejë 5 gojë më bukë, siç bën kushëriri i tij, ndaj me pistoletën që ia lënë në dorë, pret policinë të vijë ta marrë. Një dramë e fortë dhe një denoncim ndaj sjelljes njerëzore, ndërsa pamjet e ekranit të madh të afronin me një realitet shqiptar. Pas bashkëpunimit të gjatë me Franco Marescon, ky është filmi i parë për Ciprin i realizuar më vete. Organizatorët e TIFF i dhanë regjisorit një trofe mirënjohjeje, e po ashtu edhe drejtoreshës së Institutit Italian të Kulturës, znj. Fulvia Veneziani për mbështetjen ndaj festivalit.
Realiteti që ju sillni nga Palermo është shumë i trishtë. Në çfarë vitesh është ambientuar filmi?
Kjo është një histori e vërtetë e përshtatur sipas librit të Roberto Alajmo(botuar nga Mondadori më 2005). Flasim për një Palermo në fund të viteve ‘70 dhe fillimin e ’80, por për mua nuk ishte e rëndësishme t’i qëndroja besnik realitetit të atyre viteve, pasi shumë gjëra kanë dalë edhe jashtë kohës. Kur shkrimtari, të cilin e njihja, ma propozoi këtë libër, u mendova gjatë, sepse ishte shumë i fuqishëm. Nxitja më e madhe për ta kthyer në film, ishte fakti se gjeta aty atë që doja të tregoja prej kohësh, sjelljen njerëzore në vendin tim, që në këtë rast është universale, por Sicilia më dha mundësi të tregoj karaktere që janë shumë familjare për mua, persona që njoh nga e shkuara dhe përmes tyre tregoj Palermon.
A ka pasur kundërshtime në Itali ky film?
Jo, ndoshta është hera e parë që më ndodh. Kam pasur mirëkuptim edhe nga njerëzit e zakonshëm, jo vetëm nga kritikët, sepse përmes këtij filmi unë nuk dua të bëj moral, por është një reflektim moral. Gjithmonë është dikush që ka një mënyrë të tijën të të parit të gjërave. Kjo që unë bëj është kinema dhe nuk ka njeri që të mund të më kundërshtojë. U pëlqen historia apo jo, kjo është çështje shijesh.
Si e shihni raportin e individit me paranë. Në filmin tuaj deri edhe prifti kërkon lekë…
Këtu nuk bën përjashtim asnjë kategori. Jo vetëm që i kërkojnë paratë, por i duan ato edhe përmes vdekjes. Kjo për mua ishte pika e fortë e librit dhe e historisë së vërtetë ku është bazuar. Më intrigoi fakti që të gjithë ishin të fiksuar pas parave, pas idesë për t’u dukur në sytë e të tjerëve. Paraja shihet si motiv jete, kur nuk duhet të jetë kështu. Nuk ka ndryshuar asgjë në ditët e sotme, përveçse mjeteve që të çojnë atje. Sot kemi lotaritë e të gjitha llojeve, ambicie që na i nxit televizori, kemi gjithnjë e më shumë të rinj që duan të bëhen aktorë, sepse kështu mund të jenë të pasur. Ne jemi në kërkim të diçkaje që nuk e kemi dhe nuk do ta kemi kurrë. Dëshirat tona sot janë virtuale, sepse po përballemi me një botë të tillë, në thelb konsumiste. Por qëllimi im nuk ka qenë t’u bëja moral njerëzve, doja vetëm t’u tregoja dhe t’i bëja të reflektonin. Në radhë të parë ia kam thënë vetes sime këtë.
Mafia, ndonëse jo në qendër të vëmendjes, është trajtuar si një fenomen në filmin tuaj. E vuan ende Sicilia këtë gjë apo tashmë ka mbetur paragjykimi?
Shqetësuese sot është kultura mafioze, e shpërndarë në të gjithë botën. Ne e kemi përfaqësuar për një farë kohe ose më mirë të themi e krijuam, por mafia tashmë është botërore dhe teknologjike. Ne mundemi vetëm ta karikaturojmë duke e treguar edhe përmes kinemasë. Te ne ka mbetur ende sjellja mafioze, jemi pikërisht si De Niro në film. Unë shoh Sicilinë edhe në filmat e Scorsese, ku personazhet kanë sjelljen tipike prej bosi. Kjo do të thotë që Sicilia nuk bën më dallim për këtë gjë.
Kjo është hera e parë në Tiranë. Cilat janë përshtypjet?
Nga kaq pak sa munda të shoh më duket e ndotur, por edhe sikur diçka po ndryshon. Më ngjan me Palermon, ku u lëshuan frerët. Ka një strukturë të ngjashme, pallatet e ngritura aty-këtu me shumë kate. Nuk di të them se arsyet që kanë çuar në këtë situatë janë të njëjta me ato në Palermo, sepse nuk dua t’ju hyj çështjeve politike. Di që po luftohet për të hyrë në Bashkimin Europian, ndaj mund të them vetëm: Fat të mbarë!