Rrëfimet e Dino Çiços së ri për stërgjyshin e tij, i njohur si shpikësi, i cili tentoi të ndërtonte një avion dhe historia e dinastisë së kësaj familjeje në Gjirokastër, qyteti që është përfshirë në ëndrrën për riaktivizimit e aeroportit


Engjëll Serjani



Kur nisesh të shkruash për Dino Çiçon, i njohur si shpikës dhe atdhetar, shkruesi ka mundësi të zgjedhë që të veprojë sipas thënies së vjetër “me një gur, të vrasë dy zogj’. Pra të shkruajë për dy persona, stërgjysh e nip, me të njëjtin emër. Sepse kemi të bëjmë me një rast tipik të traditës së lashtë shqiptare, që pasardhësit të “ngrenë” emrin e një prej paraardhësve te një prej djemve, nipave dhe stërnipave.  Në “dinastinë” Çiço, ky zakon është përsëritur shumë herë. Mjafton të kujtojmë se vëllai i Dinos së Parë quhej Reiz dhe këtë emër, pasardhësit e kanë ngritur sërish te Reiz Çiço, sot një gazetar dhe prezantues i njohur televiziv. Kësisoj, në rastin e familjes së njohur gjirokastrite të Çiçojve, kjo gjë, domethënë të qëlluarit me një gur për të “vrarë” dy zogj, është më se e mundur, sepse të dy Dinot e Çiçove, Dino Çiço i Parë dhe nipi i tij, Dino Çiço i Riu, ashtu si edhe në rastin e dy Reizëve, janë emra të njohur dhe me kontribute atdhetare, qytetare dhe shoqërore. Aq i  vërtetë është  ky fakt, saqë, pikërisht për këto kontribute, ata janë shpallur të dy “Qytetar Nderi” të qytetit të Gjirokastrës. Dinoja i Parë në dhjetor 2010, ndërsa nipi i tij, Dino Çiço i Riu në mars të vitit 2011.  Natyrisht ekziston si mundësi, por në shkrime kjo gjë është e vështirë për shkak të periudhave dhe kohëve të ndryshme kur kanë jetuar dhe vepruar këto dy personazhe të spikatur të Gjirokastrës. Fillimisht ne do të mjaftohemi vetëm me …


…Ca fjalë për Dino Çiçon e gjallë


Sidoqoftë, ne bëmë një zgjedhje tjetër, po kaq interesante në këtë rast, morëm rrëfimet e Dino Çiços të Riut për Dino Çiçon e Parë. Përpara nisjes së rrëfimit, sikurse theksuam më lart, ia vlejnë disa fjalë për profilin e Dinos së gjallë, pasi kështu do të lehtësonin disi të kuptuarit nga lexuesi të natyrës së rrëfimtarit në këtë histori. Ekonomist në profesion, por edhe shkrimtar, poet, historian, veprimtar i spikatur politik dhe shoqëror, mësues, njeri me një vizion të qartë demokratik, një pasardhës i denjë për emrin që ka Dino Çiço. Në shtëpinë e Çiçove në janar të vitit 1991, nën goditjet e gurëve të hedhur nga nostalgjikët e sistemit komunist mbi çatinë e gurtë të saj, u themelua dega e PDSH për Gjirokastrën dhe Dino u zgjodh nënkryetar i grupit nismëtar. Por ky nuk ka qenë i vetmi pozicion i tij në qytet dhe shoqëri, ai ka qenë kryetar i parë i Bashkësisë Islame të Myftinisë së Jugut dhe njëkohësisht edhe nismëtar i Komisionit për Mëkëmbjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Dioqezës së Jugut bashkë me nismëtarin Alqi Janin, përfaqësues i ish-Kryegjyshit Botëror, Baba Reshat Bardhi, për ngritjen e institucioneve të besimit bektashian, bashkëpunëtor i Sheh Jonuz Shehut për ringritjen e besimit helvetian. Ai ka qenë anëtar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, anëtar i Lidhjes Botërore të Poetëve dhe zv.president i Lidhjes Letrare “Pegasi”, nënkryetar i Shoqatës Labëria dhe kryetar i degës së Shoqatës për Veprim Demokratik të Institutit Demokratik Amerikan. Për vite me radhë ka punuar si shef plani dhe drejtues kryesor në disa ndërmarrje shtetërore gjatë dhe pas regjimit komunist, ka dhënë mësim në shkollën e mesme industriale dhe në degën ekonomi të Filialit të Universitetit të Tiranës. Ai është autor i një numri të madh artikujsh në shtypin kombëtar dhe lokal për disa figura atdhetare të mohuara dhe harruara, si Javer Bej Rushiti e Hazis Xhekon, ndërkohë që ka botuar 8 libra, tre me poezi, tre me fabula dhe dy libra me përralla për fëmijë. Titujt e librave të botuar prej tij: “Eci në dhimbjen time”, “”Fillon të ngrohë dielli i akullt”, “Nuk i dua retë”, “Kam dajko kalin”, “Kush do bëhet mbretëreshë”, “Është gomar vërtet gomari!”, “Ariu në Afrikë” dhe “Dhelpra avokate”. Bashkëbiseduesi im, Dino Çiço, i Riu, më thotë se ka gati për botim romanin “Një vrasje në rrugën Bardhyl”, dy vëllime të tjera me fabula, një vëllim me poezi, disa novela dhe tregime që synon t’i botojë në një vëllim, dy monografi, një për Gjirokastrën dhe një për Liceun Francez të Gjirokastrës, si dhe një libër me kujtime “Ngjarjet midis janarit dhe prillit 1991”.


