Alda Bardhyli
Në rrëfimin e saj të ndjerë Ema Andrea thotë se ndihet fajtore që s’mundi të bënte diçka që aktori i madh shqiptar të interpretonte vetëm njëherë të vetme në skenën e Teatrit Kombëtar shqiptar. Në bisedat që pati me të në Beograd, vetë aktori nuk e fshihte dëshirën e madhe që kishte qenë gjithnjë më të, të interpretonte në gjuhën shqipe. Branka Petroviq, gruaja me të cilën ai vuri kurorë kur ishte vetëm 32 vjeç, dhe që e kishte njohur para se të shkonte ushtar, thotë se gjatë gjithë jetës së tyre bashkëshortore ky ishte i vetmi peng i tij. Kur në vitin 1967 ai interpretoi te filmi “Mbledhësi i puplave”, film që do të shënonte dhe hapin e sigurt të karrierës së tij ndërkombëtare, Bekim Fehmiu nuk mund ta mendonte se zgjedhja që ai kishte nisur të bënte duke u nisur thjesht nga pasioni, do ta ndante dhe paragjykonte nga ata njerëz që ishin gjaku i tij. Në Kosovë, pati gjithnjë zëra që nuk e pranuan faktin që ai interpretoi në gjuhën serbe. Pavarësisht shkëlqimit që karriera e tij kishte nga viti në vit, në Prishtinë, apo në Gjakovën ku ai lindi shumë njerëz e paragjykuan thjesht pse kishte zgjedhur të “jetonte në Beograd”. Ishin dy dashuri që e mbajtën aktorin në këtë vend, Branka gruaja me të cilën do të kishte dy djem, dhe kinematografia hapësira për interpretim. Të dyja këto dashuri do t’i kushtonin shumë aktorit, i cili gjatë gjithë jetës nuk mundi të ishte i qetë nga ajo çfarë mendonte “atdheu i tij”. Ky mendim u fut dalëngadalë brenda trupit të tij, duke u rritur çdo vit e më tepër, për t’u kthyer më pas në një mendim torturues nga i cili nuk mund të shpëtonte asnjëherë. As skena, as triumfet e njëpasnjëshme nuk do të hiqnin nga trupi i tij mendimin se në Kosovën që e kishte gjithnjë me vete, serbishtja që ai fliste në teatër dhembte shumë. Branka e dinte këtë gjë, e ndiente sa herë duartrokitjet e publikut në sallë pas një shfaqjeje nuk mjaftonin për të, ndoshta se nuk ishin duartrokitjet e publikut që ai do të donte të kishte. Dashuritë e mëdha kanë gjithnjë çmime të mëdha, e ky ishte çmimi që Bekim Fehmiu e pagoi me dhembjen e tij. Kur u kthye nga Cana më 1967-n e tërë Jugosllavia e priti atë si hero.
Bekim Fehmiu ishte hero në të gjithë filmat ku interpretoi apo rolet që ngjiti në teatër. Portreti i tij, dukej se i përshtatej aq mirë çdo roli që i besohej. Por sërish vështrimi i tij mbeti pas në Kosovën, që ishte në një betejë të vazhdueshme me vendin ku ai kishte vendosur të jetonte. Në vitet ’80, Bekim Fehmiu fillon luftën e tij të heshtur për Kosovën. Është koha e luftërave në ish-Jugosllavi dhe kur propaganda antishqiptare bëhet më e ashpër dhe në teatër, ajo që shënon dhe tërheqjen e tij të heshtur nga teatri. Dhe pse besonte se fjala për aktorin është gjithçka, i ndodhur në një pozitë ku fjalën e tij askush nuk mund ta dëgjonte, ai zgjodhi të heshtë. Heshtja e tij ishte një kundërvënie e tij ndaj sistemit, ndaj asaj politike që e kishte mbështetur ëndrrën e tij për teatër, por ndaj së cilës ai s’mund të rrinte indiferent ndaj fatit të vendit të tij. Në familjen e Bekim Fehmiut, Branka ruan ende një letër që ai e shkroi më vitin 1982, pasi vizitoi familjen në Prishtinë. Një letër tepër e ndjerë ku aktori hedh gjithë shpirtin, të cilën nuk e ka përfshirë as në librin me kujtime që ka botuar “Shkëlqim dhe frikë”. Kosova mbeti një peng në jetën e Bekim Fehmiut, një peng që u rrit çdo ditë e më tepër në mendjen e tij. Një peng torturues, prej së cilës ai vendosi të shpëtonte përgjithmonë më 15 qershor të vitit 2010, teksa i dha fund jetës në shtëpinë e tij në Beograd.