Alda Bardhyli«Jeta ime për të tjerët, ndoshta nuk, nuk e vlen asnji dysh, por për mue ka rëndësi, se asht imja, se mund të përshkohet nëpër faza të ndryshme interesante dhe dikur, tue i këndue në këto fletë gëzimet ose hidhërimet e mia, do të kënaqem ose do të pezmatohem». Haki Stërmilli shkruan kështu në një prej librave më të njohur të letrave shqipe, ose thënë ndryshe një nga romanet që ka njohur më shumë ribotime gjatë periudhës së realizmit socialist «Sikur të isha djalë».


Përballja me të tjerët, një përballje që Stërmilli e njihte mirë dhe në jetën reale( ka qenë kryetar i shërbimit sekret shqiptar në kapërcyell të 1923-›24 ) në këtë vepër ravijëzohet qartë. Përballë të tjerëve, autori vendos Dijen, një vajzë e re që i duhet të vuajë ndjenjat e dashurisë për Shpendin. Në Shqipërinë e viteve kur është shkruar libri, dashuria e Dijes në një truall konservator, ku përcaktimi i fatit të femrës bëhej ende nga familja, ishte gati gati një shuplakë për personazhin. Me një vetëdije intelektuale, kaq kohë më pas ne mund të mendojmë se hyrja nën lëkurën e një personazhi femër ka qenë e vetëdijshme për nga e shkrimtarit. Asnjë karakter tjetër nuk do të pushtonte zemrat e lexuesve, që prej vitesh vazhdojnë ta blejnë këtë libër, se një grua, aq më tepër në vitet kur libri doli nga shtypi, ku bota e gruas ishte një mister jo vetëm për gjininë tjetër. Një prozë tërësisht sentimentale, përmes së cilës Stërmilli bëri ndoshta një nga komunikimet më të vështira me të tjerët, duke futur një personazh tërësisht të brishtë , përballë një mentaliteti përjashtues për femrat, e duke i kujtuar të tjerëve dashurinë.


Ishte viti 1936 kur kjo vepër u botua për herë të parë, për tu ribotuar më pas përgjatë viteve në Prishtinë e Shkup, duke qenë fokus i shumë analizave letrare. Vepra e fundit që Stërmilli do ti jepte lexuesit daton në vitin 1968,(pas vdekjes) ku duket se komunikimi i tij me tjetrin është kushtëzuar nga rregullat e socrealizmit që tashmë kishte pushtuar vëndin. Libri quhet «Kalorësi i Skëndërbeut», një vepër me një titull aspak të zakonshëm për një shkrimtar lirik, vjen si fundi i një komunikimi që ky shkrimtar e intelektual vendosi të kishte me të tjerët (nëse mund ta quajmë kështu përballjen e shkrimtarit me lexuesin), duke u tërhequr nga shkrimi pas hyrjes së komunizmit në vend. Stërmilli u nda nga jeta në vitet 50-të pas një sëmundje të gjatë.


Përtej kontributit të tij si një personazh i angazhuar në jetën social, politike të vendit para dhe pas luftës së dytë botërore, Stërmilli konsiderohet dhe si pararendës i letërsisë së realizmit socialist. Pavarësisht një naiviteti që ndjen teksa lexon letërsinë e shkruar prej tij, ku dominon tema e dashurisë (librat e tij janë si :»Dibranja e mjerueshme» (1923), «Dashuni e besnikri» (1923), «Agimi i lumnueshëm» (1924), «Burgu» (1935)) ajo që shihet lehtë në këtë udhëtim të vonë veprash, është përpjekja e tij për të shkuar tek tjetri, përmes temave që kishin të bënin me njerëzore, dhe sekretet e vogla që mund të kishte secili prej tyre, duke e parë tjetrin përmes vetes, dhe duke e dashur ndoshta më shumë…


Alda Bardhyli


13 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)