Fisi dhe banesa monument e Çiçojve


Shtëpia e Çiçojve është njëkohësisht pallat dhe kështjellë guri, vendosur në faqen veriore të lagjes “Hazmurat”, ndërtuar rreth 6 breza më parë, më tregon pasardhësi Dino Çiço (i riu). “Shtëpia është ndërtuar nga stërgjyshi, gjyshi i gjyshit tim, Dinos së Parë. Kemi gjetur një gravurë të vjetër të Gjirokastrës, ndoshta i përket fundit të shekullit të 17-të, ose fillimit të shekullit të 18-të, gravurë që krahas pamjes së qytetit, ndodhet edhe shtëpia jonë”, thotë ai. Shtëpia është në listën e monumenteve të kulturës dhe për shkak të kujdesit të vetë familjes që vazhdon të jetojë aty, paraqitet në gjendje më të mirë krahasuar me shumë banesa të tjera monument të zonës së mbrojtur historike të Gjirokastrës që janë shembur e rrënuar, ose janë në rrënim e sipër. Familja Çiço është një nga 105 fiset dhe mbiemrat e lashtë gjirokastritë. “Në të gjitha kohërat dhe periudhat e historisë, fisi dhe familja Çiço ka qenë në krah të Shqipërisë”, thotë bashkëbiseduesi ynë. Studimi i historisë së familjeve të vjetra gjirokastrite dhe vetë qytetit të Gjirokastrës, sipas tij është mjaft i vështirë, pasi mungojnë dokumentet e shkruara, sepse arkivat janë djegur disa herë deri në Luftën e Dytë Botërore. Nga jeta dhe veprimtaria e patriotit dhe shpikësit Dino Çiço, familja posedon sot vetëm një fotografi, një tekst të nekrologjisë të shkruar nga publicisti i njohur, Jorgji Meksi, të nxjerrë nga arkivi i gazetës “Demokratia”, disa këngë të përcjella gojë më gojë dhe disa artikuj të shkruar në organe të ndryshme gjatë kohës kur ai eksperimentonte për ndërtimin e aeroplanit të tij me të cilin hyri në histori, si dhe disa pjesëza të motorit dhe trupit të aeroplanit që në fakt ruhen në muzeun e qytetit.


Në familjen e Dinos së Parë me 8 fëmijë, tre fëmijë vdiqën në kohë të ndryshme: i pari u vra “hataje” (aksidentalisht), një vajzë vdiq nga një epidemi e “gripit spanjoll”, ndërsa i treti Njiazi Çiço, ish-themelues i grupit komunist të Gjirokastrës, kushëri i dytë dhe bashkëluftëtar i Bedri Spahiut dhe bashkëluftëtar i dëshmorit Astrit Toto, u zhduk pa lënë gjurmë në kampet naziste të përqendrimit. “Gruaja e Dinos, gjyshja ime quhej Adile dhe ishte nga fisi i Çeno i Palortosë, djali i vëllait të saj, Musa Çeno, u vra dëshmor në Luftën Nacionalçlirimtare. Tri vajzat e Dinos, hallat e mia ishin martuar në “dyer” të njohura. Halla e madhe ishe martuar në familjen Xhango me Esatin, vëllain e Avokat Xhangos të njohur në Stamboll. Ajo kishte fëmijë Sami e Shaqir Xhango aktiv të Luftës Nacionalçlirimtare dhe pedagog në ekonomi. Halla e dytë ishte e martuar në familjen Kondi nga Skrapari, burri i saj, Ali Kondi, e mbylli karrierën e tij si prokuror ushtarak, ndërsa halla tjetër ishte martuar me një katolik nga Puka, Bash Gega e quanin”, tregon Dino.


