KinemaImperial” çel dyert për premierën e filmit “Femrat” me regji të Rudina Vojvodës dhe një kast aktorësh të mirënjohur si Ermal Mamaqi, Salsano Rapi dhe Zamira Kita


Basic RGBMe mbështetjen e “DigitAlb”, vjen në Tiranë premiera e filmit “Femrat”. “Femrat” është një komedi romantike, e para e këtij lloji në Shqipëri pas viteve ’90. I prodhuar nga “Rucksack Productions”, një kompani me qendër në Nju Jork, “Femrat” kombinon talentet më të mira shqiptare me eksperiencën më të mirë të huaj për të sjellë për herë të parë para publikut shqiptar një komedi romantike, në qendër të së cilës është marrëdhënia e shumëdiskutuar mes meshkujve dhe femrave.


“Femrat” është historia e një avokati divorcesh 30-vjeçar, Riku (Ermal Mamaqi), i cili u shmanget lidhjeve serioze nga frika se janë shumë të komplikuara. Për të, jeta është më e bukur kur je beqar, kur ka një mama që ia bën gati të gjitha. Çdo gjë duket se shkon për mrekulli deri ditën kur mamaja vendos t’i gjejë një nuse! Gjithë njerëzit rrotull Rikut duket se i kanë vënë vetes një qëllim: ta martojnë! Filmi tregon përpjekjet e Rikut që t’u “shpëtojë” një morie femrash, nga ato më seksit e inteligjentet, deri tek ato më të zakonshmet që po vdesin për t’u martuar me një burrë si ai. Por, në fund, edhe Riku, si shumë të tjerë, nuk i shpëton dot dashurisë… dhe e gjen atje ku e gjen shumica jonë: në jetën e përditshme, te personi që ka më pak “frikë”. Në film takojmë shumë njerëz, që në jetën e përditshme nuk u vëmë shumë rëndësi, por që në fakt na kanë bërë ne të jemi këta që jemi, si: taksistë nevrikë, gazetashitës cinikë, fqinje të ngjitura, gra të mërzitura me burrat, gra që i duan aq shumë burrat e tyre sa ua nxijnë jetën, vajza që nuk pyesin për meshkuj, vajza që do të bënin gjithçka për t’i pëlqyer një mashkulli, burra e gra që divorcohen për arsye nga më të çuditshmet.