Alda Bardhyli
“S’ishin parë më që atë natë, kur ai e kishte puthur e ajo kishte bërë sikur s’donte të puthej. Që atë natë, ajo vetëm për të kishte menduar. Ishte matur disa herë të vente e ta takonte në punë, ti thoshte gjithçka çfarë ndjente, e që e linte pa gjumë. Ai le të bënte ç’të donte, veç ajo të merrte frymë lirisht…”.
Këto mendime orvateshin në kokën e bukur të Mirjanës, prostitutës që Dhimitër Xhuvani i dha një tjetër jetë tek romani “E nesërmja e një gruaje”. I botuar në fillim të viteve 1990, ky libër do të sillte një karakter të munguar në një letërsi, e cila që me fillesën e saj ishte përpjekur ta fshihte femrën. Tashmë me guximin e një shkrimtari, nervi i së cilit do të ndjehej që me debutimin e tij të parë më 1958-tën, “Kambanat e fundit”, Xhuvani kërkon të futet brenda karakterit të një gruaje jo të zakonshme, dhe të na tregojë brendësinë e saj. Ashtu siç kishte bërë me Din Hykën, duke e ngritur përsëri në këmbë, ai kërkon ti jap dridhërima të tjera zemre, një gruaje të përbuzur. Në vitin 1995 ky roman do të ekranizohej në filmin “Dashuria e fundit”, nën regjinë e të birit Gjergj Xhuvani, pikërisht në kohët kur dukej që dashuria kishte humbur fillin.
Mirjanën e gjeta këto ditë, në librin e vjetër, në kopertinën e së cilit, shihet vështrimi i saj, ku mungojnë disa fletë, diku në bibliotekën time, duke më risjellë në kujtesë një personazh të dashur të letrave shqipe, me të cilin dikur, ndaja dhe orë bisedash mbi letërsinë. Ashtu i qetë, me portretin ku sytë dalloheshin përmes skeletit të syzeve, Dhimitër Xhuvani fliste sesi letërsia mund ta bënte më të bukur jetën.
Historia me Din Hykën, personazhin real që e kishte frymëzuar për një nga veprat më të njohura të viteve 1970-të “Përsëri në këmbë”, vinte shpesh në bisedat me të, si një mënyrë për të treguar se letërsia ishte aty ku është jeta. Kaq vite më pas, nuk mund të riprodhosh biseda që të kanë mbajtur nën atë kureshtjen e përjetshme të artit, por arrin të kuptosh profilin e një shkrimtari të vërtetë që ka qenë me ty…
Në libraritë e Tiranës, shumë pak gjenden librat e Dhimitër Xhuvanit. Pavarësisht kontekstit kur librat e tij u shkruan, në to mund të gjesh një prozë të çliruar që mund të lexohet dhe sot. Rasti i Xhuvanit, vjen si një thirrje ndaj kujtesës se cili do të jetë fati i librave të shkruara gjatë soc-realizmit. A do të vazhdojnë ata të mbeten fshehur bibliotekave të vjetra tonat, apo ti gjejmë në tezgat e librave që shiten rrugës? Pavarësisht ideologjizmave që mund të ndjehet lehtë në libra të caktuar, risjellja e librave dhe autorëve të tillë në vëmendje të lexuesit , do ishte ndoshta më mirë se promovimi i një autori best-seller nga letërsitë e vendeve të tjera. Ndoshta se historia e Mirjanës, që ecën e vetmuar në plazhin e Durrësit, në pritje të një burri, mund të joshë më shumë se “Bij prostitute” e Kristine Gren.