Historia atdhetare dhe shpirti qytetar i fisit Çiço ka tri momente kontributesh të përsëritura historike, vitin 1900 kur Dino Çiço u përfshi në lëvizjen antiosmane për pavarësi kombëtare, në vitin 1940 kur pasardhësit e tij u përfshinë pa asnjë rezervë në luftën antifashiste dhe në vitin 1991 kur me iniciativë të Dino Çiços së Dytë, shtëpia e monument kulture u kthye në selinë e të parës parti opozitare në Gjirokastër.


Kush ishte patrioti Dino Çiço i Parë?


Sipas rrëfimtarit tonë, Dino Mehdi Çiço, Dinoja i Parë, atdhetari dhe shpikësi Dino Sako Çiço, ishte fëmija i dytë ndër 5 fëmijët e Sakos. Ai lindi në 26 gusht të vitit 1863 dhe u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare në 31 mars të vitit 1939, duke përjetuar dhe marrë pjesë drejtpërsëdrejti në disa prej ngjarjeve më të shënuara të historisë kombëtare si: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kryengritjet antiosmane, pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Vlorës, ngritja e shtetit dhe monarkisë shqiptare etj.


“Nga këngët që këndohen për të dhe nga tregimet që kanë kaluar në gojë më gojë, Dino Çiço qysh në moshën 18-vjeçare ka bërë pjesë në çetat patriotike që mbështetën Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Më pas, në periudhën e kryengritjeve antiosmane, ai ka ngritur çetën e tij të luftëtarëve gjirokastritë, çetë e cila u radhit përkrah çetave të tjera të Gjirokastrës dhe Labërisë në luftën kundër pushtetit turk. Gjatë periudhës para shpalljes së pavarësisë, Dino Çiço u dënua tri herë “fermali” (turqisht: shkelës ligji) nga autoritetet e Perandorisë. Ai mori pjesë në përpjekjet për ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë me Hasan Xhikun dhe u përfshi në luftën për mbrojtjen e tërësisë territoriale nga ushtria greke”, rrëfen pasardhësi me të njëjtin emër. Në një letër të Hasan Xhikut, sipas tij, shkruhet: “Mora urdhër nga Ismail Qemali që të takohem me çetat e Çerçiz Topullit, Dino Çiços, Vasiarit dhe S. Musait në Manastirin e Cepo”. Dino Çiço, sikurse përjetësohet edhe në këngët popullore, “Dino Çiço kapedani / si s’u trembe nga junani”, së bashku me shumë luftëtarë të tjerë gjirokastritë dhe lebër luftuan dhe bënë rezistencë me armë në “Pesë Puset” në Janinë për të ruajtur tërësinë territoriale në 1913-‘14. Në atë kohë të vështirë populli fiksonte në këngë historinë: “Janina çerek Stambolli, / Kije mendjen nga Moskovi,/ Greku te Gjoli të dolli,/ Artë e Prevezë ç’t’i mori”.


“Tim atë Mehdiu më tregonte se, kur forcat greke të Venizellosit u futën hapasës (fshehurazi) në Gjirokastër në 1914, një “hafie” spiunoi te grekët se në shtëpinë e Dino Çiços janë strehuar luftëtarë të armatosur. Një grup ushtarësh dhe një oficer grek u dërguan për kontroll. Patrulla greke u afrua te porta e madhe e shtëpisë dhe i ra çokut të portës. Gjyshi u përgatit për t’u përplasur me armë me ushtarët grekë, pasi më parë kishte larguar fëmijët dhe gratë. Bashkë me luftëtarë të tjerë të familjes 4 vëllezër dhe 6 djem të xhaxhallarëve u vendosën në frëngjitë e shtëpisë-kështjellë gati për zjarr. Oficeri grek që e kuptoi shpejt situatën, u tremb dhe u tërhoq nga kontrolli i shtëpisë duke e goditur spiunin. Pas kësaj ngjarjeje, gjyshi u largua për të vazhduar luftën së bashku me mikun dhe bashkëluftëtarin e tij, Ali Delua, nga Kallarati i Vlorës”, rrëfen Dinoja i gjallë.


