13706078_10209984291474069_1304900566_nNdoi: Erdogani riktheu besimin tek Turqia


Drejtori I Arkivave të Shqipërisë Gjet Ndoi, përmes një mesazhi drejtuar homologut të tij turk Ogur Unal shpreh solidaritetin mbi ngjarjet e fundit në Turqi, duke thënë se ky vend është I rëndësishëm për raportet me shqiptarët.” Përcolla para disa orësh ngjarjet tronditëse në Turqi, që kishin të bënin me destabilitetin kushtetues të vendit. Kjo situatë në ato çaste dramatike, përcolli tek ne frikën për lufte civile. Dalja e presidentit turk Erdogan në aeroportin e Stambollit në prani të mijëra qytetarëve ishte një çast inkurajimi dhe rikthimit të besimit te Turqia, ky vend kaq i rëndësishëm për rajonin dhe për ne shqiptaret do te vazhdoj rrugën e modernizimit dhe prosperitetit të saj. Gjatë gjithë kësaj drama që ndodh në Turqi ju kam kujtuar ju personalisht dhe familjen tuaj”, thuhet në mesazhin që kreu I arkivave shqiptare I drejton Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave të Turqisë Ugur Unal. Shqipëria dhe Turqia kohët e fundit kanë pasur një rritje të marrëdhënieve sidomos në fushën arkivore. Duke patur parasysh faktin që mijëra dokumente mbi vendin tonë ndodhen në arkivat turke, drejtori I Arkivave shqiptare ka nisur një lobing për ti kthyer sa më shpejt në atdhe këto dokumente që do ti shërbejnë njohjes më së miri të historisë sonë. Në vizitën e fundit që Ndoi pati në arkivin qendror të Stambollit bëri të mundur të kthente në arkivat shqiptare mijëra dokumenteve me rëndësi historike kombëtare. “Qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i dokumenteve nga të dyja palët në formë elektronike. Gjatë bisedimeve me palën turke, që kryesohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Turqisë z. Ugur Unal dhe nëndrejtori i Përgjithshëm z. Sebahattin Bayram, u ra dakord që të kryhen modalitetet e nevojshme, që edhe me mbështetjen e TIKA-s të fillohet nga puna nga të dyja palët”, do të shprehej  Ndoi për gazetën Shqip. Një pjesë e dokumenteve flet për mënyrën e administrimit të tokës, apo jetën politike të Ismail Qemalit në Turqi. Ka pasur përpjekje të vazhdueshme nga ana e Ismail Qemalit për të bindur qeverinë osmane t’u jepte shqiptarëve autonominë. Ismail Qemali mendonte që në vend të regjimit absolutist të sulltanëve osmanë të vendosej një monarki kushtetuese parlamentare, e ngjashme me atë të disa vendeve të Europës. Mehmed Said Pasha, ish-kryeministër i Turqisë, shkruante në kujtimet e tij (më 1912) se, bashkë me promemorien, Ismail Qemali i paraqiti sulltanit edhe projektin e një kushtetute, të cilën ai (Said Pasha) e quante si më të përshtatshme për vendosjen e një regjimi parlamentar në Perandorinë Osmane. Miratimi i një kushtetute të tillë do t’u hapte rrugën reformave decentralizuese, me zbatimin e të cilave pushteti lokal do të kalonte në duart e vendasve dhe të përfaqësuesve të të gjithë popujve të Perandorisë. Një mori dokumentesh në osmanisht tregojnë mbi aktivitetin politik të Ismail Qemalit, shumë pak i njohur në historinë tonë. Interesant është fakti që në një pjesë të dokumenteve flitet për një personazh shumë pak të përfolur në historinë tonë, por që ka qenë një personazh me ndikim në atë periudhë. Ai është Bib Doda, i quajtur ndryshe dhe si princi i trevave katolike të veriut. Sipas drejtorit Ndoi janë 57 regjistra apo (Tahire siç i quajnë turqit) për Shqipërinë në Arkivat Otomane, nga 980 regjistra të asaj periudhe. Është interesante fakti se regjistri i parë hapet me Shqipërinë, çka tregon vëmendjen që ka pasur Porta e Lartë ndaj vendit.