*Poezi
Të gjitha netët e Katerinës shkuan duke ngjitur shkallët, por në të gjithë shkallët ajo nuk ngjitej asnjëherë njësoj.
Katerinës i pëlqenin muret e çdo kati
“Kjo mund të tingëllojë e çuditshme për ata që preferojnë ashensorin”, mendonte ndonjëherë në katin e tretë duke mbështetur dorën e majtë në murin e ashpër me aq kokrriza mbetur nga një llaç gëlqereje që Kadaresë në fakt, i pëlqente më shumë se një herë ta shkruante në dy romanet e tij.
Një rekord ky, që nuk e theu me Dostojevskin por vetëm me Markezin, të cilit mesa dukej
gëlqerja i pëlqente vetëm kur fliste për qivure dhe të vdekur.
Natyrisht, Katerina ndalej në mermerin e 16-të të shkallës dhe i mendonte të gjitha këto tek i binte fytyrës një vello urtësie
Më pas e hiqte ngadale dorën nga ajo ashpërsi në mur dhe ndalej.
Nxirrte me kujdes një çamçakëz nga goja dhe e ngjiste në portën e një besimtareje të ve që mbeti e shurdhër pas vdekjes së të shoqit
Një shenjë kjo që i kujtonte një marrëdhënie të ndërlikuar të vetën dhe retë që kish vizatuar në murin e katit të dytë.
Katerina ishte krejt me stomak të prishur atë dhjetor tek vizatonte një vizion pesimist të realitetit njerëzor.
Ishte një dhjetor i zymtë që edhe pasi villte nuk e merrte gjumi
dhe përtonte të ndizte radion,
kur hynte në shtëpi.
Katerina kuptoi se ajo natë ishte më e trishta në jetën e saj
duke ngjitur shkallët
Fare rastësisht
Duke ngjitur shkallët,
një çudi e madhe
të marrësh vesh se dashuria nuk na qenka veçse një gëlqere
E gjora Katerinë!
Po shkonte ora 6-të kur i’u kujtua se ishte një e pa fat në gjithëherët e dëshpëruara
tek ngjiste ato shkallë prej udhëtimeve të ndërprera drejt apartamentit me numër 68-të
Aty në katin e katërt ku rastësisht po ngjitej edhe fqinja përballë,
e cila me një buzëqeshje të vijosur fytyrës i thotë një “mirëmengjes” të shtirur
sepse nuk e kishte marrë vesh ende siç duket se çfarë në të vërtetë dashuria është.
Mbase një ditë këtyre shkallëve do i vinin një emër “Kremtimet e Katerinës”, mendoi përsëri me një gjysëm buzëqeshje ironike tek nxirrte çelësin dhe e fuste në bravë pa i hedhur sytë tjetrës
Të gjitha netët e Katerinës, shkuan duke ngjitur shkallët, por askush nuk e vuri re se ajo nuk ngjitej asnjëherë njësoj
As Kadare, as Dostojevski,
as Markezi dhe as fqinja
e cila ishte edhe më e gjorë se Katerina.