Bëmat e Dino Çiços humbasin te historia e aeroplanit


Gjatë gjithë kohës, qysh se isha i vogël dhe kam dëgjuar për herë të parë emrin e Dino Çiços, e deri më sot që po dëgjoj me vëmendje rrëfimin e pasardhësit të tij me të njëjtin emër, kam menduar se ky Dino Çiço ka qenë vërtet një njeri i madh dhe i ditur, por se emri, historitë dhe bëmat e tij, fatkeqësisht humbasin te historia e aeroplanit.


Për herë të parë “zyrtarisht”, emrin dhe bëmat e tij që lidhen me shpikjen e “aeroplanit të Dinos” i gjejmë në romanin “Kronikë në gur”, romani i trokitjes së fortë në letërsi dhe vepra më thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Ismail Kadaresë. Gjirokastra, qyteti që të fton në magji dhe aventurë, sikurse shprehet edhe vetë Kadare në këtë roman, “duket sikur qyteti është ngritur për të zgjuar ide të mëdha”. Natyrisht që, Gjirokastra dhe gjirokastritët duhet t’i jenë mirënjohës të përjetshëm këtij Dinos, sepse një nga idetë dhe ëndrrat më të mëdha të njerëzimit, ka qenë ideja e fluturimit. “Shpikësi i qytetit tonë, Dino Çiço, përgatitet për një udhëtim në Hamburg. Me këtë rast hedhim poshtë me përbuzje artikullin e një gazete të Tiranës me titull: “Një i çmendur në pragun e luftës botërore përpiqet të bëjë një shpikje për të mbrojtur qytetin e vet”. (Ismail Kadare. “Kronikë në gur”, Onufri 2000, f. 89). Kështu nis grotesku kadarejan të flasë për shpikësin Dino Çiço në parakapitullin “Nga Kronika”, ndërkohë që në faqet e tjera të romanit, ndoshta përtej groteskut, apo ndoshta në kufi të “reales dhe ireales”, ky personash misterioz, historik dhe letrar, merr disa cilësime të tjera nga Kadare, si: “qytetari Dino Çiço”, “i çuditshmi Dino Çiço”, apo shkruan “Dino Çiço nuk merret me gjëra të kota”.


Pas Kadaresë me Dino Çiçon merret edhe Enver Hoxha. Në librin e tij “Kujtimet e Vegjëlisë”, Enveri shkruante: “Më tutje, i rrethuar me kavakë, na shfaqet mulliri i Dino Çiços. Ky mulli ishte kufiri deri ku ne, të rinjtë, ecnim me këmbë; Dino Çiçoja ishte “fundi i dynjasë”. Ai ishte për ne një njeri misterioz, i marrë apo i ditur, pse flitej që mbyllej në odë dhe diçka bënte. Ky njeri pa shkollë mundohej të shpikte një makinë, që “do të lëvizte pa u ndalur kurrë”. Këtë makinë, ai dhe njerëzit e tij e quanin “Devri Daim”, (Nga turqishtja, ekuivalente e shprehjes latine perpetuum mobile. Në rastin konkret me kuptimin: makinë në lëvizje të përhershme, që ecën në tokë, fluturon në ajër, lundron në det etj). Kjo “e famshme” makinë, të cilën e bënte vetëm me dru që e gdhendte vetë me një biçak prej çobani, që “të punonte, të fluturonte, apo të notonte”, sipas tij, nuk kishte nevojë as për ajër, as për benzinë, as për naftë! Dinoja rrinte në lagjen Hazmurat, atë e shihnim rrallë të dilte, vishej me poture të zeza, me qylaf të bardhë dhe me shark të bardhë.


– Mirëmëngjesi, xha Dino, – i thoshim ne, nxënësit, kur e takonim në rrugë, – kur do ta nxjerrësh “Devri daimin”? Ai na përgjigjej, – Durim, mor djem, pa do ta shihni.


Po “devri daimin” ne s’e pamë kurrë, megjithëse edhe në Vjenë e shpunë Dino Çiçon. Ai shkoi vetë atje i shoqëruar me “të famshmin” Xhevat Kallajxhinë (Hundashin), po u kthyen andej pa zhurmë, pse “shpikja” e tij nuk ishte veçse një mekanizëm i thjeshtë sahati prej druri” (E. Hoxha “Vitet e Vegjëlisë”).


Për groteskun e Kadaresë, nuk shprehet, por “kujtimet” e Enverit, pasardhësi me të njëjtin emër, Dino Çiço i Riu, i konsideron marrëzi të pasakta, ose më shprehimisht me dialekt gjirokastrit “gjë po gjëra”. “Kadareja është shkrimtar dhe kur bën letërsi ka të drejtë të përdorë mjete shprehëse letrare, por kur shkruhen kujtime, autorit nuk i lejohen pasaktësi. E them këtë, sepse Enveri shkruan e thotë se Dino Çiço shkoi me Xhevat Kallajxhinë në Vjenë. Kjo nuk është dy herë e vërtetë, sepse Dino shkoi në vitin 1932 në Hamburg të Gjermanisë, pra jo në Vjenë dhe jo me Xhevat Kallajxhinë”, kundërshton pasardhësi. Në fakt, rrëfimi i tij për realizimin e projektit të aeroplanit sipas shprehjes turke “devri daim”, apo shprehjes latine “perpetum mobile”, përafrohet më shumë me përshkrimet letrare të Kadaresë në roman, kur ai (rrëfimtari në roman) së bashku me gjyshen shkuan për vizitë në shtëpinë e Dino Çiços. “Gjyshi skiconte dhe eksperimentonte në patin e sipërm, në “odanë e madhe”, aty ishte vendosur edhe motori dhe një pjesë e trupit të aeroplanit. Por disa punë të rëndomta ai i kryente edhe në qilarin e “patit të poshtëm”. Ai kishte njohuri të mira për aerodinamikën dhe përpiqej që me këtë projekt të realizonte diçka të dobishme duke shfrytëzuar ligjet fizike të aerodinamikës”, rrëfen pasardhësi. Sipas tij, udhëtimi për në Hamburg, u sponsorizua nga dy fizikanë gjermanë, të cilët një pjesë të skicave të projektit të aeroplanit i kanë arkivuar në Muzeun e Zhvillimit të Shkencës dhe Teknologjisë. Në vitin 1980, një pjesë e skicave janë përdorur në një punim shkencor për mbrojtje doktorature në Gjermani, ndërkohë që emri dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar një aeroplan sipas parimeve të aerodinamikës janë të pasqyruara në disa enciklopedi italiane dhe franceze.


“Dino Çiço e Bejo Kërma


Ç’i vanë katiut brënda”


Për të qenë të vërtetë, duhet pranuar se para se të shkruanin I. Kadare dhe E. Hoxha për Dino Çiçon, këtij Dinos i këndohej një këngë e bukur që lidhej me një histori reale. Pasardhësi Dino rrëfen përsëri: “Historia nis me arrestimin dhe burgimin pa asnjë shkak të tim gjyshi Dino dhe dy miqtë të tjerë të tij nga kadi Rakip Çanua. Të tre i mbyllën në “hapsanat me shtatë penxhere” të kalasë së Gjirokastrës. Ata u miqësuan aty edhe me Bejo Kërmën, një patriot e luftëtar nga Progonati i Kurveleshit. Nëna e Dinos mundi të futë brenda burgut bashkë me ushqimet edhe disa sende për të lehtësuar arratisjen nga burgu, një litar dhe një sharrë për të prerë hekurat e dritares së qelisë”. Sipas rrëfimtarit kënga popullore e përjetëson kështu dënimin pa faj të Dino Çiços: “Dino Çiço more djalë/S’ta bënë mirë davanë/Duhet hedhur Rakip Çanë/Jakup Bimbash budallanë/…Dinos i shkoi litari/Në këmbë ra kapedani”. Dy vargjet e fundit të këngës, kanë lidhje me incidentin që u ndodhi katër të burgosurve në momentin e arratisjes. “I pari zbriti me litar Kanan Hirua, i dyti Bejo Kërma, i treti Ali Delua, një mik i vjetër i Dinos nga Kallarati i Vlorës dhe i fundit u lëshua vetë Dinoja. Litari u këput dhe Dino u rrëzua në tokë përfund mureve të kalasë. Vetëm hapja si parashutë në ajër e fustanellës me “100 kute” e shpëtoi atë nga vdekja”, vazhdon rrëfimin pasardhësi. Para arratisjes, thotë ai, të katër shokët kishin vendosur që të vrisnin kadiun Rakip Çanon. Por kur shkuan në shtëpi nuk e gjetën. Aty gjetën vetëm gratë e shtëpisë. Në këto rrethana, ata rrëmbyen të gjitha paratë që gjetën dhe me to financuan ndërtimin e dy shtëpive për dy familje të fukarenjve të Gjirokastrës, shtëpinë e Ali Dekos në Hazmurat dha të Zeman Tenës në Palorto”, tregon pasardhësi me të njëjtin emër. Ndërkohë që kënga më e përhapur dhe kënduar për bëmat e Dinos së Parë është kjo: “Një natë pa dalë hëna/Dino Çiço e Bejo Kërma/ Ç’i vanë kadiut brënda/ I vanë drejt e më zonja/ Zonjatë në këmb u ngrenë / Rri Dino të pish kafenë/ -Jo zonjë, se s’ta kam ngenë/ Se më pret Bejua në derë/ Po tregomë moj çekmexhenë”. Çekmexheja, sipas pasardhësit, ishte sirtari apo kasaforta ku kadi-efendiu mbante paratë dhe florinjtë.  Keqdashësit, të shiturit dhe kundërshtarët e Dinos, u përpoqën ta interpretonin ngjarjen si një grabitje të rëndomtë e të arratisurve nga burgu, por akti bamirës për ndërtimin e shtëpive të fukarenjve dhe pasuria e madhe që kishte Dino Çiço, në tokë bujqësore, kullota, 3 mullinj dhe mijëra kokë bagëti të imta, bëri që populli të krijonte përsëri këngë për të përjetësuar bëmat e Dinos: “Dino Çiço o lule/ më 3 mijë dhën plle/ Kur shkoje për Sarone (kullota në Konispol)/ Mushk e kuqe salltane/ Stani yt porsi teqe”.


Ndërsa miku dhe bashkëluftëtari i tij, Ali Delua nga Kallarati, u vra pabesisht vite më pas në Dukat të Vlorës dhe populli historinë e tij e përjetëson kështu në këngë; “Atje në qishë të bardhë/Ali Delua Lule djalë/ Bëre poshtë për në stanë /Deshe ujë, e ujë s’të dhanë/Ju shpove qentë me kamë/ Ali Delo Kallarati / Djalë mos shko nga Dukati/ Se do të të vrasë Murati”. Dhe kështu ndodhi vërtetë, thotë rrëfimtari ynë.


Nga ëndrra e Dino Çiços te dëshira e gjirokastritëve për aeroport


Kanë kaluar shumë dekada që nga dështimi i ëndrrës për ndërtimin e një avioni të këtij personazhi të çuditshëm gjirokastrit, por Gjirokastra dhe gjirokastritët nuk kanë hequr dorë nga dëshirat e tyre të çuditshme. Qyteti tashmë është përfshirë nga dëshira për të riaktivizuar aeroportin e vjetër të qytetit për ta përdorur atë për nxitjen e turizmit. Pak muaj më parë ministri aktual i Transportit, Haxhinasto, tha se qeveria do të ndërtojë në Jug të vendit një aeroport civil. Kaq u desh që në qytet të fillonte një lëvizje qytetare duke krijuar edhe një forum e lob gazetarësh, intelektualësh, deputetësh dhe politikanësh lokalë, me idenë e nxitjes së qeverisë për realizimin e këtij projekti, i cili sipas këtij grupimi do të ishte një shans i madh për zhvillimin e mëtejshëm të zonës. Në këtë grupim u përfshi edhe Dino Çiço i Riu, nipi i njeriut që kohë më parë i bë i famshëm për tentativën për ndërtimin e një avioni. Disa mbetje të pakta të avionit, disa akse dhe ingranazhe druri dhe metali me të cilat u përpoq të ndërtonte aeroplanin e tij, Dino Çiço i Parë, përpara rreth 100 vjetëve, tashmë ruhen në muzeun historik të qytetit.